Standard.al

Protestat për rritjen e çmimit të naftës/ Forcat qeveritare vrasin 6 Iranianë

0

Tensionet në Iran mbeten të larta edhe tri ditë pasi rritja e çmimeve të naftës nxiti protesta në disa qytete.

Situata në rrugë sot është e paqartë, pasi autoritetet kanë urdhëruar ndërprerjen e Internetit në disa pjesë, gjë që ka kufizuar edhe publikimin e videove dhe komunikimet e tjera në mediat sociale.

Zyrtarët thanë se gjashtë njerëz janë vrarë në përleshje – në mesin e tyre: tre protestues, dy pjesëtarë të forcave iraniane të sigurisë dhe një roje e sigurisë, por, sipas disa raporteve, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Disa video që kanë arritur të dalin në mediat sociale, i tregojnë forcat qeveritare duke qëlluar në drejtim të protestuesve.

Garda Revolucionare e Iranit, përmes një deklarate të transmetuar nga media shtetërore, paralajmëroi se do të veprojë nëse trazirat nuk pushojnë, shkruan Rel.

 Më shumë se 100 banka dhe dyqane janë djegur gjatë protestave dhe rreth 1,000 njerëz janë arrestuar, njoftoi agjencia e lajmeve Fars.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha të hënën se njerëzit mund të protestojnë, por jo të nxisin trazira.

“Qeveria nuk do të lejojë askënd të shkaktojë trazira dhe pasiguri. Sidoqoftë, protesta është e drejtë e njerëzve. Ata mund të protestojnë, mund të flasin dhe mund të kritikojnë”, tha Rohani.

Me rritjen e çmimit të naftës, sipas autoriteteve iraniane, pritet të mblidhen rreth 2.55 miliardë dollarë shtesë për subvencione për 18 milionë familje apo 60 milionë iranianë me të ardhura të ulëta.

Irani është i katërti në botë për nga rezervat e naftës së papërpunuar, por ekonomia e tij është dobësuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.