Standard.al

Vokshi: AMA rrëzon ligjin e Ramës për censurën e portaleve! 3 anëtarët që votuan kundër, në lartësinë e detyrës

0

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka rrëzuar pr/ligjin e qeverisë Rama ‘Për shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë’, i cili ka të bëjë mediat online dhe përmes të cilit synohej vendosja e gjobave të majme mbi portalet, duke u fokusuar kryesisht te teza e qeverisë mbi shpifjen.

Bordi i AMA me 5 anëtarë, tre prej të cilëve votuan kundër draftit që ishte dërguar për dhënie mendimi, nuk ka miratuar propozimet e qeverisë.

Lidhur me vendimin e sotëm të AMA-s reagon edhe ish deputetja dhe ish kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mediat, Albana Vokshi.

Përmes një postimi në Facebook, Vokshi falenderon 3 anëtarët  që votuan kundër duke u shprehur ndër të tjera se, “shumica e Bordit të AMAs: Sami Neza, Agron Gjekmarkaj dhe Suela Musta, duke qëndruar në lartësinë e detyrës për të cilën janë votuar, kanë rrëzuar me shumicë votash (3 vota kundër dhe 2 vota pro) ligjin e rikthimit të dënimeve të gazetarëve për agjitacion e propagandë”.

Reagimi i plotë i Albana Vokshit:

Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) rrëzon ligjin e Ramës për censurën e medias online

Sot, shumica e Bordit të AMA-s: Sami Neza, Agron Gjekmarkaj dhe Suela Musta, duke qëndruar në lartësinë e detyrës për të cilën janë votuar, kanë rrëzuar me shumicë votash (3 vota kundër dhe 2 vota pro) ligjin e rikthimit të dënimeve të gazetarëve për agjitacion e propagandë.

Nëpërmjet dy projektligjeve, të hartuara me urrejtje në zyrën e Edi Ramës, Autoriteti i Mediave Audio-Vizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare urdhërohen me ligj nga Kryeministri, të vlerësojnë përmbajtjen editoriale të mediave, të gjobisin si dhe të mbyllin portalet që e kritikojnë atë duke marrë edhe kompetencat e gjykatave.

Këto pr.ligje janë kundërshtuar me forcë nga komuniteti i medias në Tiranë dhe dhjetra organizata ndërkombëtare e institucione europiane. Shtypja e të drejtave të gazetarëve dhe kontrolli i medias është denoncuar në të gjitha kancelaritë perëndimore dhe përkeqësimi i indeksit të lirisë së shtypit në Shqipëri ka ndikuar edhe në vendimin për negociatat.

Sot, tre anëtarët që nuk kontrollohen nga qeveria, duke mbajtur të njëjtin qëndrim me organizatat vendase dhe ndërkombëtare, e kundërshtuan pr.ligjin si antikushtetues dhe si cënim të lirisë së medias, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim. Ata shprehën shqetësimin për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të mediave të shkruara si dhe kontrollin e tyre nga ana e qeverisë duke anashkaluar parimin e vetërregullimit, siç përcaktojnë  direktivat e BE.

Duke përshëndetur këtë vendim të tre anëtarëve në Bordin e AMAs, PD gjen rastin të riktheksojë  se dy pr.ligjet e hartuara nga Edi Rama, janë antikushtetuese, janë rrezik për lirinë e medias, lirinë e shtypit, të drejtën për informim si dhe cënim i demokracisë.

Censurimi me ligj i medias online, është pushteti i fundit që kërkon të marrë Edi Rama.

Është koha të mbrohet shtylla e fundit e demokracisë në Shqipwri!

Është koha të gjithë të reagojnë për të ndalur Kryeministrin që ka kapur të gjitha pushtetet.

Sapo të ketë besimin e qytetarëve për të qeverisur, Partia Demokratike do të anullojë menjëherë ligjet që shtypin lirinë e medias.

#LiriaEMediaGgaranciaEDemokracisw

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.