Ç’viktima komunizmi thoni?! Eshtrat në Dajt i përkasin të dënuarve ordinerë

0
135

Nga Kastriot Dervishi

Në një konferencë të përbashkët shtypi dje, zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, zëvendësambasadorja e BE-së Monika Bylaite dhe drejtori Rajonal i ICMP-së Matheu Holliday na dhanë “lajmin e madh” se ishin identifikuar dy “viktima” të komunizmit nga 13 skelet e gjetura në Qesarakë të Dajtit, 9 vjet më parë.

Këto “dy viktima” që po përdoren për të shitur si sukses dështimin spektakolar të politikës së propagandës, nuk njoftoheshin me emra, por ngeleshin anonimë dhe jo pa qëllim.

Këta të huajt folën prapë për “6 mijë të ekzekutuar”, një shifër e imja në bazë sondazhi që është për personat që kanë humbur jetën e jo për ata pa varr (janë koncepte të ndryshme).

Nga kjo listë, 2 mijë e ca i takojnë krimeve të komunistëve në vitet 1943-1944, të varrosur shumica qysh në atë kohë dhe pjesa tjetër pas vitit 1944.

Burokratët e BE-së, duke gjetur sivëllezër në Tiranë kërkonin të justifikonin një shumë të madhe financiare duke marrë dy raste: eshtrat e gjetura në Qesarakë të Dajtit në vitin 2010 dhe varrezën e identifikuar në Paharor të Ballshit, ku janë varrosur të dënuarit e vdekur të Repartit nr.309.

Varreza e Ballshit është gërmuar prej vitit 1992. Pa qenë nevoja e ICMP-së, secila familje ka marrë eshtrat e familjarit të vet.

Aty kanë ngelur eshtrat për të cilat sot interesohen vetëm dy familje. Kjo nuk hyn në rastet ku kërkohet ndihma e ICMP-së, sepse ka nevojë vetëm për lopata, kazma dhe njerëz.

Nuk hyjnë në punë analizat sepse çdo i dënuar i vdekur është identifikuar nga harta dhe nga shishja brenda varrit. Sëkëlldia e madhe që i ka gjetur këta shokët e agjitpropit i detyron të na hedhin hi syve edhe për raste kaq të njohura.

Zëvendësministrja Voda, me sa duket krejt pa njohuri për Arkivin e MB-së foli ca fjalë pa kuptim që nuk ia vlen t’i analizoj, sepse me sa shoh ka nevojë për informacione të nivelit fillestar që nuk besoj se do i vlejnë në jetë apo në karrierën e saj politike.

Madje zj.Voda na bëri të njohur se në këto vite të tranzicionit nuk qenka bërë asgjë për këtë çështje, se “nuk vinin gishtin në plagë” dhe kjo i paska dhënë dum kësaj pune, duke ia vënë gishtin bashkë me këta shokët ndërkombëtarë atje ku duhet.

D.m.th. paska qenë punë gishti kjo punë. Sa mirë që u gjetën gishtvënësit!

Sa për t’i thënë diçka për zonjën e gishtit, vetëm në periudhën prill-qershor 1992 janë evidentuar 2.819 persona të dënuar me gjyq, të vrarë pa gjyq, vdekur në hetuesi, vrarë në përpjekje apo vdekur në kampe e burgje dhe iu gjetën eshtrat 213 prej tyre. Nuk po flas për periudhat e mëvonshme. Kur filloi ky proces, partia e zj.Voda akuzonte përditë se “po rehabilitoheshin kolaboracionistët”, etj. I kanë harruar tani këto akuza.

Siç e kam thënë më parë, eshtrat e gjetura në Dajt nuk i përkasin të dënuarve politikë, por atyre ordinerë. D.m.th. nuk kanë lidhje me të përndjekurit politikë.

Prisja të më “sfidonin” duke vërtetuar të kundërtën. Nuk e di, dy skeletet e gjetura janë pjesë e “6 mijë trupave” apo tani u bënë 6.002?

Thonë se qenka “projekt pilot”. Domethënë (referuar fjalorit të gjuhës së ëmbël shqipe) mund të kemi edhe “projekt shofer”. Me “zbulimin” e madh mbaroi edhe puna e “zorçme” e ICMP-së. Meqë ra llafi, sa ka kushtuar kjo kotësi deri tani dhe sa do kushtojë kur të soset?

Dhe kujdes me termat se as Dajti as Ballshi nuk janë “varreza masive”. Më thoni identitetet e “dy viktimave të komunizmit” të Dajtit.

Shpresoj të mos u them pastaj akuzat e dënimit të tyre për vrasje, përdhunim, vrasje të gruas, etj. A thua ia vlenin 500 mijë a 800 mijë euro për këtë? Edhe flori të ishin atë eshtra, nuk vlenin kaq.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here