Standard.al

Edi Reja: Kam sjellë të rinj te Shqipëria, Manajn ma përshkruan… gjaknxehtë

0

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, foli ditën e sotme në një intervistë të gjatë për “Radio Sportiva” në Itali, në lidhje me aventurën e tij në krye të Shqipërisë, dhe në veçanti për ndeshjet e tetorit.

Reja komentoi lojtarët e rinj që po marrin rolin e liderit në Kombëtare, teksa u shpreh i habitur si italianët nuk e kishin vënë re Marash Kumbullën. Ai preku edhe çështjen e portës te Shqipëria, por përmendi edhe festimet e turqve që shkaktuan aq shumë polemika.

HUMBJA NË TURQI – Shkoi keq për ne në Turqi, sepse në minutën e 90-të humbëm ndeshjen për shkak të një marrëzie. Por, kemi treguar se jemi një ekip që mund të ndeshemi me këdo. Jemi një kombëtare në rritje, por kemi edhe disa limite. Grupi funksionon dhe kemi edhe besimin e tifozëve shqiptarë.

RISI NË KOMBËTARE – Duhet të ndryshoja shumë, duke afruar shumë të rinj. Kam aktivizuar edhe Kumbullën e Veronës. Në të ardhmen mund të bëhet një ekip i mirë, edhe pse fatkeqësisht na iku mundësia për t’u kualifikuar në Europian. Kumbulla ka zgjedhur Shqipërinë, pasi është i lidhur me vendin e tij. Ka luajtur me të gjitha moshat e Shqipërisë dhe prindërit ishin për ta parë. Çuditem si Italia nuk ia kishte hedhur sytë. Ata edhe ndoshta e kanë kërkuar, por tashmë ai ka zgjedhur.

PORTA –Në lidhje me Strakoshën, më duhet ta vlerësoj situatën. Kemi edhe Berishën, ndaj jemi të mbuluar për portën. Është e vështirë të vendosësh. Në fund të këtij cikli do të bëjmë vlerësimet e duhura.

FESTIMET E TURQISË – Pas ndeshjes kundër Turqisë pamë që u rreshtuan dhe bënë një përshëndetje ushtarake. Ishim të befasuar. Janë gjeste që duhet të censurohen. Pavarësisht gjithçkaje, ata e bënë diçka të tillë edhe kundër Francës. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë, që ndoshta do të na kthente ne në rrugën e kualifikimit. Përveç atyre shpresave egoiste që mund të kemi ne, mendoj se do ta kalojnë me një gjobë.

REI MANAJ – Manaj po kthehet. Më kishin thënë që ishte pak gjaknxehtë, por përkundrazi, po vë re një impenjim të madh dhe jam mahnitur. I kërkoj të sakrifikojë në fushë dhe e bën diçka të tillë, ndaj jam i lumtur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të maturohet, pasi është 22 vjeç.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.