‘Fëmijët e ISIS’, mijëra si Alvini dhe Hadizha në ferrin e Kalifatit, që fundi i lumtur s’do t’u vijë kurrë

0
82

Për një histori “me fund të lumtur”  ka me qindra, mijëra të tjerë duke pritur një “happy end” dhe që mbase nuk do të vijë kurrë. Është historia e “fëmijëve të ISIS”.

Historia me fund të lumtur është ajo e Alvin Berishës, 11 vjeç. Gjashtë vite më parë, fëmija u rrëmbye nga nëna e tij në Itali, e cila u radikalizua në Itali dhe u nis për në Siri për t’u bashkuar me luftëtarët e ISIS. Valbona Berisha më vonë vdiq në Siri, gjatë një bombardimi dhe Alvini jetoi në të ashtuquajturin “ zonë e jetimëve” në kampin Al Hol në Siri.

Hetimet në nivel ndërkombëtar çuan në gjetjen e fëmijës në kampin e kontrolluar nga kurdët, që është strehë për më shumë se 70 mijë persona, kryesisht bashkëshorte dhe fëmijë të luftëtarëve xhihadistë të burgosur. Tani Alvin pritet të përqafojë babanë e tij. Pas ai lë pas një situatë pa shpresë, ku fëmijëria është zhdukur.

“Kushtet e fëmijëve në kampe si Al Hol janë shqetësuese” thotë Drejtorja Ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore, e cila tha se ishte në ankth për situatën katastrofike ku ata janë të detyruar të jetojnë brenda kampeve të refugjatëve, qendrave të paraburgimit dhe jetimoreve, ku mirëqënia, shëndeti dhe siguria e tyre është vazhdimisht e kërcënuar.

Sipas vlerësimeve të UNICEF, vetëm në Siri duhet të jenë rreth 29 mijë fëmijë të huaj, shumë prej të cilëve nën moshën 12 vjeç.

Nga këta, 20 mijë irakianë, ndërsa 9000 të tjerë nga rreth 60 vende të botës.

Këtyre fëmijëve u shtohen edhe rreth 1000 fëmijë, bij të luftëtarëve të huaj që jetojnë në Irak.

Shumica e këtyre fëmijëve kanë lindur në territorin e Irakut ose janë sjellë nga prindërit e tyre, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Të tjerë, kryesisht meshkujt, janë detyruar të bashkohen me grupe të armatosura.

Cilado qoftë arsyeja pse ata ndodhet në kampet kurde, “të gjithë janë viktima të rrethanave tragjike dhe të dhunimit të të drejtave të tyre, – thotë zonja Fore, – dhe ata duhet të trajtohen si fëmijë.”

Riatdhesimi i këtyre të miturve është problematik. Deri më tani, një pjesë e vogël, rreth 270, janë riatdhesuar.

Shumë prej tyre kanë lindur në territoret që kanë qenë kontrulluar nga ISIS dhe nuk kanë dokumente të vlefshme identiteti të origjinës së prindërve të tyre.

Shpesh, shteti në të cilin gjenden nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendet e origjinës së prindërve të tyre dhe kjo e bën kthimin e tyre edhe më të ndërlikuar.

“Fëmijët e akuzuar për lidhje me ISIS, shpesh torturohen dhe përndiqen, duke u injoruar arsyeja e vërtetë e përfshirjes së tyre në grup,” thotë Jo Becker, zyrtari për të drejtat e fëmijëve në Human Right Ëqatch.

“Kjo sjellje radikale ndëshkuese do të japë pasoja negative gjatë gjithë jetës për shumë prej atyre fëmijëve,’ shto ai.

“Këta fëmijë dhe të rinj shihen me dyshim, akuzohen si fëmijë të ISIS ose fëmijë të mëkatit dhe për këtë arsye janë braktisur nga familjet e tyre. Kështu veprojnë edhe nënat e tyre.

Të diskriminuar dhe të margjinalizuar, ata kanë nevojë për gjithçka: ujë, ilaçe, mbështetje psikologjike dhe mbi të gjitha një emër dhe një të ardhme,” thotë Binan Kayyali, psikologj dhe psikoterapist.

Andrew Krames, një gazetar i New York Times, ka treguar historinë e fëmijëve të kthyer në Çeçeni dhe vështirësitë e familjeve të tyre për t’i kthyer ata në jetën normale.

Shumë nga ata, pavarësisht terapive, kanë vazhduar të tregojnë shenja të traumë që kaluan në Siri dhe në Irak.

Hadizha, për shembull, është një vajzë 8 vjeçe që u gjet në rrugë në Mosul me djegie në trup.

Ajo u njoh nga gjyshja e saj falë një fotografie të saj të publikuar në internet dhe më pas u kthye në shtëpi, në qytetin çeçen ku kishte lindur. Duket se e gjithë familja e saj ishte vrarë: nëna, vëllezërit dhe një motër.

Gjyshja tregoi se Hadizha, në momentin kur po e shpëtonin, ngriti duart lart dhe u lut arabisht: Mos më qëllo!

Sot Hadizha e kalon pjesën më të madhe të kohës, e përkulur në divanin e gjyshes së saj, me vështrim të përhumbur dhe të zemëruar, ndërsa shikon filmat vizatimorë në televizion.

Alvin, Hadizha, mbase një ditë do të jenë në gjendje të harrojnë, por nuk do ta gjejnë më kurrë fëmijërinë e humbur.

Image

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here