Pse ka akoma qytetarë që nuk arrijnë ta besojnë kapitullimin e kryeministrit shqiptar?

0
89

Nga Red VARAKU

Ndër fenomenet e çuditshme që ka prodhuar ky regjim është egzistenca e një çoroditjeje dhe mpirjeje fatale të një pjese të opinionit publik në lidhje me krizën organike ku ndodhet vendi. Kjo kategori, e cila ndodhet nën presionin sistematik të kamzhikut dhe propagandës, për të cilat kujdeset personalisht vetë kryeministri, është e disi e tulatur dhe nuk di si të orientohet në këtë krizë. Madje, paradoksalisht ka disa nga ata që për këtë situatë të rëndë fajësojnë akoma Opozitën, a thua se ky kryeministër nuk ka gati dy mandate që po qeveris. Sigurisht, që kjo mpirje dhe çoroditje nuk është e pashpjegueshme. Ajo është pasojë e një strategjie kamzhiku dhe propagande shumë të sofistikuar të ndjekur me përpikmëri nga regjimi.

Së pari, pas një kohe të gjatë në pushtet, çdo regjim krijon mitin e pathyeshmërisë, i cili në realitet mbetet thjesht një mit, që nuk ka lidhje me realitetin. Dihet që tipar themelor i diktatorëve është se ata investohen fort për të krijuar mitin e pathyeshmërisë së tyre. Kjo është arsyeja se pse kryeministri reagon me shpejtësi dhe shtyp me dhunë shproporcionale cilindo që guxon të sfidojë autoritetin e tij. Kjo është arsyeja që ai është gati të përdorë dhunë ekstreme kundër protestuesve.

Kjo është arsyeja se pse në 30 qershor, në vend që të jepte dorëheqjen, vendosi në paligjshmëri të plotë, të hynte në zgjedhje pa Opozitën duke rrezikuar ta çonte vendin drejt një përplasjeje parapolitike. Kjo është arsyeja që në një rast të paprecedentë, pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale, me kaçavida në dorë uzurpoi me dhunë të gjitha bashkitë. Kjo është arsyeja se pse Rama i ka kapur dhe po i kap të gjitha institucionet e shtetit, së fundmi edhe Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është arsyeja se pse në çdo dalje nuk resht së qenuri arrogant dhe i pacipë me të gjithë. Pra, i gjithë aksioni i tij politik nuk ka qëllim tjetër, vetëm se ta paraqesë regjimin si shumë të fortë dhe të pathyeshëm me qëllim demoralizimin e të gjithë faktorëve opozitarë.

Së dyti, Rama hyn tek ata njerëz që para se të krijojë ngjarjen, ka menduar se si do të paraqitet ajo ngjarje në rubrikat televizive. Pra, krijon ngjarjen në funksion të lajmit. Kështu që nëpërmjet medias ka krijuar një realitet tjetër ku qytetarët jetojnë të lumtur, që s’ka lidhje me realitetin e zi, që po i detyron shqiptarët të largohen. Dhe kjo më së shumti nga edicionet informative të televizioneve, të cilat janë propagandë e pastër pro qeverisë dhe sulm barbar kundër Opozitës . Një propagandë tërësisht e zhbalancuar, ku manipulimi duket hapur deri edhe tek spektaklet e humorit ku dominon ideja se regjimi mbahet fort, dhe se shqiptarët janë të kënaqur.

Nga ana tjetër, pothuaj të gjithë opinionistët e analistët mbështesin idenë se mbase Rama vërtet nuk po bēn ndonjë mrekulli , por më të mirë se Rama nuk ka, dhe për këtë fajin e ka Opozita. Kjo është arsyeja se pse pas çdo dështimi spektakolar, si përshembull, bllokimi i integrimit ai sajon lajme boshe si ai i mini Jugosllavisë dhe sulmin e ashpër kundër banorëve të pambrojtur të Unazës, vetëm për të harruar dështimin dhe demoralizuar qytetarët.

Së treti, vetë qeveria prej dy vjetësh nuk ka qeverisur asnjë ditë, por është në një mobilizim të pazakontë elektoral e për shkak të parave që janë hedhur pa hesap, ka krijuar idenë e gabuar se mbështetja në favor të Ramës vijon të jetë në nivele të larta për shkak të dobësisë së Opozitës. Gjithashtu, ai ka shfrytëzuar interesin që ndërkombëtarët kanë për implementimin e reformës në drejtësi, dhe e ka paraqitur këtë si mbështetje për të. Edhe mashtrimi me deklaratat e zyrtarëve të huaj duke i paraqitur ato si qëndrime zyrtare të BE apo SHBA , tek mendjet e pavëmendshme politike ka krijuar perceptimin sikur ky kryeministër ka mbështetje të jashtëzakonshme perëndimore.

Së katërti, regjimet krijojnë dhe një klimë frike dhe në këtë klimë frike secili e ka të vështirë të kuptojë se çfarë mendon secili, sepse për shkak të frikës jo të gjithë shprehen hapur për mënyrën se si ndjehen. Në rastin tonë, kjo klimë frike ka pushtuar të gjitha fushat, por kryesisht biznesmenët dhe administratën publike, të cilëve nëpërmjet kamzhikut u kërkohet të ulin kokën dhe të mbyllin gojën, përndryshe të parët ‘detyrohen të falimentojnë’, ndërsa të dytët shkarkohen menjëherë nga puna. Mobizilimi i administratës publike dhe presioni që u bëhet punonjësve të saj për të marrë pjesë në takimet e PS-së është një nga gjërat më të shëmtuara që po ndodh që prej rrëzimit të regjimit komunist.

Nëpërmjet kësa strategjie, kryeministri ia ka dalë të mbajë të mpirë një pjesë të opinionit publik, por nuk ia ka dalë dot të mbulojë të vërtetat e rënda të publikimeve të BILD ku parakalojnë të gjithë eksponentët e lartë të PS, përfshi edhe vetë kryeministrin. Nuk ia ka dalë të mbulojë refuzimin e ndarjes territoriale të Kosovës nga Berlini zyrtar, që mund të konsiderohet pa frikë investimi më i madh politik i Ramës. Nuk ia ka dalë të mbulojë mesazhin e ashpër të bllokimit të negociatave dhe nëntë kushtet e Bundestagut, që i kërkojnë prerë kryeministrit të largohet me procedurë. Sepse , shqiptarët mund të kenë mjaft të meta, por sado e sofistikuar qoftë propaganda, me ata as nuk mund të tallet dhe as nuk mund t’i shmangë nga e vërteta askush.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here