Standard.al

Rrëfimi i fortë i Çekajt: Aksioni u ndërpre te magazinat e mia, për të shpëtuar trafikantët e vërtetë

0

Një ditë përpara pretencës së prokurorisë, biznesmeni Arbër Çekaj, i konsideruar nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu, si peshku i madh i kokainës, vendos të rrëfehet. Në një intervistë për News24 i akuzuari për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane që u zbulua ne magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, shënjestron prokurorinë për Krime të Rënda. Ai shprehet se policia dhe prokuroria urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim për të fshehur trafikantët e vërtetë, që sikurse thotë as që guxon t’i prekë.

“Është totalisht e qëllimtë nga ana e policisë, prokurorisë dhe atij personi i cili dha urdhër që operacioni të ndërpritej në magazinat e kompanisë time. Nëse operacioni do të shkonte deri në fund, patjetër që do të ishte kapur grupi kriminal e jo unë. Me gjeni një vend normal të botës që arrestohet pronari i kompanisë që importon fruta, se në kontenierët që nuk janë fare të tijët, gjendet drogë. I vetmi vend është Shqipëria, edhe në Shqipëri i vetmi pronash frutash në burg jam unë. Pra prokuroria ka luftë personale ndaj meje e familjes time, e kjo vetëm për të mbrojtur grupin e vërtetë kriminal që ata e dinë se kush është, por askush nuk guxon ta prekë”.

Me doza të larta ironie, duke iu referuar operacionit të fundit antidrogë, ku kokaina u zëvendësua me oriz, Arbër Çekaj i konsideron uniformat blu si “policia e orizit”, ndërsa institucionin e akuzës, si “prokuroria e pilafit”, të cilat veprojnë me dy standarte.

Nga qelitë e paraburgimit rrëfen për rrugëtimin e tij në biznes, të cilin thotë se e ka ngritur me shumë mund e përpjekje e fill pas kësaj zgjedh t’i përgjigjet edhe ish-ambasadorit amerikan.

“Duke patur respektin maksimal për Amerikën, si mik i Amerikës që jam (e miku nuk gënjehet), unë nuk kam qenë e as nuk do të jem kurrë, peshk i madh apo i vogël i kokainës. Zotin Lu e kanë keqinformuar me dashje ne lidhje me mua”.

Por a ndihet i rrezikuar Arbër Cekaj, nga kush e për cilat arsye?

“Frika nuk ka qenë asnjëherë bashkëudhëtarja ime në jetë. Sepse nuk kam bërë asgjë për të patur frikë, por në kushtet ku ndodhem, kur shteti ka strukturat e veta, përfshi edhe mediat e varura prej tij, në vend që të më mbrojnë liritë si shtetas shqiptar, më fusin në burg pa asnjë provë për të mbuluar e shpëtuar trafikantët, mundohet të më fusë në konflikt me njerëz që nuk i njoh e s’kam lidhje, mundohet të më mbyllë biznesin e të më sekuestrojë çdo gjë që kam. Në këto kushte çdo njeri normal do të ndihej i frikësuar besoj… Megjithatë me të më të frikësuar janë ata që kanë frikë nga e vërteta, sesa unë nga padrejtësitë”.

Biznesmeni nën akuzë, i përfolur për lidhjet e forta në politikë, ka një përgjigje edhe për këtë.

“Nëse do të kisha miq në politikë nuk do të isha në burg. Me thënë të drejtën kam antipati për politikën, sepse ishte ajo që më futi në burg, për të bërë shoë, betejën politike të radhës, dhe kurbani i radhës isha une”.

Arbër Cekaj akuzohet bashkë me menaxherin e kompanisë së tij, Donaldo Lushaj dhe shiferin e kamionit Armando Pezaku, për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane me vlerë 180 milionë euro. Të enjten prokuroria pritet të shpallë pretencën për të pandehurit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.