Standard.al

Hapja e negociatave në syrin e Evropës së burokratëve dhe të kombeve

0

Nga Ergys Mërtiri:

Bashkimi Evropian karakterizohet nga paradokse të shumta, të cilat prej kohësh tashmë kanë ardhur duke u thelluar. Refuzimi për të disatën herë i hapjes së negociatave nxori me tepër në pah dy botë të ndryshme brenda unionit: BE-në e kombeve dhe BE-në e burokratëve. Evropa burokratike, ajo e Hahnit dhe Junkerit mendon se Shqipëria ka ecur me hapa të mëdha përpara, se ka bërë reforma të mëdha, duke plotësuar të gjitha kërkesat për të hapur bisedimet, ndërsa Evropa e Merkelit dhe Makronit, në një gjuhë diplomatike, thotë se Shqipëria ka bërë hapa përpara, por nuk është ende gati.

Interesat e kombeve të tyre dhe vlerat që i kanë bërë këto kombet bashkë në BE, drejtuesit e vendeve themeluese të BE-së i marrin shumë më seriozisht sesa burokratët e institucioneve të BE-së.

Në fakt, megjithëse raportet e Komisionit Evropian shkëlqejnë nga pallavrat, politika e vendeve më të mëdha të BE-së – Gjermani, Francë etj. – e ka të qartë se realiteti është tjetër. Sado që Shqipëria nuk është në qendër të vëmendjes së tyre, Merkeli dhe Makroni e kuptojnë mirë se ajo është shumë larg së qeni një vend normal, jo më një vend kandidat për në BE.

Mjafton të shohin se Shqipëria është sot i vetmi vend në botë që ka gati dy vjet pa Gjykatë të Lartë e Gjykatë Kushtetuese, dhe le të flasin pastaj diplomatë e ekspertë mbi mrekullinë e reformës në drejtësi të nisur prej tre vitesh.

Ata e kuptojnë fare mirë që realiteti është shumë larg nga ai i raporteve, qoftë edhe duke parë nivelin e trafikut të drogës, faktin se dy ministra të brendshëm janë detyruar të lenë detyrën prej lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, pa llogaritur këtu një tufë deputetësh, kryetarë bashkish e funksionarësh të lartë, që kanë dalë me precedentë penalë e me lidhje të forta me krimin.

Mbi të gjitha, vetë shifrat alarmante të kërkesave për azil dhe dëshira e papërmbajtshme e shqiptarëve për të ikur nga vendi i tyre janë të mjaftueshme për të kuptuar se ky vend është rëndë dhe ka probleme të thella për të qenë i pranueshëm në Evropë.

Por Evropa burokratike e BE-së nuk i shikon dhe as i mendon të gjitha këto. Ajo interesohet të prodhojë letra, raporte, reforma dhe aktivitet, nëpërmjet të cilave të justifikojë punën e saj. Kjo Evropë është në konflikt interesi me të vërtetën e standardeve të shtetit shqiptar, pasi asaj i intereson të ketë sa më shumë histori suksesi në punën e saj. Komisioneri për Zgjerimin paguhet për të shtuar anëtarësimet, ndaj është i interesuar të priret të thotë sa më shumë “po”.

Për rrjedhojë, të motivuara edhe nga trysnia e lobimeve apo stimujve të ligjshëm apo jo, raportet e tyre heshtin ndaj problemeve skandaloze në Shqipëri dhe habisin me vlerësimet që bëjnë. Në fakt, vetë burimet e këtyre raporteve janë të pabesueshme dhe në konflikt interesi me të vërtetën që shprehin. Përfaqësuesit e BE-së kryesisht e marrin informacionin për hartimin e raporteve nga institucione e agjenci të qeverisë shqiptare, si dhe nga raporte të shoqërisë civile. Nuk është lajm të thuash tani se edhe kjo e fundit dominohet thuajse plotësisht nga Rama. Vetë BE-ja nuk kryen asnjë matje të drejtpërdrejtë apo grumbullim të dhënash të pavarura mbi treguesit përmes të cilëve vlerëson gjendjen në Shqipëri.

Në fakt, ashtu si për gjendjen reale të Shqipërisë, edhe për integrimin e saj nuk e çan kokën askush. Kryeministrit Rama as që i duhet të hyjë në Evropë, pasi ai interesohet për një Shqipëri që e udhëheq dhe e kontrollon vetë, sipas qejfit, oreksit, shijeve apo tekave personale, dhe jo një Shqipëri me institucione të forta dhe funksionale, ku ka kërkesë llogarie. Hapja e negociatave është më shumë një justifikim që Ramës i duhet për të mbuluar dështimet katastrofike të këtyre 6 vjetëve. Në vetvete, Evropa as që i intereson Ramës.

Rrjedhimisht, përderisa qeveria nuk e çan kokën, përse duhet ta çajë Evropa? Asaj i duhet procesi i integrimit të vendeve si Shqipëria, ndër të tjera, për të pasur shtete satelitë në kufijtë e saj. Në këto kushte, një Shqipëri që pret në prag, qoftë edhe për vite të tëra, nuk është aspak problem për të.

Dikush mund të thotë, siç është thënë shpesh këto ditë, se moshapja e negociatave do të sjellë zhgënjim dhe dekurajim të Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit. Në fakt, asgjë nuk do të sjellë.

Marrëdhëniet e politikës shqiptare me BE-në nuk kushtëzohen nga hapat institucionale të procesit të integrimit. Përkundrazi, ato janë marrëdhënie vasaliteti, të kushtëzuara me shërbimet që politikanët shqiptarë iu bëjnë atyre evropianë. Në këtë aspekt marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Politikanët tanë thonë “po” për gjithçka i intereson faktorit ndërkombëtar, dhe marrin si shpërblim përkrahjen e tyre për të qeverisur, pavarësisht se shkelin e përçudnojnë institucionet, ekonominë e të gjithë shtetin.

Kjo politikë do të vazhdojë të jetë e fortë edhe pas refuzimit të negociatave. Shqiptarëve iu mbyllën dyert e BE-së edhe për këtë vit, por qeverisë nuk iu pre mbështetja për reformat shterpë që ndërmerr prej 6 vitesh. Në këtë mënyrë kjo politikë do të mund të vazhdojë të shijë në lëmin e vet, duke e kaluar gradualisht situatën që i krijoi shuplaka e detyruar që mori në Bruksel. Në thelb, kjo shuplakë nuk ishte aq e fortë sa ta rrëzojë një kryeministër të lidhur me zinxhirë pas fronit, ndaj dhe Rama do të vazhdojë të udhëheqë të njëtat reforma të gjashtë viteve të fundit.

Gjobën për gjithçka e paguan populli.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.