Standard.al

Për Handken u morëm vesh, por me Thaçin e Ramën që u përkulen ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit si do ia bëjmë?!

0

Nga: Emad MEHMETI

Me të drejtë janë tronditur të gjithë me dhënien e çmimit Nobel Peter Handkes, një shkrimtari që edhe nuk e ka dëshmuar gjithaq se e meriton këtë çmim, po që ka dhënë mjaft dëshmi se është njeri shpirtlig, se i urren shqiptarët dhe myslimanët e Bosnjës dhe i cili, deri në fund i mbeti besnik ‘Kasapit të Ballkanit’.

Në mesin e atyre që kanë reaguar lidhur me ndarjen skandaloze të këtij çmimi, është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit madje ka pohuar se i ka ardhur për të vjellë kur ka dëgjuar këtë lajm.

Pra reaguan kundër ndarjes së këtij çmimi edhe ata burrështetas tan të cilët as që e fshehin kënaqësinë që ndjejnë kur takohen me Presidentin e Serbisë, me një ish bashkëpunëtor të Millosheviqit , me atë që mbante kallashin ne krahë dhe që e kërcënonte botën se për çdo serb të vrarë do pushkatonte me qindra mysliman?

Dhe me të drejtë shqiptarët janë çuar në këmbë kundër dhënies së çmimit Nobel një përkrahësi të shovinizmit serb. Por as Mehmet Kraja, as cili do akademik tjetër shqiptarë, nuk tha një fjalë të vetme kundër atyre që madje u ulën këmbëkryq me Vuçiçin për ta ndarë Kosovën si të ishte ajo pronë pa pronarë. Asnjë akademik, as këndej as andej kufirit, nuk tha asgjë kundër takimeve të Edi Ramës me Vuçiçin dhe për ‘Shengenin Ballkanik’ që promovojnë ata, por duke lënë jashtë saj Kosovën.

Pra të gjithë heshtën edhe pse e shihnin qartë si Rama i shlyen kufijtë me Serbinë, pa i penguar kolonat e veturave në vendkalimin kufitar mes Kosovës e Shqipërisë në Morinë. Asnjë akademik pra nuk u doli ta pyes Presidentin e Kosovës, Thaçin dhe kryeministrin e Shqipërisë Ramën pse kaq shumë nguten t’i shlyejnë kufijtë me Serbin, pa u penguar kufijtë shqiptaro – shqiptar!?

Po, siç duket ne shqiptarët e kemi zakon që me lehtësi të ngremë zërin kundër të huajve, kundër atyre që janë larg dhe jashtë nesh, që nuk mund të na dënojnë me asgjë për kritikat që ua bëjmë, por të heshtim e të bëhemi se nuk kemi parë e nuk kemi dëgjuar gjë kur bëhet fjalë për pushtetarët tanë që u gjunjëzohen edhe atyre që deri dje hapur e kërkonin shfarosjen tonë.

Andaj, duhet bërë çmos që të demaskohet ky Nobelist që e turpëron këtë çmim letrat, por pa harruar të demaskojnë edhe veprimtarinë e burrështetasve tanë, të atyre që u dhanë legjitimitet ish shovenëve serb që të merren me politik, duke i ndihmuan ta shpërlajnë vetveten nga e shkuara si bashkëpunëtorë të Millosheviqit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.