Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkarkojë dot Metën!! Zeqo: Djegia e mandateve i ka rrënjët në vitin 1997

0
92

Politikanë që krijojnë kaosin e të tjerë që përfitojnë prej tij. Moikom Zeqo thotë se ka ardhur koha që të mendohet për pushtetin e deputetëve ligjvënës, që të zgjedhur nga një njeri i vetëm, rrezikojnë të mos bëjnë tjetër, veçse të përmbushin vullnetin e kryetarëve.

Votimet e ligjeve të fundit në Parlament janë shembull, e po ashtu “grushti mandator” i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, i ndjekur në masë nga deputetë të zgjedhur nga elektorati, pa pyetur këtë të fundit. Zeqo për “Panoramën” analizon krizën politike, rrënjët e djegien e mandateve nga opozita, në ngjarjet e vitet ’97-1998, si dhe faktorët që do të përshpejtonin hapjen e negociatave dhe pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai flet gjithashtu për mangësitë e Kushtetutës, e cila në shumë nene të saj është e paklasifikuar. Mendimtari shpjegon se pse Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkarkojë dot Ilir Metën, të ardhmen e partive tradicionale e atyre të vogla, si dhe mungesën e një lideri, si Albin Kurti edhe në Shqipëri. Këmbëngulja e Bashës, që Rama të jap dorëheqjen? Sipas shkrimtarit, s’është tjetër veçse lojë politike…

Zoti Zeqo, në shkurt të këtij viti, deputetë të Partisë Demokratike dhe të LSI-së hoqën dorë nga mandatet, çka thelloi më tepër konfliktin politik. Si po ndikon, sipas jush, e gjitha kjo situatë në hapjen e negociatave?

Për herë të parë në historinë e Europës ndodh një fenomen i tillë, që një parti politike të heqë dorë vullnetarisht nga titujt juridikë të deputetëve. Kjo ngjarje nuk ka precedentë në asnjë vend të qytetëruar, në asnjë vend ku aspirohet një shoqëri demokratike. Njerëzit kanë të drejtë të shtrojnë pyetjet: Përse ka ndodhur kjo gjë? Ose, si ndodhi? Ose, pse duhet të ndodhte kjo? Teza destruktive e Sali Berishës është e njohur, pasi ai ka prishur disa herë marrëdhëniet juridike për hir të një “revolucioni”, ose edhe të një “lufte”. Ky koncept barbar antidemokratik është përsëritur në vitin 1997 për herë të parë. Gjatë atij viti, Berisha ka urdhëruar të sulmohet me avion dhe me tank Jugu i Shqipërisë. Ai ka dashur të krijohet një konflikt apo një luftë civile. Kjo nuk funksionoi. Hera e dytë shënohet në vitin 1998, ku ai jashtë të gjitha rregullave juridike bëri grushtin e shtetit. Mori në dorë Radio-Televizionin Shqiptar, rrëmbeu tanket, por, e gjitha kjo nuk u pranua nga Amerika. Pra këto dy shembuj, viti 1997 dhe ’98, janë forma fillestare të asaj që ndodhi në vitin 2019.

Pavarësisht dëshirës së ish-kreut të PD-së, si e lejuan instancat e tjera shtetërore që e gjitha kjo të ndodhte, pra që deputetët të digjnin mandatet?

Për mendimin tim, kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimeve të kobshme të vitit 2008. Gjatë atij viti u cenuan dhe u shkelën dy parime të mëdha të Kushtetutës:

1) Vota është e lirë.

2) Vota është e fshehtë. Në këtë mënyrë, iu dha e drejta prej monarku kryetarëve të partive të caktonin listat. Ndikimi mbi listat, nënkupton ndikimin në votime. Pra në këtë formë, vota nuk është më e lirë! E dyta, në këtë formë nuk ka më votë të fshehtë. E gjitha kjo, sepse kryetarët i caktojnë vetë deputetët. Ndodhi kështu si me Partinë Socialiste, ashtu edhe me Partinë Demokratike. Pra, Lulëzim Basha i ka caktuar vetë në mënyrë subjektive të gjithë deputetët. Madje, ndryshe nga Edi Rama, ai në mënyrë radikale hoqi pjesën kryesore të figurave të PD-së. Pse ka ndodhur kjo gjë? Në ndërgjegjen e tij, ideja që “unë ju vë në lista, pra ju bëj deputetë”, ka qenë ekuivalente, me faktin se “unë kam të drejtë dhe t’ju heq”. E gjithë kjo burimin e ka nga krijimi i listave nga kryetarët. Nëse kjo nuk do të ishte, ai as që do ta mendonte dot diçka të tillë. Mirëpo, në gjithë këtë histori, ku qëndron gabimi tragjik që ka bërë Lulëzim Basha? Gabimi tragjik që ka bërë kreu i PD-së, qëndron në faktin se ai nuk ka respektuar kushtetutshmërinë. Kjo pasi të gjithë këta deputetë, pjesë e listës, i nënshtrohen një votimi masiv të elektorateve. Elektorati ka investuar votën, përmes së cilës ata kanë marrë atë që quhet titull juridik. Titulli juridik i deputetit në Shqipëri kufizohet në numrin 140. Dhe ata që e zotërojnë kanë disa të drejta thelbësore, ku përpos diskursit politik, kryeson ajo e votimit. Pra, ata miratojnë ose jo ligje dhe quhen ligjvënës. E duke qenë të tillë, ata kanë statusin më të lartë në një shoqëri. Sipas Kushtetutës, zëvendësimi i tyre mund të bëhet në rast vdekjeje, apo transferimi në detyrë. Për shembull dikush bëhet ambasador dhe e zëvendëson një tjetër i listës.

Pra, ju po thoni që djegia e mandateve në një shtet ligjor do të kishte pasoja juridike?

Do të thotë që LSI-ja dhe PD-ja kanë bërë një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës. Heqja masive dorë nga titulli juridik i deputetit nuk mund të bëhet pa pyetur elektoratin për çdo deputet. E përsëris, këta njerëz kanë shkelur ligjin dhe në rast se do të kishim Gjykatë Kushtetuese, ata do të ishin penalizuar.

Cili është mendimi juaj, për sa i përket opozitës së re?

Opozita e re për mua nuk është opozita e vërtetë! Ajo funksionon në bazë të listës, pasi siç dihet edhe lista ka një limit. Mirëpo nuk është në gjendje të përfaqësojë një parti. Kjo është pasoja tjetër e problemit që solli Lulzim Basha, pra ai në një tjetër formë përsëriti 1997-ën dhe ’98-ën. Madje edhe vetë retorika e Lulëzim Bashës është e gabuar. Për shembull, ai foli për një Republikë të Re, ndërkohë që është pjesë e estabilishmentit të vjetër. Po ashtu, foli për revolucion, kur bëhej fjalë për mosbindje civile. Dhe, siç e thashë, kjo e ka burimin te listat e krijuara nga krerët e partive. Duke harruar se pavarësisht se mund t’i vendosësh, ligjërisht nuk mund t’u heqësh mandatin. Juridikisht, nëse dikush e padit Lulëzim Bashën në Gjykatën Kushtetuese, ai penalizohet.

Reforma Elektorale është një nga dy kushtet primare për hapjen e negociatave, sipas jush, si mund të zgjidhet konflikti politik mes palëve?

Mendimi im është që kjo situatë do të zgjidhet vetëm nga ndërkombëtarët. Ashtu siç ndodhi në ’97-ën, kur unë vetë isha në politikë. Mendoj se jo shumë larg, por në muajt e parë të 2020-ës do të këtë zgjedhje të parakohshme. Heqjen e mandateve nuk e imponoi Rama, edhe pse ai ka përfituar nga kaosi dhe konfuzioni. Pavarësisht shkeljeve ligjore, pengesave për hapjen e negociatave për në BE, dy partitë tradicionale jo vetëm që mbijetojnë, por kryesojnë, duke i lënë pak apo aspak hapësirë partive të reja. Si e shikoni të ardhmen e tyre? E vërteta e hidhur është se ne mbetemi një vend i prapambetur dhe i vonuar në histori. Diçka e tillë reflektohet edhe në procesin e prishjes së estabilishmentit të vjetër, pra të partive tradicionale. Një fenomen i tillë ndodhi për herë të parë në Itali 5 vite më parë me “Cinque Stelle”. Estabilishmenti i vjetër u prish dhe shumë nga partitë tradicionale ndërruan emrat. Edhe pse estabilishmenti i ri nuk është se krijoi ndonjë parti të rëndësishme. Po ashtu, fenomeni ndodhi edhe në Greqi me Ciprasin. Ndërsa, te ne pritet të ndodhë 5-6 vite më pas, pasi mbetemi një vend i vonuar. Ajo që do të ndodhë në të ardhmen, është fakti se disa nga partitë e vogla do të kenë vdekje të bardhë. Po ashtu edhe LSI-ja, ndërsa PD-ja do të zvogëlohet ndjeshëm. Situata do të ndikojë edhe në dobësimin e PS-së, e cila është partia kryesore e estabilishmentit të vjetër.

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese përbën kusht kryesor për hapjen e negociatave, ndërkohë që opozita pret që kjo e fundit të shqyrtojë edhe vendimin për shkarkimin e Presidentit…

Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese do të ndërtohet, natyrisht më ndërhyrjen e të huajve. Edhe pse nuk mund të ndreq çdo gjë. Së paku, jo anën politike, edhe pse mund të ndihmojë edhe në këtë aspekt. Ndërsa, për sa i përket shkarkimit të Metës, mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk e ka këtë fuqi. Unë e kam parë me vëmendje nenin 90 të ligjit ku në pikën 1 thuhet se “Presidenti nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”. Po ashtu, për sa i përket shkarkimit pika 2 e këtij neni thotë se “Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”, mirëpo nuk përcaktohet se cilat mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës. A është anulimi i një dekreti shkelje e rëndë e Kushtetutës? Komisioni i Venecias tha: Jo, pra nuk ka bërë shkelje të rëndë, por ka tejkaluar veprimet kushtetuese. Pra, me pak fjalë, neni për shkarkimin e Presidentit është i mangët, i papërcaktuar. Në të nuk specifikohet se cilat janë shkeljet e rënda të Kushtetutës. Ne kemi kështu një Kushtetutë ende të paklasifikuar.

Në të tilla rrethana, e shikoni të largët pranimin e Shqipërisë në BE?

Unë them se jo. Shqipëria, po ashtu edhe Kosova, kanë si përparësi pozitën gjeopolitike. Për shkak të kontradiktave të njohura gjeopolitike me vendet sllave, si Rusia, kuptohet se edhe për në BE duhet një faktor josllav. Dhe shqiptarët, siç dihet, janë më shumë të lidhur me faktorët perëndimorë. Pra unë mendoj se natyrisht do të kërkohet përmbushja e kushteve, por nuk do të neglizhohet hapja e negociatave për në BE. Aq më tepër që flitet për dy shtete, që së bashku përbëjnë një faktor shumë të rëndësishëm, veçanërisht për sa i përket kontradiktave me Rusinë. Edhe pse nuk flitet shumë, pasi politika shqiptare nuk flet për gjërat e rëndësishme, ndikim ka edhe faktori ushtarak. Në Ferizaj gjendet Kampi Bondsteel, që është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një bazë të madhe të NATO-s në Kuçovë etj. Të gjitha këto tregojnë se ne jemi të favorizuar nga gjeopolitika, jo se ne shqiptarët bëjmë ndonjë çudi.

Përveç faktorëve gjeopolitikë, çfarë do ta përshpejtonte, sipas jush, hyrjen e Shqipërisë në BE?

Do ta përshpejtonte Tregu, që ne e kemi të dobët. Një nga problemet kryesore të Shqipërisë në lidhje me integrimin është përqindja që zë në tregun europian. Në këtë aspekt, ne jemi të papërfillshëm, qëndrojmë në një shifër që nuk e kalon 1 përqindëshin. Për këtë është e nevojshme që të zhvillojmë ekonominë e prodhimit, pasi ne deri më sot kemi vetëm ekonomi shërbimi. Politika e këtyre 30 viteve duhet të kishte qenë një politikë ekonomike. Shtetet e fuqishme ekonomike llogarisin të ardhurat e Qeverisë në dy baza kryesore: 1. në burimet natyrore; 2. përmes taksave. Në Shqipëri, ndodh ndryshe. Buxheti i Qeverisë është i bazuar mbi taksat

Po flasim për politika të gabuara e për sa kohë që politikanët mbeten të njëjtët, ndryshimi shikohet me skepticizëm. Në Shqipëri nuk po ngre kokë asnjë parti e re premtuese, apo një lider i tillë, ndryshe nga sa ndodhi në Kosovë me Vetëvendosjen…

Lidhur me këtë, unë mendoj se figura më e madhe politike e kombit shqiptar sot është Albin Kurti. E njoh personalisht. Jo vetëm që nuk është i korruptuar, por është një nga njerëzit më të ditur që unë njoh, për sa i përket njohurive që ka në sociologji, filozofi, por edhe në lidhje me konjekturat politike. Unë mendoj se nga të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 3 dekadave, Albin Kurti është i papërsëritshëm. Në Kosovë ai është më i votuari, afro 200 mijë shqiptarë të Kosovës e kanë votuar. Mirëpo unë nuk njoh ndonjë politikan shqiptar që t’i ketë marrë kaq vota. Ata kanë marrë vota si deputetë e mandej prej këtij titulli kanë kaluar në pozicione të tjera qoftë Kryeministër, Kryetar kuvendi, President etj. Sigurisht që problemi është që Vetëvendosja duhet të arrijë 51% të Parlamentit e për këtë do t’i duhet të bëjë një koalicion.

Pse në Shqipëri mungon një figurë e tillë, siç është Albin Kurti?

Politikanët shqiptarë janë diletantë, nuk e kuptojnë se ç’është politika. Kjo është arsyeja. Një nga ata njerëz që ka deformuar nocionet kryesore të politikës ka qenë Berisha, i cili triumfoi me konceptin e tij antidemokratik, deri te dorëzimi i mandateve. Ajo që më habit është fakti se si një djali i ri tek të 45-tat, që ka studiuar në Holandë e që ka deri diku një artikulim të mirë, të kontrolluar, lejon që Berisha t’i prishë karrierën. Më duket e çuditshme e gjitha kjo.

Po faktin që opozita kërkon dorëheqjen e Ramës, si e shikoni?

Mendoj se është një lojë politike. Unë kam shumë kritika për Ramën, politikbërjen e tij, çështjen e PPP-ve etj., por ajo që bëri Basha, e tejkalon imagjinatën. Historia i ka rrënjët në 1997-’98-ën, kur kërkohej të bëhej grusht shteti. Po në rrethanat, në të cilat gjendemi, kush do t’i ndjekë pas LSI-në dhe PD-në?! Asnjeri!

Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here