Pse vuan Rama? Ai ka gjithçka…

0
96
Nga Artur Zheji

Në daljet më të fundit të kryeministrit, është vënë re një mplakje e parakohshme e tij.

Portreti, sytë e rraskapitur, goja që sikur ka filluar t’i merret nga pak (një tmerr i madh ky, apo jo?! Kujdesu më shumë për veten Ramë!) dhe me një kthjelltësi mendore të mjegullt e me shtrëngata breshëri të herëpasherëshme.

Në daljen e vet më të fundit, KM-ja, u duk edhe më rëndë, duke mos renditur logjikshëm frazat në vijën e vet logjike që i kish parapërgatitur, ndoshta jo vetë.

Por në kryebetejën e tij të ardhshme, kundër ‘Këçëkëizmit’, apo kundër të ashtuquajturve: ‘maskarenjve të partisë KÇK’, ai, në kërkim të dëshpëruar të një kauze morale, është e sigurt se do të dështojë, me ose pa dashje.

Sepse Rama, falë mëkateve të tija të njëpasnjëshme, falë antimeritokracisë në emërime dhe në caktimin e shumë idiotëve dhe maskarenjve të njohur, ose pothuajse të tillë, në krye të punëve e posteve të rëndësishme, që duan tru dhe dashuri për shtetin e Shqipërinë, ka vendosur servilët e tij, më së shumti trutharë, zuzarë, pijanecë dhe grabitqarë me damkë.

Këçëkëizmi, është pjellë e të tjerëve, po aq sa edhe pjellë e tij e drejtpërdrejtë, për aq kohë sa KM-ja, ka qeverisur. Drejtorët e tij të mëdhenj, që administrojnë miliona euro të shqiptarëve, janë të shquar në karrierat e tyre, sëpari për llapën (gjuhën) e tyre, që lëpin sëpari e sëfundmi këpucët e tij dhe që pështyjnë helm për armikun.

Rilindja që shpalli me bujë kryeministri, e që do të rilindte pra, vlera të reja, shkollim të ri, shtetformim e atdhedashuri të re, të paqme dhe të paparë, përfundoi në të vërtetë në batakun me erën më të keqe të kalbësirës dhe kutërbuese nga dështimet që s’kanë të sosur. Dhe të jemi të qartë, pas çdo dështimi, fshihet një apo më shumë përfitime të majme, lekësh, tokash, trojesh…

Sepse jo vetëm bythëlëpirësit u ngjitën lart e më lart, por edhe nipçet apo ushtarët e bandave të drogës dhe të trafikut, janë sot me detyra drejtuese apo konceptuese e ‘shtetformuese’, anembanë Shqipërisë mjerane.

Që Rama, të mbërrijë të shkulë nga rrënjët Këçëkëizmin, pra zotërinjtë me makina të shtrenjta që kapinçtëkapin në tërë Shqipërinë, ai duhet të sharrojë trungun ku ka hipur vetë. Apo të shkulë nga rrënjët, ferrat e shumta, që ka mbjellë e vaditur vetë, kompromis pas kompromisi, duke shpërblyer vjedhësit e votave fshat më fshat, katund më katund, e lagje më lagje.

Në këtë përpjekje të tijën të dëshpëruar, në kërkim të Moralit të Humbur, edhe duke e paragjykuar si të sinqertë këtë betejën e tij më të re, të shpallur me trumbeta lufte, atij do t’i duhet të prishë mijëra kontrata të heshtura me yzmeqarët e tij, shpesh të armatosur bukur mirë me pisqolla e kallashnikovë, të rrezikshëm, të papërmbajtur dhe hakmarrës primitivë.

Rreshterët e tij politikë të terrenit, do t’i ankohen shumë shpejt se kjo nisëm apo ‘betejë’, është një vetëvrasje dhe marrëzi, e do të kenë të drejtë për këtë!…’Se filani na ka dhënë kaq vota, se fisteku ka tradhtuar PD apo LSI dhe na ka shërbyer këtu e atje, se ky tjetri bën be e rrufe për kokën tënde, se ky tjetri akoma, është shumë i rrezikshëm dhe e shkrep!’ E blablabla, e blablabla!…

Por oligarkët, që shohin me tmerr konkurencial këçëkëistët, sepse janë zotër të territoreve, do shfrytëzojnë dhe do të duan të përfitojnë nga Ramë Ziu dhe beteja e tij e saposhpallur dhe e nxisin ditë pas dite, që të vendosë rregull, që atyre t’u lulëzojë biznesi. Sepse lluca dhe çakejtë e xhunglës janë rritur ndjeshëm.

Por sidoqoftë Ramës së lodhur dhe të zbrazur nga idetë dhe frymëzimi, në rraskapitjen e tij të dukshme, i duhet një flamur, qoftë ky edhe i rreckosur e që ka si stema ca zhaba apo ca hardhuca të stisura, e që shoqërohen me grahmat e fjalimeve të tija që nuk frymëzojnë e nuk gënjejnë më askënd!…

Kuptohet, si parapërgatitje për fushatën e tij të ardhshme zgjedhore, kjo betejë ka lëndë për të mbllaçitur dhe shuplaka zuzarësh për ta duartrokitur.

Por ato nuk janë më duart e popullit por të KÇK-së së re!

Në emër të së cilës, do të rilidhë me mijëra kontrata të reja, të yndyrshme apo të pista, të pëgërëshme dhe të pahijshme, me shumicën e banditëve, dështakëve dhe pisanjosëve të mbetur të këtij vendi.

Sepse, sipas kryeministrit, edhe Këçëkëistët duhet të jenë nesër, pjesë e organizuar e ushtrisë së tij të ardhshme zgjedhore.

Në Drejtësi, në terren, nëpër bashki e komuna, nëpër fshatra apo qytete, në televizione apo ndër portale.

Por asgjë nuk e ngushëllon trishtimin e Ramës, që lexohet në sytë e tij të gropësuar, për këtë kryedështim që gatoi në emër të Egoizmit të tij budalla e të pashoq.

Eh, Ramë djali, sa qesharak përfundove, sa keq më vjen vërtet për ty dhe për mjekrën tënde të re, dendësuar bukur mbi lëkurën e zhubrosur nga hallet e shumta, halle të mëdha, që të zgjasin pushtetin e të shkurtojnë ymrin! /360grade.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here