Standard.al

Luftë kundër evazionit të pastrueseve…

0

Nga Klodian Tomorri

Qeveria e gjeti zgjidhjen e informalitetit. Kanë vendosur të ulin pragun e detyrimit për deklarimin personal të të ardhurave nga 2 milionë lekë në vit që ishte në zero.

Domethënë një pastruese që bën dy punë me nga 20 mijë lekë në muaj secila, qeveria do e detyroje të plotesojë deklaratën vjetore të të ardhurave. Kjo pastruesja sot paguan zero tatim mbi të ardhurat. Por nga viti tjetër do paguajë 1300 lekë tatim në muaj. Shpëtoi arka e shtetit.

Kjo është Republika e nxirjes së jetës. Imagjino pastruesen, elektriçistin, hidraulikun, kamerierin që bëjnë nga dy punë të plotësojnë deklaratën e të ardhurave. Çmenduri!

Ti mund jesh punonjës sezonal. Për tre muaj bën dy punë, pastaj rri 4 muaj pa punë. Pastaj fillon prapë. Në fund të vitit do të shkosh tek Tatimet dhe do të dokumentosh të gjitha rrogat, që është një çarje Trapi edhe për ata që janë ekonomistë, jo më për njerëzit e thjeshtë. Efektet anësorë të progresivizmit.

Mbani withholdig në burim dhe na lini rehat me këto, keni Perëndinë. Po ky është turp, plotëso deklaratën të të ardhurave me 40 mijë lekë të ardhura në muaj. Me kaq të ardhura, një familje është në kufirin e varfërisë, qeveria i thotë plotëso deklaratën vjetore që të marr 1 mijë lekë taksë në muaj unë.

Dërrmojini pastrueset dërrmojini. Se ata janë evazorët. Kurse pronarët e hoteleve dhe resorteve paguajnë zero lekë tatim fitimi, 6 për qind tvsh dhe hiç taksë infrastrukture.

Madje këtë vit kanë bërë dhe çudira të tjera aty në paketën fiskale. Përjashtohen koleksionistët e automjeteve nga tvsh-ja, janë të përjashtuar nga fitimi kapital dhe kane rritur komisionin që i shkon drejtorisë së transportit rrugor.

Një koleksionist ka Shqipëria. Ndaj na duhen lekët e pastrueseve që të përjashtojmë nga taksat të pasurit. Të paktën, tregohuni të ndershëm. Verini emrin paketës fiskale se aq gonxhe sa e keni bërë, bën muuuu.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.