“Agimi që lindi nga uji”

0
113

Tregim nga Gjergj Meta

Në dimër zakonisht uji i Drinit, që kalon nën urë të Baçallëkut, afër Kishës së Zojës së Shkodrës, vjen i turbullt, për t’u takuar më pas me ujin e Bunës e për t’u nisur kështu bashkë drejt detit. Çuditërisht atë ditë kur Dom Ndoci po nisej, uji ishte i kthjellët, si kristal. Ia hodhi sytë rrjedhës për një çast e iu kujtua se në studimet e tij kishte lexuar diku se, sipas Jung-ut, uji, në të gjitha format e tij: det, liqen, lumë apo burim, ishte një ndër tipizimet më të shpeshta të pavetëdijes. “Pavetëdija – mendoi me vete – është një botë e madhe që i ngjan pjesës së fshehur të ajzbergut, por që sot qenka e kthjellët.” Buzëqeshi pak për këto reminishenca studentore dhe hapi sytë nga rruga se mos po vinte ndonjë makinë.

Kur kishte dalë nga burgu, dom Ndoci kishte qëndruar një vit në shtëpi, pothuajse i mbyllur. Pasi ishte thënë mesha e parë në Shkodër, nga dom Simoni në varret e Rrmajit, e frika ishte thyer disi, ai ishte nisur menjëherë për në Mirditë, aty ku e kishin arrestuar. “Duhet me e nisë aty ku e lashë” – kishte menduar me vete.

Dom Ndoci ishte shkodran dhe pas lirimit ishte kthyer aty menjëherë. Arrestimi i tij kishte qenë shumë tragjikomik e më shumë akoma gjyqi kundër tij. I binin ndërmend fytyrat e atyre dy grave që e kishin akuazuar se prifti ishte një përfitues dhe u merrte ushqimet të varfërve që nuk kishin ç’të hanin. Në sallën ku zhvillohej gjyqi në Kurbnesh nuk kishe vend ku të rrije. Ishte plot. Kishte menduar shpesh gjatë viteve në burg se si të njëjtët njerëz, që mbushinin meshët e tij nëpër katunde, kishin mbushur edhe sallën e gjyqit kundër tij. Sa shumë prej tyre kishte pagëzuar e kishte kunguar. Atë ditë i kishte hedhur një sy sallës e sapo shikimet ndesheshin me njerëzit, ata ulnin kryet sikur po thonin: “Nuk kemi ç’të bëjmë dom Ndoc, na e bëj hallall.”

Hë more prift çfare ke për të thënë, – i ishte drejtuar gjykatësi me hakërrim.

Asgjë shoku gjykatës. Kam bërë vetëm punën time gjithë jetën e jam mundue me i shërby popullit të krishtenë. Akuzat qi më bajnë sot nuk i pranoj. Por i fali, sepse nuk e kuptojnë se ç’ka janë tuj ba. – u përgjigj dom Ndoci.

Pusho! Ulu aty! Vetëdija proletare sot është shumë e lartë. Partia i ka ndriçuar ndërgjegjet e njerëzve dhe nuk i ka manipuluar siç keni bërë ju me teoritë tuaja obskurantiste mesjetare. – ia ktheu gjykatësi gjithë inat.

Dikush nga salla ishte çuar në këmbë e kishte bërtitur: Rroftë partia dhe shoku Enver Hoxha. Askush nuk i ishte përgjigjur, por ishte krijuar një heshtje. Edhe ai ishte ulur si i zënë në faj. Gjykatësi, pasi dëgjoi edhe prokurorin, mori vendimin për dënimin e dom Ndocit me burg. Salla u zbraz në heshtje. Askush nuk fliste. Dikujt i kishin shkuar edhe disa pika lot për faqe, por ishte munduar t’i fshihte. Nga aty e kishin çuar në Spaç ku kishte qëndruar deri gati në fund të dënimit.

Nga Shkodra u nis atë ditë me një makinë Ifa. Aty diku rreth orës dy, mbërriti në Milot. Shoferi nuk i mori as lek, sepse e njohu dhe kur e pa ashtu plak, të kërrusur e me rroba të vjetra iu dhimbs. Në Milot priti deri vonë e pak pa u errur, erdhi një skodë e madhe. I nxorri dorën. Shoferi u ndal. Në kabinë nuk kishte vend, por një djalë i ri zbriti e hipi mbrapa në rimorkio e i liroi vendin Dom Ndocit.

“Ka je tu shku o xhaje?” – iu drejtua shoferi i cili dukej qartas se ishte diku nga Shqipëria e Mesme, sepse ashtu u drejtohen të moshuarve atje.

“N’Mirditë, or shok!” – ia ktheu dom Ndoci.

“Hala me shok ti, e xhaje. Ka mbaru koha e shokut. N’Mirdite the? Po n’Mirditë ku, se Mirdita osht e modhe? Kom 10 vjet që punoj k’tu me Skodë tu bajt mineral e dru. M’ka ardhë shpirti n’moj t’hundës. Po ene içik dal m’pension.”

“N’Rrëshen n’mujtsha me mbërrit sonte e nesër për në Selitë te nji mik” – i tha dom Ndoci.

“Deri m’Rrëshen t’çoj un, anej masanej nuk e di, se un shkoj për n’Spaç”.

Sa dëgjoi emrin Spaç dom Ndocit ia përshkuan trupin të dridhurat.

“Po mirë boll të falna nderës edhe për kaq.” – i tha butësisht shoferit dhe shtoi – “Po në Spaç pse je tuj shkue?”

“Si pse? Me mor mineral pra mo. Ne me e çu m’Durrs ke porti. Masanaj m’anije ene hop ke taljoni maton detit. E mër xhaje, mër xhaje, ku e di ti ça o Spaçi. Ça kishim qen ne robt, mor burrë i dheut? Aty kishin qenë kokat e Shqipnis e ne thojshim “atje jan armiqt e popllit”. Hajde popull hajde! Kam pa me syt e mi se ça i bojshin të burgosmve. Nuk e harroj kurrë. Ishte nji kapter e i rrifte t’burgosmit kot, vetëm pse ju mushte menja. Dy pllom rob ishte, por ishte tmerri i burgut. Katil rob!

Po ça me bo kisha për t’majt kalamojt me buk ne s’bzojsha. Po ne jena kriminelat e njoni-tjetrit, mër xhaje. Ptu, far e keqe paskemi qenë. Po shyqyr u rrxu ky, mender e me thon, komunizmi ne do Zoti ishalla morim për mar.”

Dom Ndoci, megjithëse e ndiente çdo fjalë të tij të thënë, ashtu me atë dialektin e tij durrsak, nuk foli asnjë fjalë. I njihte mirë durrsakët sepse kishte shëbyer disa vjet në ato anë kur kihste qenë prift i ri e më pas ipeshkëvi e ishte caktuar në Selitë. Vetëm vuri paksa buzën në gaz, ndërsa zemra po i pikonte gjak. Pasi mbaroi monologun e tij gjithë inat, duke i treguar Dom Ndocit se çfarë ishte burgu i Spaçit, shoferi ndezi një cigare partizani, e vuri në buzë në njërën anë e filloi të këndonte:

E vika deti mi lale

O tallaz tallaze

E se me ka zane, o mi shpirto

Sevdaja me kast e…

Kaluan urën e Zogut e morën drejt Rubikut. Sa kishte pa e parë lumin e Matit, ia nguli sytë me kujdes dhe ndiente çdo pikë ujë që rridhte lirshëm. Kaluan Fierzën, Rrasfikun e dalëngadalë iu afruan Rubikut. Disa pika shiu filluan të kërcisnin mbi kabinë. Dom Ndocit iu duk se ato pika shiu po ia lagnin mendimet. I pëlqeu ajo ndjesi freskie.

Në Rubik u ndalën pak e hipën disa vetë në rimorkio. Shoferi u fut shpejt e shpejt te klubi i qytetit, rrufiti një dopio fërnet dhe u nis përsëri. Në Rreth të Epërm përsëri hipën disa të tjerë. Sapo mbërritën te ura e Fanit shoferi ndaloi makinën dhe u tha atyre që do të zbritnin se tani ishte momenti. Nga kabina zbriti dom Ndoci, kurse nga rimorkio u ul ai djali i ri që i kishte liruar vendin në Milot. Shoferi, si pa që zbritën kush kishte për të zbritur, i dha gaz skodës e u nis drejt Gëziqit. Dom Ndoci mbeti vetëm me djaloshin e ri.

“Për ku po shkon?” – e pyeti djaloshi.

“Në Rrëshen. Ndoshta gjej ndonjë dhomë në hotel e fle aty sonte. Nesër më duhet me udhtue për në Selitë” – ia ktheu dom Ndoci.

“Po mirë atëherë po e bajmë rrugën bashkë deri në Rrëshen.” – i tha djaloshi. Ishte një djalosh i edukuar dhe i butë. Jo më shumë se 25 vjeç. Këtë përshtypje i dha dom Ndocit.

U nisën në heshtje. Pas pak minutash që nuk flisnin Dom Ndoci e pyeti si e kishte emrin dhe nëse ishte nga Rrësheni. Djali i pohoi se ishte nga Rrësheni dhe i tha emrin.

“Si ia thonë emnin babës tand?” – e pyeti dom Ndoci. Djaloshi e pa disi me çudi e ia tha emrin e t’et. Sapo djaloshi i tha emrin e t’et dom Ndoci u ndal.

“Si? Ti je djali Markut?” – tha gjithë mrekullim Dom Ndoci.

“Po i Markut jam! A e ke njoftë babën?” – ia ktheu po me aq mrekullim djaloshi.

“Po si nuk e kam njoftë, more bir? Kam ndejt me të në burg në Spaç. A asht mirë Marku?”

“Baba nuk jeton ma. – i tha djali ngadalë, i habitur nga ky udhëtar i rastësishëm që njihte të atin e vet e në një rrethanë që për të ishte e dhimbshme. “Nga puna në minierë – vazhdoi djaloshi – iu smundën mushkëritë me silikozë e vdiq sapo doli nga burgu.”

“Po gjyshja a jeton?” – e pyeti përsëri Dom Ndoci.

“Po! Gjyshja âsht gjallë. Po ti kush je?” e pyeti djali gjithë kureshtje.

“Unë jam Dom Ndoci. Kam kenë prift në Kthellë e në Selitë për shumë vite. Më pas më kanë arrestue e ka pak kohë që kam dalë nga burgu.”

“Oh, Zotni, më fal! Nuk t’njofta. – i tha djali gjithë keqardhje –“S’kam si me të njoftë xhanëm. Nuk t’kam pa kurrë, por baba më ka folë shumë për ty e për do priftën të tjerë që keni qenë në burg me te.”

“Eh, more djali Markut, çfarë babet ke pas! Çfarë burrit! Sa na ka ndihmu ne priftavet. Disa prej nesh ishin të vjetër, disa nuk ishin mësue me punën e do të tjerë të brishtë me trup. Ai bante shpesh normën edhe për ne. Nji herë e kanë rrahë gardianët se morën vesh se më kishte ndihmue mue. Ishte një ditë e nxehtë vere. I nxehti kishte hy gati edhe në galeri, ku zakonisht âsht fresk, edhe pse nuk ka ajër të mjaftueshëm, e dukej sikur kishte depërtu në asht. Unë atë ditë isha sëmurë. M’u morën mend, rashë e vrava kryet. Më doli gjak. Marku mori ujë të pastër nga pagurja që kishte për të pirë ma hodhi mbi krye e ma pastroi plagën. Duke qeshur i thashë: “Po më duket sikur po më pagëzon, mor Mark”. Pastaj ma lidhi me këmishën e vet. Ia kam bekue shpirtin sa e sa herë. Njerëz si baba jot janë heronj të heshtun. Ndoshta kurrë nuk ka me u shkrue për ta, por emnat e tyne janë të shkruem në librin e Zotit. Po më vika keq që paska dekë Marku. A mbahet gjyshja?”– e pyeti Dom Ndoci.

“Po, po! Âsht ende e fortë dhe e kthjellët. Por ka vuejt shumë” – iu përgjigj djaloshi.

“E di! Sa herë vinte e shkreta me e takue Markun në Spaç. E ushqimet që sillte ajo, Marku i ndate me ne. Unë babën tand e kisha njoftë para se me ra në burg. I kam vu kunorë në Kishë të Trojës fshehtas e aty kam pagzue edhe dy fëmijët e tij të parë, mandej nuk e di ma se më arrestuen, e pak ma vonë edhe ate, e u takuem në burg.”

Djaloshi po e dëgjonte me kujdes krejt tregimin e dom Ndocit e brenda filloi diçka të çlirohej prej tij, në formën e një vaji të brendshëm. Sa më shmë dom Ndoci i tregonte aq më shumë prej shpirtit të tij dilte diçka si nji gjamë burrash:

Ah, imjeri unë për ty, or baba jem!

“Ishte kohë e v’shtirë, mor djalë. Kohë e vështirë! Ishte e vështirë me qëndru në kambë, me qëndrue burrë. Nuk kanë qëndrue të gjithë si baba jot. Shumë janë dorëzue. E nuk duhet me ia zanë për të madhe. Tash po të tregoj një histori, meqë kena edhe pak rrugë, që ka ndodhë këtu afër e ma ka tregu vetë personi. Sapo isha lirue nga burgu e ai erdhi më takoi bashkë me një shoqin e tij në Shkodër. I njihsha të dy. Në bisedë e sipër njeni prej tyne, Gjin e kishte emnin, nisi me m’tregue:

“Isha i ri në atë kohë dom Ndoc. Kur më vdiq nana, pak para vitit ‘67, isha pak ma shumë se 20 vjeç. Shkova në Shkodër e i bana nji kryq të bukur, të gdhendun, që më ia vendosë te varri. E mbështolla me kujdes që të mos e shihte njeri e gjithë rrugës kam ardhë me frikë se mos ma gjenin. Arrita në fshat në muzg e sapo u err shkova te varret dhe e vendosa. Të nesërmen ishte aty. U thashë edhe robve të shtëpisë se çfarë kisha ba. Lalës i erdhi mirë edhe pse më qortoi që kisha rrezikuar kaq shumë. Situata nuk ishte fort e mirë, por feja ende nuk ishte ndaluar. Erdhi shkurti i vitit 1967. Sekretari i Partisë së fshatit (i tha emrin) na mblodhi e na tha: “Sot do të shkojmë të heqim kryqet te varret. Të gjithë me mua.” U nisëm. Kur arritëm aty, varri i nanës time ishte në krye të varrezës. U ndalëm dhe sekretari tha: “I kujt asht ky varr?” Askush nuk foli. Pas pak fola unë: “I nanës teme shoku N.” “Qe kazmën, fillo ti i pari e jep shembull”.

M’u rrotullua toka. Më mbuluan djersë të ftohta edhe pse ishte mesi i shkurtit. Kishte rënë një heshtje varri. Askush nuk lëvizte e as fliste. Mendova: “Dy rrugë kam: o me prish varrin o me i ra kresë me kët kazëm sekretarit e jeta ime me marrë fund”. Nuk kisha guxim me ba as njenen e as tjetrën. Me hy në burg nuk doja se isha i ri e sapo isha martu e mund të dënohesha me vdekje. Nuk doja as t’i merrja jetën një tjetri. E me prish varrin e nanës për mue ishte ma keq se me vdekë. A e din çka bana? I rashë kryqit e theva. E kputa në fund aty ku lidhej në bazament. Kjo punë u vazhdua në çdo varr. Unë mbeta aty me sytë e ngulitun te kryqi i rrëzuem mbi vorr të nanës. Çfarë burri isha unë? Kurrë ma pak burrë e njeri nuk jam ndie në jetën teme. Kur ikën të gjithë e mora kryqin e mbështolla edhe një here e dola disa metra ma tej dhe e fsheha. Në darkë shkova dhe e groposa. Ka pak ditë që e kam nxjerrë dhe kam ardhë me ma bekue. Ai çast nuk më hiqet nga mendja sa të jem gjallë. Unë zgjodha me jetue dom Ndoc…”

Fjalët e fundit Gjini m’i tha tue iu dridhë mjekrra e me kokë ulun. Dy pika loti të mëdhaja i dolën nga sytë e i rrëshkitën për faqe.

Shoku i vet që ishte me te i tha: “Hajt, he burrë, mos u ligshto. Të gjithë kena ba kështu nga frika” e filloi me tregu shembuj e histori se si edhe të tjerë kishin vepru kështu. “Shife, dom Ndoc – m’u kthye mua – n’at kohë të tanë kena pas frikë. Na u ka dasht me jetu e mbijetu, me rrit fmitë e me u kujdes për shpi. Dhe ndije çka po t’tham: do njerz vdesin për me dëshmu e do të tjetër rrnojn për me tregu…”

Unë nuk fola, por e mora ngrykë dhe e ngushëllova me sa mujta Gjinin që nuk i pushonin lotët. Vetëm i thashë kto fjalë: “Gjin shko e vendose përsëri kryqin atje. Por lenia nji shenjë që e ke thye. Jo për me i ba dam vetes sa herë ta shohish, por për me iu tregue brezave. Plagët sado t’i fshehim, ato plagë mbeten. Por ti hiqe shenjën prej vetes e lene aty n’kryq, ndryshe ka me të përndjekë tan jetën. Sa ma shumë të jena të vetëdijshëm për plagët që kena aq ma mirë âsht. As Krishti, pas ngjalljes, nuk i fshehu plagët e duarve të tij e të kraharorit, por i mori me vete në qiell. E shenja duhet për me ia tregue brezave se çfarë ka ndodhë në këtë vend, se ka me ardhë shpejt koha që do duan me shembë gjithçka, gjoja në emën të së resë, por, në fakt, duen me zhdukë gjurmët e krimit”.

Dalëngadalë po i afroheshin Rrëshenit e dom Ndoci e pyeti se ku ishte hoteli.

“Heu, or dom Ndoc! Ti me shku në hotel sonte?! Besa, jo! Veç te shpia ime.” – ia priti djaloshi.

“Jo, mor djali i Markut, mos u ngushtoni. Unë shkoj në hotel. Âsht vonë e s’due me i trazue gjinden.”

“Nuk bahet fjalë sonte ti me shku në hotel” – ia ktheu djaloshi.

Dom Ndoci përbrenda po e priste këtë ftesë, në fakt. U nisën të dy për kah shtëpia e tij e cila ndodhej në një kodrinë aty afër qytetit. Vesa e shiut që i kishte shoqëruar gjatë gjithë udhëtimit pushoi. Aty gjeti gjyshen e vjetër, gruen e Markut dhe nusen e djaloshit, e cila kishte një fëmijë të vogël në krah. Shtruan darkën shpejt me çka patën e pas darke i rregulluan shtratin dom Ndocit për me fjetë. Të nesërmen u çua dhe i tha se kishte dëshirë të ikte sa ma parë, por gjyshja mori fëmijën e vogël në dorë e duke iu drejtuar dom Ndocit i tha:

“Dom Ndoc, a po na i ven bajm ktij meci t’vogël?”

Dom Ndocit i shkëlqyen sytë. “Po pse jo? Me gjithë zemër”

“Çka âsht bajmi, oj gjyshe?” – ia priti djaloshi, baba i fëmijës.

Dom Ndoci vuri buzën në gaz e i tha: “Âsht pagzimi. Me anë të pagzimit bahena tamam të krishtenë.”

“Djalin e Markut e kam pagzue vetë dom Ndoc.” – I tha gjyshja duke treguar djaloshin që nuk dinte çfarë ishte bajmi – “E tash me ia shpjegue fenë duhet ju, se na sa dijtëm bame”.

“Po nuk kena kumbarë” – ia priti djali i Markut.

“Mos ki dert se bahem unë kumbarë” – ia ktheu dom Ndoci e duke iu drejtuar nënës së fëmijës e pyeti -“Si e ka emnin fëmija?”

“Mark!” – iu gjegj gjyshja menjëherë, pa pritur që nusja të çilte gojën.

“Ma mirë nuk ka.” – tha dom Ndoci.

Nxorri librin e ritualit të pagëzimit në latinisht nga çanta. Kërkoi pak ujë e kripë në një gotë. Vuri stolën përreth qafës dhe nisi ritin e pagëzimit. Bëri gjithçka në latinisht deri kur erdhi koha e pyetjeve. Ata nuk kuptonin asgjë, por gjyshja përgjigjej si duhej. Kur erdhi momenti i pagëzimit mori ujin dhe filloi t’ia hidhte Markut të vogël mbi krye.

Mark, unë po të pagëzoj…”

Iu kujtua galeria atë ditë kur vrau kryet. I doli përpara fytyra e Markut e dora e tij që mbante paguren në dorë e hidhte ujë mbi kryet e gjakosur të dom Ndocit.

“… në emër të Atit

I shpëtuan dy pika lot e u përzien në gotën e ujit të bekuar

të Birit… e të Shpirtit të Shenjtë. Amen!”

Të gjithë kishin heshtur, e përveç djalit të Markut, askush nuk po e kuptonte pse i dolën lot dom Ndocit. Kur mbaroi u tha: “Me jetë të gjatë Marku i vogël. U baftë burrë i madh”.

Vendosi gjithçka në çantë e kërkoi leje që të nisej. U fal me të gjithë. Shiu, që kishte rënë pothuajse gjithë natën, kishte pushuar e jashtë kishte dalë dielli. Kur doli jashtë drejtoi sytë kah Guri Gjon. Ajri i pastër e lejonte ta shihte edhe pse ishte larg. Ishte ende aty, krenar, a thua se po i bënte roje Valmorit. Mezi po priste ta shihte nga afër e t’ia ndiente gumëzhimën Urakës.

ExLibris

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here