Ambasadorët kryesorë “zbarkojnë” në selinë e PD

0
95

 

MARIGLEN KUME/ Ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri “zbarkuan” dje pasdite në selinë e Partisë Demokratike, ku zhvilluan një takim për rreth 90 minuta me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

E ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses-Ones
E ngarkuara me punë e SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses-Ones

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe detajet ishin të pakta, por burime nga selia blu thanë se tema kryesore e diskutimit ishte Reforma Zgjedhore, kriza politike dhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në takim ishin të pranishëm ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, dhe e fundit mbërriti e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla MosesOnes. Sakaq, mësohet se takimi mes përfaqësuesve më të rëndësishëm të selive diplomatike në Tiranë dhe kryedemokratit ishte i planifikuar ditë më parë.

REFORMA ZGJEDHORE

Prej tri javësh, opozita e bashkuar ka ngritur grupin e saj të punës, i cili po punon për draftin e saj të Reformës Zgjedhore, paralelisht me Komisionin Parlamentar. PD dhe aleatët nuk e njohin Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndaj në tryezën e iniciuar nga OSBE/ ODHIR propozuan një mekanizëm tjetër për të ulur bashkë maxhorancën dhe opozitën që të dalë në një draft final për Kodin Zgjedhor. Thelbi i propozimit të opozitës ishte shkrirja e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritja e një mekanizmi, i cili do të drejtohej nga ndërkombëtarët dhe me pjesëmarrjen e të gjithë partive politike.

Propozim ky që u refuzua nga maxhoranca me argumentin e artikuluar publikisht nga Kryeministri se nuk është nevoja për përkthyes kur mund të merren vesh në gjuhën e tyre. Mosdakordësimi për këtë pikë ka mbajtur palët larg sa i përket arritjes së një dialogu për Reformën Zgjedhore. E ndërsa maxhoranca ka vijuar punën në Komisionin Parlamentar me deputetët e rinj, opozita krijoi pak javë grupin e punës për Reformën Zgjedhore, i cili drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Ndërkohë, ky i fundit krijoi tri nëngrupe që po merren me oponencën e draftit të maxhorancës, me reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it dhe propozimet e tyre, si dhe po diskutojnë për çështjet që kërkojnë vullnet politik, siç është ndryshimi i sistemit.

Gazeta “Panorama” zbardhi draftin e opozitës për çështjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore. Financimi i partive është problematika kryesore, që adresohet në draftin e PD-së.

“Ndërhyrje ligjore që siguron që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet, të jetë 100% nga buxheti i shtetit, me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Paralelisht me këtë, propozohet kriminalizimi i financimeve private”, thuhet në pikën e parë të draftit të PDsë. Partia më e madhe opozitare ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë një listë kostosh reference të detyrueshme, për materiale, infrastrukturë apo aktivitete zgjedhore, me qëllim matjen e shpenzimeve për një kandidat/parti në fushatën zgjedhore.

Po ashtu, PD-ja kërkon që të përcaktohen kriteret e llogaritjes së financimit për një mandat, në mënyrë që të përllogaritet edhe buxheti vjetor i partive.

Burimet i thanë gazetës “Panorama” se opozita ka gati edhe draftin, sa u përket identifikimit biometrik, votimit dhe numërimit elektronik. Opozita është e unifikuar në mendimin se që votimi elektronik të ketë sukses, duhet të implementohet në të gjithë vendin.

PROPOZIMET E GRUPIT TË PUNËS

Opozita mblodhi ditën e hënë grupin e punës për Reformën Zgjedhore. Në përfundim të takimit, ish-deputeti Oerd Bylykbashi, i cili drejtoi edhe mbledhjen, tha se diskutuan për platformën e votimit, numërimit dhe identifikimit elektronik, propozimet lidhur me shmangien e votimeve familjare, listat e zgjedhësve dhe për regjistrin e gjendjes civile. “Ka propozime konkrete, sa u përket identifikimit biometrik, votimit dhe numërimit elektronik. Është goxha i avancuar si propozim. Është një zgjedhje që do na ndihmojnë të luftojmë shitblerjen e votës”, tha Bylykbashi pas takimit.

OSBE PRITET TË PËRPUTHË PROPOZIMET E PALËVE

Nga njëra anë maxhoranca dhe nga ana tjetër opozita, të dyja po punojnë paralelisht për të përgatitur një draft të tyrin të Reformës Zgjedhore. Referuar deklaratave publike të bëra nga bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore nga ana e maxhorancës, Damian Gjiknuri, dhe deklaratave të opozitës, palët duket se janë larg një dakordësie për të dialoguar. Ndërkohë, sipas burimeve nga të dyja palët, institucioni i OSBE-së pritet të jetë ai që do të bëjë bashkë palët për të miratuar një draft të përbashkët.

PANORAMA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here