Fundi i Shtetit! Ku e gjen guximin Ardian Dvorani?

0
132

Nga Ermal Mulosmani

Dje Presidenti i Republikës dekretoi anëtaren e radhës së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin. Vetëm para dy ditësh Kuvendi miratoi me 105 vota dy anëtare të tjera të saj, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji. Përpara një muaji Presidenti kishte emëruar edhe Besnik Muçin dhe gjithçka në pamje të parë duket në rrjedhën më normale të mundshme, palët që emërojnë anëtarët e Gjykatës së re po shfaqin një vullnet të lavdërueshëm për t’iu përgjigjur në kohë vullnetit ndërkombëtar por edhe opinionit publik për një emërim sa më të shpejtë dhe zhbllokim të punës së Gjykatës themelore në funksionimin normal të shtetit.

Presidenti i Republikës ka konflikt interesi me Gjykatën Kushtetuese, kjo është një gjë fare e qartë. Sapo të ngrihet kjo Gjykatë, çështja më e ndjeshme dhe e shpejtë që do të gjykojë do të jetë: “A e ka shkelur  Kushtetutën e Shqipërisë Presidenti i Republikës  dhe a vlen vendimi i Parlamentit për shkarkimin e tij”. Nisur nga kjo premisë, emërimi i anëtarëve të kësaj Gjykate nga Ilir Meta paraqet konflikt të pastër interesi. Atëherë çfarë bëhet në këto raste? Si t’ia heqim mundësinë Ilir Metës për të emëruar anëtarët e preferuar të Kushtetutës?!

Fare thjesht, duke e shkelur Kushtetutën!

Atij i çojmë dy lista me nga tre kandidatë, secilët nga kandidaturat e dërguara të preferuar të maxhorancës dhe ai të zgjedhë kë të dojë. Ia çojmë të dyja listat së bashku, në të njëjtën ditë dhe presim se çfarë do të bëjë. Kushtetuta thotë krejt të kundërtën:

Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Në të vërtetë Ilir Meta e emëroi anëtarin e parë të Gjykatës vetëm 6 ditë pasi lista me tre kandidatë i mbërriti në zyrën e tij. Besnik Muçi u emërua me 16 Tetor 2019 ndërkohë që lista mbërriti me 10 Tetor duke përgënjeshtruar kështu opinionin që Presdienti do ta sabotojë emërimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse ai kishte 30 ditë në dispozicion mori vetëm 6 prej tyre.

Tashmë ishte radha e Parlamentit të miratonte anëtarin e radhës. Nëse Parlamenti do të zgjidhte kandidatin e radhës, atëherë, lista që do të mbërrinte te Presdienti do të rishqyrtohej pasi do hiqej anëtari i sapozgjedhur nga Parlamenti. Ky fakt çonte ujë në burimin e Presidentit pasi do të përfshihej në listën e re Marsida Xhaferllari, e renditura e katërta. Atëherë si t’ia bëjmë që të mos e lëmë Presidentin të zgjedhë?

Në këtë moment futet Ardian Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi militant që nuk pyet për Kushtetutë. Me dorën e tij ai i dërgon në të njëjtën ditë, pra me 10 Tetor 2016, Presidentit të Republikës, dy lista me nga 3 anëtarë prej nga ky i fundit do të zgjidhte dy anëtarët e tij. Ndërkohë, Parlamentit i dërgon po dy lista me nga tre kandidatë por të distancuar në kohë, me datën 14 Tetor. Pra 4 ditë më vonë. Ishte llogaritur që sapo afati 30 ditor i Presidentit të mbyllet(data 10 Nëntor), Parlamenti mblidhet me urgjencë dhe zgjedh kandidaturat e tij. A thua nuk mund ta bënte këtë punë nga data 14 Tetor deri me 10 Nëntor. Ishte një lojë diabolike!

Presidenti u vu përpara faktit: Nëse do i zgjidhte të dy anëtarët e Gjykatës menjëherë, do i thoshin po vazhdon shkeljet e Kushtetutës, nëse zgjedh vetëm njërin,(siç thotë Kushtetuta), atëherë, me mbarimin e afatit 30 ditor do ia bënin fakt emërimin e Arta Vorpsit që automatikisht merr emërimin nga mosshprehja e Presidentit.

Dhe ashtu u bë. Të nesërmen e mbarimit të afatit të Presdientit u mblodh me urgjencë Parlamenti dhe emëroi jo  një siç thotë Kushtetuta por dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese! Pra e shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën, për këtë nuk ka nevojë të jesh jurist ta kuptosh, mjafton të lexosh ligjin kushtetues 76/2016, nenin 179 pika 2 të tij. Kjo shkelje e Kushtetutës u bë me bekimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që vrapuan ta përgëzonin vendimin e Parlamentit.

Është e qartë që vendimi i Parlamentit ishte nxitur nga këto dy institucione madhore për fatet e Shqipërisë. Kushtetuta në këtë rast është një copë letër e panevojshme. Sejmenët e pushtetit në studio televizive filluan të bënin avokatinë e shkeljes së Kushtetutës me po të njëjtin zell që kanë bërë mbrojtjen e saj. Ilir Meta duhej vizatuar si armiku i Gjykatës Kushtetuese, i Reformës në Drejtësi, delja e zezë e Amerikës dhe përparimit të Shqipërisë.

Kjo mënyrë zgjedhjeje, në shkelje të hapur të Kushtetutës, me bekimin e Amerikës dhe Bashkimit Evropian është një paralajmërim i qartë i asaj çfarë do të ndodhë më pas. Sipas gjitha gjasave, Presidenti i Republikës do të shkarkohet nga kjo Gjykatë. Më në fund, Edi Rama do t’i ketë të gjitha pushtetet, pa asnjë kufizim.

Me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kjo ka rëndësi të thuhet. Pas kësaj jo Astirianët e ngratë por edhe çdo shqiptar duhet të matet mirë kur të flasë për Kryeministrin. Ai është i lidhur me ata lart, ku pyet Ai për ne tokësorët…/ Gazeta Express/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here