Çfarë na takon dhe Evropa nuk e këpton?

0
165

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

“Ç’kërkonte shqiptari ndër shekuj? Pak bukë, pak kripë, pak hekur”. Kështu thuhej në një vjershë, të kohës së diktaturës. Në këtë mënyrë përmblidheshin kërkesat modeste të shqiptarëve të varfër, ndër shekuj dhe menduam se me një vjershë e me dëshirën dhe kujdesin e nënës parti, këto u rregulluan për 50 vjet.

Po tani çfarë kërkojnë shqiptarët?

Pak bukë, pak ujë, pak dritë, pak siguri për jetën, pak punë për tu ushqyer dhe sigurisht realizimi i ëndrrës së madhe: Të na dali llotaria për në Amerikë. I madh e i vogël, kërkojnë të ikin, t’ia mbathin, diku, larg shumë larg vendit të tyre, atdheut të dashur që quhet Shqipëri. Ne duam të ikim nga atdheu që pak herë mendon për ne dhe ne shumë më pak për të. Duam të ikim si zgjidhje, si shpëtim, për kohën e mbetur të jetës dhe pendesën e madhe e madhe se çarë do t’ju themi pasardhësve tanë, për këtë katrahurë që po përjetojmë. Duam të ikim, që fëmijët të shkollohen, të vishen më ngrohtë në dimër, e më hijshëm në verë, që të kemi mundësinë të bëjmë edhe ne si gjithë njerëzit 10 ditë pushime, të mos na dridhet dora për të blerë librat, fletoret, këpucët dhe një këmishë për fillimin e vitit të ri shkollor. Të largohemi, se këtu ëndrrën e fëmijëve ta këpusin në mes. Njëri do konkurs e mbi konkurs, tjetra kërkon mesatare mbi mesatare, e më i madhi i Devletit, mburret me fotot e nxjerra me studentët, e premtimet bosh që nuk kanë të sosur. Edhe të moshuarit duan të ikin. E përse duhet të rrinë gëmuq në shtëpinë e tyre, të psherëtijnë e të lusin Zotin, ti marri një orë e më parë nga kjo jetë e padrejtë. Jashtë shtetit u lidhin pension, u japin ilaçe pa lek, i vizitojnë në shtëpi, kujdesen që të marrin edhe ushqime fal;as. Fëmijët e të rinjtë? Ata mezi presin rastin. Luten të bëhen 18 vjeç sa më shpejt, që të ikin me studime, me punë, me çarë do që të jetë. Mjaft të ikin. Shumë prej tyre e dinë fort mirë se nuk kanë për të realizuar ëndrrën e tyre të madhe, për të marrë një diplomë universitare, por do të mësojnë se në një botë ku respektohet puna dhe djersa e kujtdo, e ku mund të jesh shumë më i suksesshëm sesa një njeri i diplomuar, pa meritë atje në mes të kryeqytetit në vendin tënd.

Prandaj po ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë z. Kryeministër? Çfarë na takon ne dhe Evropi nuk e këpton?

Ah po. “Kemi bërë reformën më të guximshme në drejtësi, po luftojmë krimin e organizuar, ja kemi bërë zap Serbisë dhe Greqisë, po ndërmarrim reformat ë thella strukturore”, etj etj. Në rregull, ja ta zëmë se të besuam, ty, Hann-in, e të tjerë evropianë. Po a s’më thua, të gjitha këto reformat të “suksesshme”, a kanë shtruar vende pune, kanë rritur mirëqenien, kanë ulur varfërinë, krimin, dhunën në familje, dëshirën e të rinjve për më shumë lexim, arsim më cilësor, një shëndetësi në ndihmë të popullatës, bujqësi më të zhvilluar, rritjen e të ardhurave nga turizmi e kështu me radhë. Për fat të keq, varfëria është ulur këmbëkryq në mes të kryeqytetit. Uji dhe drita është bërë modë që mungojnë. Arsimi, dija, leximi po braktisen gjithnjë e më tepër nga të rinjtë dhe popullata në tërësi. Shëndetësia është në ditën më errët të saj. Mungojnë, barnat, shërbimi parësor anekënd vendit, mjekë të specializuar ja mbathin çdo ditë e më shumë jashtë vendit, infermierët më shumë e kalojnë kohën me gjuhën gjermane dhe angleze sesa me pacientët e tyre, bujqësia dhe fshati është thuajse e paralizuar.

Për më tepër, fshatra të tëra po braktisen nga ata që janë krahu më aktiv i punës, të rinjtë. Nuk ka mbështetje për fshatarët, as treg për shitjen e mallrave të tyre, as kujdes për fatkeqësitë natyrore, as një plan, sesi mund të rimëkëmbet e të prodhoj në dobi të ekonomisë së vendit, po mbi të gjitha të rriten të ardhurat në zonat rurale. Si mendon fort i nderuar z. Kryeministër, çfarë keni bërë ju në këto 6 vjet për vendin dhe popullin tënë dhe Evropi nuk e kupton, që edhe ajo duhet të na japi hakun? Nuk besoj se premtimin për 300 mijë vende pune, e bënë evropianët dhe ata duhet ta mbajnë përgjegjësinë? As premtimin e famshëm për shëndetësi falas, as nuk gënjen evropianët për një agjenci akreditimi të Britanisë së Madhe që do të bënte namin në Shqipëri e të na ofronte arsim cilësor. Rrugët e lëna përgjysmë, shumëfishimi i mbjelljes së kanabisit, kalimi i sigurt transit i drogave të forta, nuk besoj se kanë qenë premtim, apo investim i drejtpërdrejtë i evropianëve (ndonëse në realitet ata mbyllën sytë para fakteve që i kishin nën hundën e tyre).

Pra shkurt hesapi cili është borxhi që na ka Evropi, e në të vobektët nuk e këptojmë aq mirë sa zotrote? E di që do të më thuash se “ne jemi stërnipërit e Skënderbeut, se ideatori i parë i Bashkimit Evropian ishte pikërisht Ismail Qemali, që ti po mundohesh t’i ngjash duke lënë mjekrën e bardhë, se ne jemi kombi më pro-evropian, se po nuk na morët për dore në familjen e tuaj, ne bashkohemi me Kosovën, i kthejmë sytë nga Kina, zgjojmë nga gjumi ariun siberian dhe e sjellim në mes të Ballkanit, se Evropa nuk miun dt bëj dot pa Shqipërinë dhe as Shqipëria pa Evropën”. Të gjitha këto duken si ato përrallat e përsëritura disa herë nga babai apo nëna që vetëm atë kanë mësuar në jetën e tyre dhe në vend ta venë në gjumë e lënë tërë natën zgjuar fëmijën e gjorë, me të vetmen pyetje në kokë: “Ku më qëlluan këta të dy mua, që një përrallë më shumë, nuk dinë të mësojnë”? Edhe ti na poftise në derë, me “votë të lirë” sigurisht, e  çdo vit na tregon të njëjtën përrallë e të njëjtat gënjeshtra: “Evropa ka hallet e saj, se ne i bëmë detyrat tona, ne kemi shumë më përpara se vendet e tjera, ne na i ka fajin opozita dhe shokët e saj në Holandë, Franca është me ne po do reformim të BE-së”, e së fundi na nxore xhevahirin më të ri: “Ne na takon hapja e negociatave, po Evropi nuk e këpton”. Ndoshta këtu ke të drejtë. Nuk ka evropian që mund të kuptoj, sesi një qeveria e zhytur në mashtrim, paaftësi, korrupsion, manipulim votash, që ka lenë vend pa gjykata, ku krimi të vret në mes të rrugës pa gjë të keqe, kërkon të futet në familjen evropiane? Është vërtet marrëzi të kërkosh një gjë të tillë, por ja që nga i marri çfarë nuk pret. Në fund ai do të dali sërsih e të thotë me plot gojën; “Nuk e vras mendjen shumë. Unë e bëra timen. Evropa nuk do, por ju mos u mërzisni se jetën para e kemi dhe një ditë vetë Evropa do të na lutet, si fëmija që kërkon çokollatë, aman futuni. Ndërsa tani për tani si dhuratë për integrimin mbani gishtin e Boschard”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here