Presidenti Meta “fshikullon” qeverinë Rama: Negociatat nuk arrihen me lobime (video)

0
104

Në 10 vjetorin e krijimit të Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë, Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një fjalë përshëndetëse, në të cilën nuk kanë munguar kritikat e drejtpërdrejta për qeverinë, sidomos në lidhje me punën e kryer për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian.

Meta është shprehur se Evropa bën pa shqiptarët, por ndryshe është për Shqipërinë, e cila s’mund të bëjë pa Evropën. Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se shumëkush në vend ka harruar se demokracia nuk është diçka që mbetet në vend dhe fotografohet. Presidenti theksoi  se fatkeqëssiht memorja e kombit është e shkurtër dhe se ëndrra e viteve 90 për një Shqipëri si Evropa nuk mund të vijë pa demokraci të vërtetë, pa zgjedhje të lira, pa media të lirë, etj, çështje që sipas Metës janë aktuale deri më sot.

Meta: Shumë kohë kemi humbur si komb se harrojmë shpejt, dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, sepse ka bërë edhe në të kaluarën, por ne nuk bëjmë dot pa Europën dhe mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund të jenë ata që kanë ëndërruar as në Dhjetor 1990 dhe në vijimësi në këto tri dekada, pa një demokraci të vërtetë dhe funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit e të balancës së pushteteve, pa media të lirë, pa zgjedhje jo konkuruese dhe shumë drejtime të tjera, me të cilat edhe Fondacioni është angazhuar. Por demokracia nuk ngelet në vend, nuk fotografohet. Ajo forcohet, konsolidohet, ose tkurret dhe vdes ngadalë. Ndaj është shumë e rëndësishme t’i rikthehemi në vazhdimësi të kaluarës për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur përsëri në izolim apo arbitraritet dhe për të shkruar llogaridhënien që është vendimtare, që dallon një sistem demokratik nga një jodemokratik.

Shumë drejt e tha profesor Lammerti edhe në ceremoninë që zhvilluam pak më parë: Çdo vend, kushdo qoftë ka qeveri, por dallimi përsa i takon asaj se çfarë përfaqëson kjo qeveri, ka të bëjë pikërisht me rolin që ka parlamenti në raport me qeverinë. Pra është parlamenti dhe populli në përgjithësi që kontrollon apo është e kundërta.”

Meta më tutje iu referua kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman mbi negociatat, duke thënë se Shqipëria nuk mund të shkojë në BE pa kryer detyrat e saj. Meta ka folur për ‘lobimin’ duke u shprehur se një rrugëtim drejt Evropës nuk do të mund të realizohet veçse përmes plotësimit të kushteve të vendosura.

Meta: Pas anëtarësimit në NATO, integrimi europian është projekti më i madh strategjik i shqiptarëve, i papërmbushur. Kam patur gjithmonë bindjen se ky proces përparon vetëm falë zbatimit të reformave me rezultate konkrete dhe jo falë lobimit. Besoj se të gjithë do të kenë qenë të vëmendshëm që këtë e kam theksuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e njohur  mirë edhe procesin.

Në këtë kontekst, dua të falënderoj përzemërsisht Bundestagun gjerman dhe sidomos grupin parlamentar CDU/CSU për mbështetjen shumë të ndershme që i kanë bërë këtij procesi në mënyrë të palodhur!

Ndaj edhe nga të gjithë ne kërkohet një reflektim i thellë dhe serioz edhe ndaj qëndrimit të fundit të Bundestagut, i cili na orienton drejt demokracisë funksionale, sundimit të ligjit, dialogut dhe bashkëpunimit të pazëvendësueshëm politik në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Më duhet ta theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por janë të përsëritura prej të paktën gati tri vitesh në mënyrë sistematike, konsistente, dhe në mënyrën m të ndershme e më me integritet duke na ndihmuar që t’i plotësojmë këto detyrime në kohë, që edhe ata ta kishin shumë më të thjeshtë sot me disa vende anëtare të Bashkimit Europian.”

Presidenti Meta shtoi se: “Këto ditë ne presim vendimin, shpresojmë dhe të punojmë pozitiv mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e t’i konkrete, shpresojmë që t’i bashkohet qasjes shumë të ndershme të Bundestagut për të mbajtur rrugën e hapur për procesin e çeljes së negociatave duke nxitur vendin që t’i përmbushë të gjitha kriteret e domosdoshme.

Ndaj me këtë rast, dua të falënderoj edhe njëherë Fondacionin ‘Konrad Adenauer’ që është përqendruar në mbështetje të këtyre reformave që lidhen me zgjedhjet demokratike, të lira dhe të ndershme, me ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional dhe funksional e të besueshëm, dhe me një mjedis që favorizon më shumë investime serioze gjermane dhe europiane në vendin tonë.

Jam i bindur se Fondacioni do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në këto procese, edhe pse çelësi i suksesit është plotësisht në duart e aktorëve politikë, institucionalë dhe të shoqërisë civile këtu, në vendin tonë.

Ndaj këto të fundit duhet të gjejnë kurajën dhe duhet të reflektojnë për të marrë përgjegjësitë që u takojnë për ta rivendosur vendin në shinat kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, për t’i dhënë fund kësaj krize tërësisht artificiale politike, kushtetuese dhe institucionale që ende mbizotëron.

Ne kemi shumë ç’të mësojmë nga përvoja e bashkëpunimit politik në Gjermani. Prandaj jam i lumtur që për këtë do të flasë sonte një personalitet shumë i madh i Gjermanisë dhe Europës, ish-presidenti i Bundestagut për tri mandate, profesor Lammerti.

Pasi ai ka qenë dëshmitar në vetë të parë i përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kohës që ka drejtuar Bundestagun, nga viti 2005 deri në vitin 2017, me anëtarësimin në NATO, me nëshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, me lëvizjen pa viza drejt Europës, me marrjen e statusit të vendit kandidat, falë meritave të punës së saj.

Ai na ka mbështetur gjithmonë në këto etapa, ashtu sikurse jam i lumtur se do të vazhdojë të na mbështesë tashmë edhe si president i Fondacionit ‘Konrad Adenauer’ dhe vizita e tij është një dëshmi e vendosshmërisë për të na ndihmuar në këtë proces si një mikjashtëzakonisht i vyer.

Pata kënaqësinë dhe privilegjin që t’i akordoja sot profesor Lammertit Dekoratën e Heroit tonë Kombëtar ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’. Rruga e Shqipërisë është pa kthim dhe ka vetëm një,vetëm një alternativë që është ajo e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Identitetin europian të popullit tonë, të kombit tonë e ka përcaktuar kjo figurë e madhe. Dhe jam gjithashtu i bindur se edhe profesor Lammerti, edhe Fondacioni ‘Konrad Adenauer’, edhe të gjithë partnerët tanë në Gjermani do të vazhdojnë të na ndihmojnë që ta përmbushim me sukses dhe natyrisht edhe ne do ta ndihmojmë veten më shumë besoj.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here