Standard.al

Të gjitha projektet që do të nisni… Ja parashikimi i horoskopit nga Paolo Fox

0

Dashi

Ky do të jetë një muaj i shkëlqyer për raportet me të tjerët. Jupiteri ka një ndikim të shkëlqyer në shenjën tuaj, por të mos harrojmë se edhe Venusi është aktiv që ditën e parë të nëntorit, ja pse takimet e punës janë të favorizuara. E premtja e datës 8 është idealja për të bërë kërkesa. Kush punon në fusha krijuese do të ketë mundësinë të nisë projekte të reja afatgjata. Do të kapërcehen pengesat e tetorit në lidhje me nënshkrimin e kontratave. Vitin e kaluar ju kam kërkuar që të bëni kujdes me bashkëpunëtorët, por tani duhet të jeni më të çlirët. Do ta keni më të lehtë t’i eliminoni njerëzit që ju hapin probleme. Gjatë dhjetë ditëve të fundit të nëntorit do t’ju mbrojë edhe Dielli. Datat më të rëndësishme janë 26 dhe 27.

Çiftet e konsoliduara prej kohësh tani mund të mendojnë edhe për një fëmijë apo për të ndryshuar shtëpi, gjëra që do të realizohen brenda marsit të vitit 2020. Ndërsa për marrëdhëniet që janë prej kohësh në krizë nuk ka shumë për të thënë. Jepini fund! Krahasuar me të shkuarën, keni ndryshuar shumë. Tani mendoni më shumë për të ardhmen dhe nuk u kushtoni rëndësi xhelozive të kota. Me Venusin në shenjën tuaj, joshja juaj as që diskutohet. Edhe zemrat e vetmuara do të kenë shumë mundësi. Nëse në krah keni personin e duhur, do të nisni projekte afatgjata me partnerët. Fati shpeshherë është treguar i ashpër me ju në fushën e ndjenjave, por yjet tanimë janë në favorin tuaj. Venusi dhe Jupiteri dhurojnë shpresa shumë të mira në aspektin psikofizik. Ju jeni plotësisht të pavarur dhe shumë krenarë. Ja pse nuk reshtni nga mëngjesi deri në darkë, jeni shumë aktivë. Ruajini forcat edhe për vete. Terapitë janë të favorizuara më shumë pas datës 22.

Demi

Edhe pse ky vit parashikohej i shkëlqyer në aspektin profesional, këto tri javët e fundit keni përjetuar disa pasiguri ose keni kuptuar se disa projekte duhen perfeksionuar. Jo të gjithë bashkëpunëtorët apo kolegët tuaj ju mbështesin, ja pse fillimi i nëntorit do të vërë në diskutim disa zgjedhje tuajat. Do t’u jepni fund disa marrëdhënieve që nuk ia vlejnë. Datat më problematike do të jenë 4 dhe 5. Shmangini debatet e kota. Përpiquni të përdorni diplomacinë. Pas datës 20 nis një periudhë shumë e tensionuar për shkak të Marsit që është kundër jush. Kush nga ju ka një aktivitet privat, të gjejë një mënyrë tjetër për të investuar paratë.

Viti 2019 vazhdon të jetë i favorizuar në fushën e ndjenjave, por edhe kur yjet janë të shkëlqyera, prapë mund të hasemi me disa gjëra të vogla që për momentin na duken pengesa të pakapërcyeshme. Mos lejoni që pasiguritë e lindura gjatë muajit tetor të ndikojnë te ju edhe këtë muaj. Kapërcejeni këtë periudhë të tensionuar. Problemet ekonomike në çift janë ato që mbizotërojnë më shumë. Kushtojuni vëmendjen e duhur. Nëse vitin e kaluar jeni ndarë, do të nisni sërish një luftë të heshtur me ish-partnerët. Kujdes maksimal më datë 25, pasi java e fundit e nëntorit sjell debate për ata që janë në krizë. Kjo vlen edhe nëse i dashuroni shumë partnerët. Do t’i vini me shpatulla për muri duke menduar se s’janë të sinqertë. Vërini fre xhelozisë. Që prej tetorit nuk ndiheni mirë fizikisht, sikur energjitë ju kanë lënë. Është e rëndësishme të harroni atë që ka ndodhur javët e fundit. Ndiheni të lodhur. Një vizitë te mjeku do t’ju ndihmojë shumë. Në datat 19 dhe 30 do të mbizotërojë tensioni.

Binjakët

Kjo është një periudhë konfirmimesh, por edhe ndryshimesh pozitive. Jupiteri do të kalojë në favorin tuaj vetëm pas disa javësh. Shumë nga të lindurit në këtë shenjë kanë kaluar një periudhë të mbushur me ankth, sidomos ata që kanë luftuar për të ruajtur vendin e tyre të punës. Data 14 është më e favorshmja, datë kur Hëna do të jetë në shenjën tuaj. Mundësitë nuk do të mungojnë. Të rinjtë do të nisin projekte që më parë s’i kishin menduar. Ju këshilloj të kërkoni qetësinë, pasi edhe nga ana financiare parashikohen përmirësime. Lëreni pas krahëve të shkuarën. Ata që kanë punuar fort, tani do të korrin frytet e punës së tyre.

Në nëntor, fusha e ndjenjave kërkon disi më shumë kujdes, pasi jeni përqendruar shumë në aspektin profesional. Disa nga ju janë zhgënjyer në marrëdhënie, por përpiquni të mos mbani mëri. Mos nisni më kot histori të reja vetëm sa për të pasur dikë në krah apo thjesht sa për t’u marrë me dikë. Çiftet që punojnë bashkë tanimë e kanë kaluar krizën e mesit të vitit, më e keqja ka kaluar. Nëntori sjell disa tensione, por të kapërcyeshme. Disa nga ju do të mbyllin problemet ligjore me ish-partnerët. Është periudha e duhur për t’i dhënë duart një të treti që ju shqetëson në marrëdhënie. Gjërat në dhjetor do të shkojnë më mirë. Stresi ka filluar të ndihet dhe jo gjithmonë arrini ta mbani në kontroll. Zakonisht, të lindurit në shenjën e Binjakëve nuk dinë t’i kapërcejnë problemet e befasishme, pasi duan të jetë parapërgatitur. Kur keni më shumë punë se zakonisht, shndërroheni në sipërfaqësorë dhe u largoheni problemeve. Prisni derisa Jupiteri të bëhet aleati juaj.

Gaforrja

Të gjitha projektet që do të nisni në këtë periudhë mund të dështojnë vitin tjetër. Nuk e keni pasur të lehtë të hiqni dorë nga diçka me rëndësi për ju. Që prej muajit maj ka nisur një transformim i madh në jetën tuaj profesionale. Dielli dhe Mërkuri do t’ju ndihmojnë. Datat më të favorshme janë 6, 7 dhe 15. Shpirti juaj është gjithmonë i trazuar. Dëshironi më shumë. Nëse i krahasojmë gjërat me fillimin e 2019-ës, do të kuptoni se tanimë keni arritur më shumë. Keni lënë disa gjëra pa sqaruar me ish-punëdhënësit tuaj.

Nëntori do të jetë një muaj i qetë në fushën e ndjenjave. Ujërat do të trazohen pas datës 20. Në fund të muajit, Marsi do të nisë një kalim shumë të vlefshëm në shenjën tuaj. Marrëdhëniet e sapokrijuara duhen trajtuar me kujdes. Çiftet e konsoliduara prej kohësh nuk heqin dorë nga partnerët, pasi për ta përfaqësojnë qëndrueshmëri. E megjithatë, me mendje do të imagjinoni gjëra të ndryshme. Takimet e reja janë të favorizuara, sidomos ato në internet, por mos harroni se kujdesi s’është asnjëherë i tepërt. Një lidhje e krijuar në maj të këtij viti mund të finalizohet në diçka shumë të rëndësishme në 2020-ën. Duhet pak kohë, por e rëndësishme është të dini se gjërat po shkojnë drejt përmirësimit. Pjesa e dytë e nëntorit sjell një rikuperim të ndjeshëm psikofizik. Marsi dhe Hëna do të kenë një ndikim të shkëlqyer më datë 25, një ditë ideale për të nisur terapi të ndryshme. Stomaku vazhdon të jetë pika juaj e dobët, ndaj bëni kujdes me mënyrën si ushqeheni dhe shmangni situatat e tejzgjatura stresuese. Nëse lind nevoja, filloni edhe një dietë të veçantë, pasi Jupiteri nuk do t’ju mbështesë shumë.

Luani

Në aspektin profesional do të ndieni një rivalitet të madh. Edhe pse presioni është i madh, ju vazhdoni të qëndroni në avantazh dhe do të debatoni me këdo nëse mendoni se s’keni hapësirat e duhura për të vepruar. Nëse disa probleme nuk janë zgjidhur në tetor, do të rikthehen dhe debatet me eprorët nuk do të mungojnë. Vështirë se të tjerët do të arrijnë t’ju pengojnë. Data 11 do të jetë shumë e tensionuar. Nëse ndiheni të pakënaqur, do të thotë se puna që bëni nuk është më për ju.  Për ju, konkurrenca është si bukë e djathë, por kur jo të gjithë i ndjekin rregullat, atëherë ktheni kokën nga ana tjetër. Mendohuni mirë para se të prishni një marrëveshje. Gjatë fillimit të muajit do të ndiheni shumë nervozë.

Tensionet e forta në punë me karakter ekonomik nuk duhet të ndikojnë edhe në fushën e ndjenjave. E keni të vështirë të ruani qetësinë edhe në çift. Për shkak të debateve dhe zërit të ngritur pa qenë nevoja, rrezikoni t’i jepni fund një lidhjeje të mirë. Do të rikthehen debatet e vjetra, sidomos me të lindurit në shenjën e Demit dhe Akrepit. Një “ish” mund të bëhet i/e gjallë pas shumë kohësh. Marrëdhëniet e krijuara në këtë periudhë duken më shumë si lidhje nga inati sesa të ndjera. Datat 18 dhe 21 janë të favorizuara për të sqaruar çështjet familjare të lëna pezull. Tensioni i madh që ka nisur që prej tetorit zbutet disi falë Venusit, por mbeten ende shumë probleme për të zgjidhur. Gjendja juaj fizike nuk është idealja, ndaj mos udhëtoni apo ndërmerrni nisma që kërkojnë mund. Kujdes maksimal gjatë javës së fundit të muajit. Mbani nën kontroll ankthin apo takikarditë, prej të cilave vuani shpesh.

Virgjëresha

Ky do të jetë muaji i vendimeve drastike. Jupiteri i afrohet shenjës suaj dhe ka një aspekt të shkëlqyer pasi ju ka penguar për disa muaj. Paradoksi është se tanimë gjithçka mund t’ju ketë lodhur dhe jeni gati t’i çoni gjërat në djall duke e humbur toruan shumë shpejt. Ndryshimet janë të favorizuara. Ata që janë prej muajsh në pritje për të zgjidhur një çështje ligjore, do të marrin përgjigje pozitive ose një kompensim. Studentët gjithashtu janë të favorizuar për të gjetur punë, qoftë edhe me kohë të pjesshme.

Të dashuruarit do të konfirmojnë ndjenjat e tyre. Këtë muaj do ta pyesni mirë veten se çfarë dëshironi në të vërtetë. Do të kërkoni qetësinë shpirtërore me çdo kusht. Yjet favorizojnë ata që janë vetëm, por bëni kujdes nga një problem në familje. Një i afërm do të ketë probleme shëndetësore. Datat 6, 7, 14 dhe 15 do të jenë shumë angazhuese. Nëntori nuk do të sjellë lidhje të reja. Ata që janë të ndarë mes dy historish, do të marrin një vendim përfundimtar. Fundi i muajit do të jetë më i mirë. Është shumë e rëndësishme që këto ditë të tregoheni pozitivë. Martesat janë të favorizuara. Tensioni është i lartë dhe disa ditë do të jenë vërtet elektrizuese. Nuk përjashtoj faktin se në familje do të mungojnë debatet dhe kjo gjë do t’ju stresojë shumë. Kujdes maksimal më datë 6, sidomos në aspektin psikofizik. Sa më shumë t’i afrohemi fundvitit, aq më shumë do të shtohen mundësitë për ju.

Peshorja

Do t’u jepni fund të gjitha çështjeve që për ju janë problematike. Nëse mendoni se brenda kompanisë ku punoni nuk ka më vend për ju, hidhni sytë përreth dhe do të zbuloni gjëra ndryshe nga të zakonshmet. Nëse punoni me familjarë, lind nevoja të reflektoni për ambiciet dhe rolin tuaj. Disa prej jush do të thonë “jo”. Kujdesuni shumë për fizikun tuaj, pasi prej kohësh nuk ndiheni mirë dhe lodhja do të bëhet e padurueshme. Shitblerjet janë të favorizuara. Kujdes me investimet me shuma të mëdha parash, sidomos në fillim të dhjetorit. Do t’i jepni fund një bashkëpunimi të panevojshëm.

Historitë e dashurisë që janë mbyllur së fundmi do t’i harroni me kalimin e kohës, sepse duke nisur që prej dhjetorit do të jetë më e lehtë t’i ktheheni rutinës suaj. Jeni në prag të një faze ndryshimesh të mëdha që nuk ndikon vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë të ndjenjave. Debatet në familje do ta bëjnë më të vështirë marrëdhënien prind-fëmijë, sidomos nëse arsyeja është një ndarje pronash. Kjo fazë e paqëndrueshme duhet trajtuar me shumë kujdes. Sigurisht që jo të gjitha çiftet do të kenë probleme, por mos hidhni hapa të gabuar. Tradhtitë do të zbulohen shumë kollaj. Gjeni një zgjidhje me partnerët nëse keni debate për edukimin e fëmijëve tuaj. Ky është momenti i zgjedhjeve të rëndësishme. Kohët e fundit jeni shumë të zënë me punë, ja pse forma juaj fizike është e paqëndrueshme. Shqetësimet me karakter ekonomik ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale dhe në ekuilibrin shëndetësor. Kujdes nga çdo gjë që bëhet me tepri, sidomos nëse prej kohësh po bëni një punë që nuk ju dhuron kënaqësi, por që kërkon shumë angazhim.

Akrepi

Muajt e fundit të 2019-ës do të jenë shumë interesantë. Madje edhe Urani, planeti juaj armik, do t’ju mbështesë dhe ju do të përjetoni një zhvillim personal në shumë fusha. Falë përvojës së gjatë në një kompani tjetër, tani do të keni rolin që dëshironit prej kohësh. Kjo periudhë do të jetë interesante edhe për ata që punojnë në fusha krijuese. Studentët do ta kenë më të lehtë të zgjedhin me çfarë duan të merren. Projektet e reja do të jenë frytdhënëse falë Mërkurit që kalon në shenjën tuaj këtë muaj. Intuita juaj do të jetë e mprehtë. Tani jeni gati t’ia nisni nga e para nëse në të kaluarën keni pasur probleme. Do të çliroheni nga një barrë që ju bezdiste prej kohësh.

Yjet favorizojnë shumë martesat dhe bashkëjetesat këtë muaj. Edhe pse zakonisht martesat organizohen gjatë verës, shumë nga ju do ta shohin vjeshtën si stinën e duhur për të zyrtarizuar një dashuri të madhe. Të lindurit në shenjën tuaj dashurohen shpesh me njerëz të pasigurt, ja pse shpeshherë keni konflikte në çift. Këtë muaj do të dalin në pah cilësitë tuaja më të mira. Ata që kanë kaluar një krizë, këtë muaj do të rifitojnë besimin e humbur dhe dëshirën për të dashuruar sërish. Pasioni do të shtohet shumë, sidomos në datën 19. Periudha është e favorshme edhe për çiftet që duan të bëhen me fëmijë. Me yjet që ju mbështesin kaq shumë, mund të ndodhë gjithçka. Është e vërtetë se viti ka nisur me probleme dhe ju vetë ndiheni të lodhur fizikisht. Ky është momenti i rimëkëmbjes. Pikat e dobëta të të lindurve në shenjën tuaj janë irritimet e papritura, që vijnë si pasojë e emocioneve që i mbani përbrenda prej shumë kohësh.

Shigjetari

Venusi dhe Jupiteri tashmë janë në shenjën tuaj, por më datë 22 do të kalojë edhe Dielli, i cili do t’i japë dritë jetës suaj. Ky është një moment force për të gjithë ata që synojnë më lart. Hezitimet që kishit gjatë shtatorit tanimë janë zhdukur plotësisht, një avantazh ky për të gjithë ata që kanë nisur një projekt të ri. Nëse jeni në moshë të madhe dhe keni kursyer para, do të mendoni që tani e më tej vetëm të pushoni dhe të shijoni jetën. Të rinjtë duhet të mundohen më shumë. Data 18 është shumë e rëndësishme për të marrë lajme të shumëpritura. Yjet ju favorizojnë aq shumë, sa edhe ata që s’kanë asnjë mundësi tani, do të shpërblehen me diçka nëse kërkojnë. Nëse i vlerësoni si duhet aftësitë tuaja, mund të fitoni shumë sfida.

Yjet do të shpërblejnë të gjithë ata që kanë pasur kurajën të përjetojnë një marrëdhënie pa menduar pasojat. Shumë nga ju janë shpërngulur dhe kanë projekte të mëdha. Jupiteri është ende në shenjën tuaj, kështu që ata që duan të bëhen me fëmijë, të fillojnë nga përpjekjet. Datë shumë e rëndësishme do të jetë edhe data 27, ditë kur do të putheni nga shumë planetë miqësorë. Fitore të mëdha ju presin. Nëse në të kaluarën ju kanë penguar, tani s’do t’ia dalin më mbanë. Kujdes me lidhjet paralele. Takimet e reja janë të favorizuara. Bashkë me Diellin, më datë 22 vijnë edhe energji të reja. Nervozizmi i dy javëve të para të muajit do të zhduket plotësisht. Fundi i muajit është i duhuri për të nisur një kurs joge apo palestër.

Bricjapi

Qëndrimi i gjatë i Marsit në shenjën tuaj mund të shërbejë si shkak për ndonjë konflikt me personat që ju rrethojnë në mjedisin e punës, qofshin bashkëpunëtorë apo ortakë. Konsultohuni me agjentë apo me avokatë për të zgjidhur një problem. Kërkoni më shumë siguri dhe do të mërziteni se dikush nuk ju ka dhënë meritat e duhura. Më kot haheni me fatin. Deri më datë 20 nëntor s’i keni gjërat në vijë. Tri javët e para do të jenë të vështira. Mos u shkurajoni, pasi shumë gjëra varen nga lloji i aktivitetit që keni. Data 25 është më e favorshmja këtë muaj. Bëni kujdes me çështjet financiare deri në fund të vitit, sidomos nëse lidhen me pronat.

Nëntori do të sjellë më shumë qartësi në dashuri. Java e fundit do të jetë më interesante, madje edhe për çiftet që sapo kanë kaluar një krizë. Me të lindurit në shenjën e Peshqve, të Akrepit dhe të Virgjëreshës kuptoheni më mirë. Energjitë e fundit të muajit do t’ju bëjnë më tërheqës dhe interesantë, ja pse vendimet më të rëndësishme ju presin. Dhjetë ditët e fundit të nëntorit do të bëjnë vërtet ndryshim edhe në aspektin fizik. Mundësitë për të kaluar një problem të vazhdueshëm janë më të mëdha. Bëni kujdes në datën 16, pasi dita do të jetë e tensionuar. Shqetësimet reumatizmale apo të shpinës ju bezdisin vazhdimisht.

Ujori

Gjatë gjysmës së dytë të nëntorit dhe në ditët e para të dhjetorit do të vini re rezultatet pozitive në aspektin profesional, më së shumti ata që kanë nisur një projekt të ri në fillim të vitit apo ata që kanë hapur një dyqan. Keni shpenzuar shumë, por tani do të korrni frytet e punës suaj. Jupiteri është në anën tuaj, ndaj mund të mendoni të zgjeroni aktivitetin apo të kërkoni rritje në detyrë. Dëshira për të bërë më shumë nuk ju mungon. Energjitë do të shtohen pas datës 22. Edhe përgjigjet pozitive do të jenë të shumta. Kujdes në datën 25, pasi do të karakterizohet nga nervozizmi. Mos u ktheni më kot kundër eprorëve apo kolegëve. Prisni dhjetorin para se të rrezikoni.

Nëse keni kapërcyer sfidat e dy muajve të fundit, jeta në çift do të jetë më e qetë tani. Venusi favorizon takimet e reja. Arsyeja kryesore pse keni debatuar me parterët kanë qenë paratë në fakt. Nëse punoni të dy bashkë, problemet do të shtohen. Nëse doni t’i jepni duart dikujt, më mirë ktheni faqe pa shkaktuar ndonjë dramë të madhe. Marrëdhëniet më të rrezikshme për ju janë ato kur partneri kërkon të imponohet, ndaj bëni kujdes me ata të shenjës së Luanit, Akrepit dhe Demit. Lidhjet e krijuara në nëntor më së shumti bazohen te seksi. Mos u stresoni shumë, pasi nëntori është një muaj rikuperimi. Ç’nuk keni bërë dy muajt e fundit, ndaj tani duhet të qetësoheni. Data 18 do të vërë në provë durimin tuaj. Të lindurit në shenjën e Ujorit dallohen menjëherë nga mënyra se si ulen, zor se kanë një qëndrim korrekt, sidomos në tavolinë, kur hanë. Mos e teproni!

Peshqit

Ky muaj do të shërbejë si preludi i një muaji shumë të rëndësishëm si dhjetori. Një moment interesant për të gjithë ata që do të nisin një projekt, i cili do të ketë shumë sukses vitin e ardhshëm. Tensionet e së shkuarës, të cilat kanë qenë më së shumti të lidhura me procedura burokratike, tani s’ekzistojnë më. Do të mendoni seriozisht për të ndërruar shtëpinë apo për t’u shpërngulur diku tjetër, kjo është diçka që e prisni me padurim. Këtë herë, dëshirat tuaja realizohen vërtet. Jupiteri ka një aspekt të shkëlqyer në fillim të dhjetorit, duroni edhe pak. Mos qëndroni më nën hijen e të tjerëve. Do të shlyeni një borxh shumë të vjetër ose do të zgjidhni një çështje ligjore që ka nisur që prej 2018-ës.

Shumë nga ju s’kanë pasur kurajë të propozojnë për martesë, por tani duhet të përvishni mëngët. Dëshira juaj për të dashuruar është e madhe. Ata që janë tradhtuar, duhet të vendosin në duhet të falin dhe të çlirohen nga kjo barrë. Kjo është një periudhë plot me zhvillime të reja. Marrëdhëniet e nisura prej kohësh tani do të zyrtarizohen me një datë dasme. Periudha e duhur për ata që duan të bëhen me fëmijë është pas datës 26. Nuk përjashtohen debatet e forta prind-fëmijë. Çiftet në krizë do të vendosin t’i japin fund dhe ky është një çlirim për të dy partnerët. Është më se e kuptueshme që edhe forma juaj fizike kërkon më shumë kujdes, sidomos duke marrë parasysh sa jeni lodhur javët e fundit. Kujdes me dietat, pasi stomaku ju bezdis herë pas here. Data 14 karakterizohet nga një nervozizëm i madh. Luhatjet e humorit janë të zakonshme për ju. Agresivitetin tuaj shfryjeni në palestër.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.