Standard.al

Ardian Dvorani ose “njeriu i partisë”

0

Ardian Dvorani mund të cilësohet pa frikë si një ndër të paktët individë, që ka 30 vite “shërbim” në sistemin e drejtësisë. Edhe drejtësia e re, ajo që presupohej të sillte një evolucion duke synuar pavarësinë , meritokracinë dhe eficencën maksimale në sistem, nuk ja arriti që ta linte jashtë Dvoranin, kjo edhe në saj të mbështetjes së fortë që ai ka nga partia në pushtet.

Dvorani ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1988 dhe ka punuar deri në vitin 1991 si prokuror në Shkodër. Në vitet 1991-1994 ai ka qenë këshilltar ligjor pranë INSIG, ndërsa në vitet 1994-1998 ka punuar si avokat. Në vitet 1998-1999, Dvorani kreu detyrën e këshilltarit ligjor pranë Këshillit të Ministrave dhe më pas ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, funksion të cilin e ka mbajtur deri në vitin 2005. Ardian Dvorani u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë më 17 shkurt 2005, detyrë që e mbajti ilegalisht edhe për 5 vite shtesë.

Qëndrimi ilegal në Gjykatën e Lartë

Mazhoranca kishte ndryshuar ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe në nenin ku parashikohen afatet e mandatit, kishte ndërhyrë duke vendosur që një anëtar i Gjykatës së Lartë mund të ushtronte detyrën përtej mandatit 9-vjeçar, deri në momentin e zëvendësimit. Ky nen u ankimua nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Më 27 korrik 2016 Kushtetuesja merr vendim duke e shfuqizuar këtë nen dhe në arsyetimin e dhënë deklaronte se ai binte ndesh me Kushtetutën e vendit.

Çudia juridike ndodhi në gusht 2016. Në datën 11 të këtij muaji hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, ndërsa një ditë më vonë botohet në fletoren zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzonte nenin e zgjatjes së mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë. Nga ky vendim i Kushtetueses ai që prekej ishte gjyqtari Ardian Dvorani. Ardian Dvoranit i kishte përfunduar mandati që në 2014 dhe opozita në atë kohë e cilësonte të papajtueshme me Kushtetutën qëndrimin e tij në detyrë. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, gjyqtarit të lartë i “legalizohej” qëndrimi.

 Mos deklarimi i 100 milion lekëve dhe kalimi i çuditshëm i Vetingut

Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, në raportin e dorëzuar në Komisionin e Vetingut konstatoi në vitin 2018 se,Ardian Dvorani, në deklaratën e pasurisë për llogari të procesit të Vetingut, nuk kishte deklaruar llogaritë bankare prej 9,975,000 lekësh. Mosdeklarimin e kësaj shume, ILDKPKI e ka konsideruar si deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin. Po ashtu, likuiditetet e padeklaruara i ka konsideruar si fshehje pasurie.

Vetë Ardian Dvorani deklaroi para KPK-së se mosdeklarimi i llogarive bankare në deklaratën për Vetingun kishte qenë thjesht një pakujdesi ( a thua se kishte gabuar llogaritë në pazaret e shtëpisë!!!) Si u harrokën pa deklaruar 100 milionë lekë?!

Por çuditshëm,  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë  anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, edhe pse rezultoi si shkelës i ligjit me mos deklarimin e 100 milionë lekëve pasuri. Për shumë subjekte të tjera KPK ka qenë e prerë, dhe në shumë raste edhe për gjëra shumë her ëmë të vogla. Por për Dvoranin u bë “një sy qorr e një vesh shurdh”

Pasuria e Dvoranit rritet 10-fish

Dvorani zotëronte një pasuri familjare prej 1.1 milionë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është rritur me 10 herë duke kapur vlerën e 11.8 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme të familjes Dvorani kapin vlerën e 3.2 milionë lekëve. Ai zotëron një apartament në Tiranë, ndërkohë që si ai dhe bashkëshortja kanë deklaruar pjesë takuese në apartamentet familjare të përfituara nga privatizimi.  Familja Dvorani zotëron gjithashtu likujditete në bankë në vlerën e 5.9 milionë lekëve si dhe automjete në vlerën e 2.6 milionë lekëve. Të ardhurat familjare të zotit Dvorani kapin vlerën e 57.6 milionë lekëve për vitet e deklarimit 2003-2017. Të ardhurat ndahen në 38.8 për qind nga paga e tij si gjyqtar, 42.5 për qind nga të ardhurat e bashkëshortes, 6.9 për qind nga mësimdhënia dhe 11 për qind janë klasifikuar si të ardhura nga burime të tjera.

Akuzat ndaj Dvoranit

Po ti referohemi qëndrimeve të opozitës, vërejmë se akuzat ndaj Dvoranit janë të shumta, kryesisht mbështetur në profilin e tij si një prokuror i kohës së regjimit dhe sot sërish në krah të partisë në pushtet. Dhe për të qenë deri në fund të vërtetë, duhet theksuar fakti se gjithnjë Dvorani i ka qëndruar besnik pushtetit!

Kështu në një deklaratë të 28 korrikut 2018, ish-deputetja e PD në Shkodër Izmira Ulqinaku theksonte se “Ardian Dvorani, simbol i korrupsionit financiar dhe politik në sistemin e drejtësisë, me 100 milionë lekë pasuri të padeklaruar apo me, të paktën, 3 shtëpi të privatizuara në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, simboli i gjyqtarit që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të tij, është edhe simbol i persekutorit të regjimit komunist në sistemin e ri të drejtësisë.” Sipas saj “Shkodranët e njohin mirë prokurorin e diktaturës Ardian Dvorani, por çdo qytetar tjetër ka të drejtë ta dijë se Ardian Dvorani është një shërbëtor i vjetër i Partisë së Punës sa herë ajo ka qenë në pushtet, në diktaturë dhe më demokraci,me emrin Partia Socialiste apo Rilindje! Ardian Dvorani ka qenë prokurori që, 1 ditë, pas krijimit të partisë së parë opozitare në vend, pas 45 vitesh diktaturë, akuzoi për terrorizëm dhe kërkoi 15 vjet për shkodranët që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës. Më 13 Dhjetor 1990 me zellin e shërbëtorit ndaj Partisë, Ardian Dvorani, akuzoi qytetarët e pafajshëm shkodranë, që kërkonin demokraci, për  “akte terroriste kundër pushtetit popullor”.

Në një tjetër deklaratë të mëpareshme, fill pasi Dvorani kaloi vettingun pavarësisht shkeljeve me deklarimin e pasurisë, ish- deputeti demokrat, Gent Strazimiri do të deklaronte:  “Dvorani u mor në mbrojtje nga KPK-ja, pavarësisht se ai nuk justifikonte 99 milionë lekë. Në një rast të paprecedentë KPK-ja përmbysi raportin e ILDKP-së me argumentin se harroi të plotësonte një fletë. Vettingu duhet ta shkarkonte Dvoranin. Mandati i tij ka mbaruar që para 4 vjetësh. Pse gjithë kjo sakrificë për Dvoranin? Është prokuror i Partisë së Punës. Ai është ideatori i çdo vendimi të marrë ndaj opozitës gjatë qeverisjes së majtë.”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.