Thellohet kaosi me emërimet në Gjykatën kushtetuese, e kthyer në një mollë sherri, mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe shumicës së majtë qeverisëse.
Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë një lëvizje të papritur, duke u betuar te një notere.
Përpara noteres Miranda Xhemalçe, ajo ka lexuar formulën e betimit: ‘Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë’.
Presidenti Meta deklaroi mbrëmë se botimi në Fletoren zyrtare sipas tij nuk ka vlerë. ‘Çdo botim kontrabandë në Fletoren zyrtare padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin e Republikës’, u shpreh zoti Meta, i cili më parë, për të njejtën vakancë emëroi Marsida Xhaferllarin në tejkalim të afatit 30 ditor që i përcakton atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese.
Përmes zëdhënësit të tij, zotit Meta reagoi me ironi pas lajmit të betimit të zonjës Vorpsi, duke deklaruar se ‘nuk pengoj askënd të betohet as te noterja, as te parukierja’./VOA