Standard.al

Aleatët apel Bashës: Opozita të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore

0

Partia Demokratike ne konsultim me aleatët e saj, prej ditësh ka nisur punën për një platformë të plotë për zgjedhje te lira dhe të ndershme, ku pjesë është edhe reforma zgjedhore.

Mbetet e paqartë se ku do të dorëzohet ky dokument, në kushtet kur mazhoranca është e vendosur që punën ta organizojë vetëm brenda Komisionit të Posaçëm të Reformës, i cili për Partinë Demokratike është ilegjitim.

Por aleatët e Lulzim Bashës, mendojnë  ndryshe ndërsa i sugjerojnë atij që opozita të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Reformës zgjedhore, e thirrur për tu zhvilluar ditën e enjte.

“E rëndësishme në rradhë të parë është që opozita të ketë një produkt që garanton, sipas gjykimit tonë, nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese zgjedhje të lira e të ndershme, madje shtyn drejt një implementimi të ligjit në mënyrë të drejtë. Por them edhe diçka tjetër që unë nuk kam asnjë kompleks se ku ulem dhe me kë ulem. Ajo që dua të bëj është një gjë që ti vlejë vendit dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.”, shprehet kreu i republikanëve Fatmir Mediu.

Dashamir Shehi thotë se udhërrëfyes për procesin e reformës elektorale, nuk duhet të jenë vetëm rekomandimet e OSBE-së, por dhe 9 kushtet e Bundestagut gjerman.

“Gjykojmë si opozitarë se që shtrati i negocimit, i përplasjes, i konfrontimit janë 9 pikat e Bundestagut gjerman dhe jo thjesht reforma zgjedhore. Duhet nisur edhe nga disa elementë të tjerë për ta bërë të besueshëm edhe reformën zgjedhore”, thekson kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Ndërsa idenë e mazhorancës që reforma zgjedhore duhet të kalojë në dy faza, kryetari i Republikanëve Fatmir Mediu e cilëson të pakuptimtë.

“Çështja nëse duhet ndarë në dy faza ose jo për gjykimin tim është një lojë politike. Nëse flasim për Reformën Zgjedhore e shohim atë si element të tërë dhe nëse e marrim nga koncepti sesi ndërtohet një Reformë Zgjedhore mendoj se sistemi zgjedhor deri vonë shumë probleme që kanë të bëjnë edhe me anën teknike. Ti nuk mund të ndërtosh anën teknike dhe të krijosh pastaj një sistem që ti kthehesh problemeve teknike nga e para. Është si të bësh dy herë të njëjtën punë. Mendoj se ka një mungesë vullneti për të analizuar dhe shqyrtuar sistemin zgjedhor nga ana e PS.”, thekson Fatmir Mediu.

Por përtej, thirrjes së aleatëve, Partia Demokratike mbetet e vendosur në qëndrimin saj.

“Partia Demokratike dhe opozita i mbetet qëndrimit publik të shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për reformën zgjedhore, në  mënyre transparente, gjithëpërfshirëse dhe barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton Komisioni jo legjitim i Reformës Zgjedhore”, tha Gazment Bardhi./ora news

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.