Fajin e ka Arkimedi

0
163

Nga Edmond Tupja

Para disa ditësh, tek pija çaj me një mik të ditur që e ka pasion lojën e rimave, filluam ta luanim me emra njerëzish të njohur në fusha të tilla si shkencat, filozofia artet e letërsia, por edhe politika, ndër të tjera. Kur njëri prej nesh shqiptonte me zë të lartë një emër, tjetri duhej t’i përgjigjej brenda një minute me një emër që të rimonte me të parin.

Po luanin prej rreth një çerek ore, kur miku im u hodh e tha, duke më shkelur syrin: “Arkimedi”; në çast u orvata të gjeja një emër personaliteti po aq të njohur, veçse, mjerisht, emrat që më propozonte kujtesa nuk rimonin me emrin e Arkimedit; fillimisht më erdhën në majë të gjuhës vetëm dy shprehje të famshme të Luigjit XIV, njëri prej mbretërve të Francës: “Unë jam shteti” dhe “Pas meje, u bëftë kiameti!”, që rimonin deri diku me emrin “Arkimedi”, por më duhej një emër dhe jo një fjali; atëherë e shtrydha mirë e mirë kujtesën, kështu që, si përfundim, tek ndieja që minuta ime po shkërmoqte pa pikë mëshire sekondat e saj të fundit, dëgjova që më doli nga goja “Rama Edi”, por, sidoqoftë, me tri a katër sekonda vonesë, prandaj, siç e kishim bërë me fjalë, unë, humbësi, i pagova çajin fitimtarit.

Arkimedi, Rama Edi! Rimë e përkryer! Si dy vargje të rregullta me të njëjtin numër rrokjesh secili. E shikoni, të dashura lexuese dhe të respektuar lexues të kësaj rubrike, sa të kushtëzuar jemi, duam apo s’duam, nga politika tejet e pranishme në jetën tonë të përditshme, të përvitshme dhe aq pak të lavdishme: Politika ndërhyn deri te poezia! Lejomëni, megjithatë, t’i kthehem Arkimedit, i cili, për ato e ata që i kanë kryer seriozisht studimet e mesme, nuk është aspak i panjohur. Sipas Teoremës së Arkimedit, njëri prej parimeve themelore të hidrostatikës është se çdo trup i zhytur në një lëng në gjendje qetësie, pëson një shtysë vertikale (e quajtur shtysa e Arkimedit), që drejtohet nga poshtë lart, të barabartë me peshën e lëngut të zhvendosur, dhe që ushtrohet te qendra e rëndesës së këtij trupi.

 

Çuditërisht, ky parim qenka i vlefshëm edhe në kuadrin e politikës së ndjekur aktualisht në Shqipërinë tonë të shkarravitur, duke e këqyrur këtë në kushtet e ngrohjes globale të rruzullit tokësor. Përse kështu? Sepse Kryeministri Rama dhe ministret e ministrat e qeverisë së tij, këtë verë sidomos, për shkak të vuajtjes nga vapa trupore dhe nga ajo mendore, duhet të kenë gjetur njëfarë lehtësimi jo vetëm te dushi, por edhe, veçanërisht, te vaska, duke u zhytur atje ashtu si i ka bërë nëna, pra me kostumin e Evës/Havasë dhe me atë të Adamit/ Ademit; fillimisht, ato dhe ata janë shpëlarë, pastaj janë sapunisur, mandej janë fërkuar me shparcë në të gjitha vendet, qoshet, këndet, rrëzat, skutat e skajet e trupit (po në ato të shpirtit?), më tej janë pudrosur, kremosur e parfumosur, por, sigurisht, pa u shkuar mendja te Teorema e famshme e Arkimedit, që figuron në krye të këtij paragrafi.

Tani, të dashur lexuese dhe të respektuar lexues, mos u druani, kini besim tek unë dhe bëni një përpjekje për ta përfytyruar secilin prej atyre në vaskën e vet! Çfarë vini re? Pa diskutim po atë që do të bënit edhe vetë ju në të njëjtën rrethanë. Po, po, ju vini re që sa më shumë zhyten ato dhe ata në vaskë, aq më tepër uji i afrohet buzës së vaskës, ndërsa kur nxjerrin njërin krah për të marrë aty pranë, fare pranë ndonjë gotë me pije freskuese (mundësisht me shampanjë), uji e ul nivelin e tij pasi ka vizituar gjithë minihapësirat më intime të trupave ministrorë dhe, kryesisht, sidomos e në veçanti të atij kryeministror! Uji, po, uji, aq i paturpshëm dhe, njëherazi, aq freskues, aq ledhatues, aq tundues deri në dehashpirt! Pastaj vjen një moment që të dyja duart zhyten njëherazi, gati instinktivisht, pra, gati pa dijeninë e trurit, në fund të vaskës, diku te baqthi, dhe atëherë…

Ah, Arkimed, mor Arkimed, me keqardhje më duhet të të njoftoj që në formulimin e teoremës sate mungon diçka, sepse ajo shtysa jote vertikale që nga poshtë lart dhe që ushtrohet te qendra e rëndesës së trupit të njeriut, femër apo mashkull qoftë ai, qenka një mrekulli e mirëfilltë që, me tendosjen e saj të papërballueshme, hapka dyert e ekstazës më këndellëse jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen e gjithë njerëzve, përfshirë kryesisht, sidomos e në veçanti, qeveritaret e qeveritarët tanë, pa harruar kryeministrin (që mendon si Luigji XIV), të cilat e të cilët kanë vite që lodhen, sfiliten, rropaten, rraskapiten, çapëlohen, zgërlaqen, shkalafiten, shkalafenden e shkokërdhohen zyrave, brenda e jashtë shtetit, për të mirën e popullit tonë qejfli që bën pallë në kurrizin të tyre. A nuk e meritojnë plotësisht, pra, ato dhe ata që të vënë në praktikë orë e çast teoremën tënde, o Arkimed?

Për këtë arsye, miku dhe fqinji im i kahershëm Aqif Qifa, zotëri qibar dhe mendjeqiqër, që banon me qira përballë kryeministrisë, është i mendimit që çdo zyrë e kryeministrisë dhe e ministrive, duhet patjetër të pajiset me vaska dhe me tërë aksesorët e nevojshëm për zbatimin konkret të teoremës së Arkimedit nga ana e titullareve dhe e titullarëve të këtyre institucioneve të adhuruara në të mirë të popullit tonë lumturisht të lumtur dhe kryekëput kryelartë për qeveritaret dhe qeveritarët sqimatarë që ka!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here