Diplomati i njohur: Borchardt, dorëheqje ose non grata. Skandal, s’ka ndodhur kund!

0
86

Zef Mazi diplomat i njohur për shumë vite Shef i Misionit (ambasador) i Shqipërisë në OSBE, në OKB, në Britaninë e Madhe dhe në Republikën e Irlandës flet në këtë intervistë për DITA mbi incidentin me z.Borchard, kryetar i Prezencës të OSBE-së në Shqipëri.

Z.Mazi ka shërbyer për disa vite në Sekretariatin e OSBE-së dhe për shtatët vitet e fundit ka shërbyer si Asistent Special për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

“Xhesti i Borchard-it nuk është parë dhe nuk është dëgjuar të ketë ndodhur në asnjë vend tjetër ku ka misione OSBE-ia në terren deri tani! Kjo është skandaloze” – thotë Mazi.

Më poshtë intervista e plotë botuar sot në Dita.

Me ambasadorin Mazi bisedoi zv.kryeredaktori i gazetës Dita, Erion Habilaj:

Kemi parë këto 24 orë revolta jo të vogla e mjaft shkrime ndaj një xhesti të Borchard-it, Kryetar i Prezencës të OSBE-së në Shqipëri, drejtuar njerëzve në protestë. Si veteran i KSBE/OSBE-së, çfarë komenti do kishe?

Më vjen mirë që i referoheni ashtu siç është emërimi i tij: Kryetar i Prezencës të OSBE-së në Shqipëri. Në një artikull tek ju para dy javësh kam sqaruar se OSBE-ia nuk emëron, pra nuk ka, ambasadorë në asnjë vend. Ajo nuk ka personalitet juridik, dhe emëron kryetar misioni ose prezence. Ai mund të ishte ambasadori i Gjermanisë nëse, për shembull, Gjermania vendos ta emërojë të tillë diku, por jo i OSBE-së.

Xhesti i Borchard-it nuk është parë dhe nuk është dëgjuar të ketë ndodhur në asnjë vend tjetër ku ka misione OSBE-ia në terren deri tani! Kjo është skandaloze! Ai duhet urgjent të përzihet nga vendi ynë si person “non-grata”, ose t’i kërkohet urgjent të japë dorëheqjen vetë, duke i caktuar edhe datën e qartë kufi për ta bërë këtë veprim. Ndërkohë, të informohet urgjentisht Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së për xhestin e turpshëm të tij dhe për vendimin pa ekuivok, pa asnjë droje, të Shqipërisë për ta larguar nga vendi ynë. Mund të bëhen presione nga ndonjë vend, por aspak nuk duhet qe vendi të përkulet para presioneve.

Kjo është rruga e vetme dhe më e mirë për të demonstruar se na paska mbetur një fije fare e hollë shteti, se ky shtet mbron interesat e qytetareve të tij dhe nuk lejon që të tallet dhe t’i fyeje ata një farë Borchard-i. Çdo vend normal do ta kishte bërë këtë gjë urgjentisht, do ta kishte “zhdukur”, si thotë populli, duke theksuar se ky përfaqësues i OSBE-së nuk është aspak i denjë dhe në gjendje, ai nuk mundet të vazhdojë më tej punën e tij në vendin tonë.

Tek ne duket qe nuk ka shtet si duhet, nuk ka shoqëri civile, as media, asgjë të kësaj natyre, që atë njeri ta bëjë zhele dhe njerëzit ta marrin me vezë e me bori derisa të largohet nga vendi, jo siç kemi bërë ne, duke pranuar zgjatjen e mandatit te tij.

Cili mendoni se duhet ta kryeje atë punë, që ta përzërë nga vendi Borchard-in?

Nuk duhet menduar shumë për këtë gjë, është e thjeshtë, praktikë e njohur ndërkombëtarisht. I ngarkuari me detyrën e ministrit të jashtëm duhet ta thërrasë dhe t’i komunikojë vendimin e Shqipërisë për ta shpallur person “non grata” e për t’i kërkuar të largohet urgjentisht nga vendi, ose për t’i kërkuar dorëheqjen deri në një datë të caktuar (10 ditë kohë), pas të cilës ai shpallet automatikisht person “non grata”.

Ky i ngarkuar me detyrën e ministrit të njoftojë direkt Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së si dhe, përmes ambasadorit në OSBE në Vjenë, t’ia komunikojë këtë vendim urgjentisht dhe me shkrim, përmes një Note Verbale.

E lejon kryeministri këtë gjë?

Vendi, shteti, nuk është as pronë dhe as çiflig i Kryeministrit. Ai është thjesht administrator i parave publike të taksa-paguesve. Kur nuk i administron ato mirë dhe siç pritet, ai nuk votohet më.

Kryeministri do i vendoste vetes një fytyrë të mirë nëse e mbështet menjëherë, pa ekuivok, këtë rrugë dhe këtë vendim të drejtë – Borchard-i duhet larguar urgjentisht nga vendi. Ai kështu ruan dinjitetin e vetes, të vendit dhe të popullit te tij. Kjo njollë e turpshme, e kësaj natyre, do na ngelet për kohë të gjatë nëse kjo rënie pikiate nuk ndalet tani urgjentisht.

Para disa ditësh lexuam një artikull rreth vizitës në Beograd të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së. Ai aty kishte lavdëruar Serbinë për kontributin në stabilitetin rajonal dhe kishte përgëzuar mbështetjen e Serbisë dhe qëndrimet konstruktive të saj për të ndihmuar që kryesia e radhës e Shqipërisë në vitin 2020 të jetë e suksesshme. Keni ndonjë koment?

E lexova edhe unë atë shkrim të shkurtër. Të kesh mik apo ta duash një vend dhe disa drejtues në një vend nuk ka asgjë të keqe. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE njihet gjerësisht për miqësitë dhe debulesat e tij në drejtim të atij vendi. Ai ka shërbyer, ka lidhje e njohje me një numër njerëzish atje. Bile ka zëra që edhe shefin e tij të kabinetit ai mund ta marrë nga ai vend!

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së është thjesht “Chief Administrative Officer” (Nëpunësi/Shef i Aspekteve Administrative), asgjë më tepër, përveç ndonjë rasti të veçantë kur ai ngarkohet të përçojë një çështje e veçantë politike nga Kryesia e Radhës. Kjo duhet ditur mirë.

Eshtë për të ardhur tepër keq dhe për t’u nervozuar sesi arrin të thotë këto fjalë një Sekretar i Përgjithshëm si ky i OSBE-së. Uroj që këto fjalë që po them t’ia përkthej dhe t’ia dërgojë në Vjenë Prezenca në Tiranë, siç bën ajo edhe për raste të tjera. Gjithkush e di se Serbia ka plot 10 vjet a me shumë që nuk po le gur pa lëvizur, kudo në botë, në çdo vend e institucion, për të penguar në mënyrë të organizuar gjithça për Kosovën dhe përreth Kosovës përfshirë, së pari, ecurinë e njohjeve ndërkombëtare të saj. Kjo bëhet në mënyre tepër të organizuar e të koordinuar nga qendra atje. Mos vallë kjo i duket Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE së i shërben stabilitetit të rajonit?!

Gjithashtu, mua nuk më rezulton deri tani aspak që Serbia të ketë dhënë ndonjë kontribut për të ndihmuar suksesin e kryesisë shqiptare në vitin 2020. Ndoshta vetëm ndonjë “internacionalistit” i yni mund ta kuptojë se na qënkësh kështu! Mua më del gjëkundi të jetë kështu, përkundrazi, zero ndihmë deri tani dhe vetëm pallavra boshe nga një anë dhe shkopa në rrota nga ana tjetër.

Cfarë duhet bërë në këtë rast, sipas jush?

Sipas meje, i ngarkuari me detyrën e ministrit duhet menjëherë t’i bëjë telefonatë e t’i shprehë shqetësimin e madh të vendit tonë për këto fjalë deklarime të Sekretarit të Përgjithshëm. Nga MPJ atij t’i dërgohet Note Verbale me gjithë shqetësimet tona, duke i theksuar se kërkojmë shpjegime zyrtare pse ka thënë kështu, ku i ka mbështetur dhe ku i mbështet ai ato deklarata, kush i ka thënë që është kështu si ka thënë ai, përse besonte ai se është kështu, etj.

Shqipëria nuk ka pasur asnjë ndihmë dhe, sa kuptoj unë, nuk pret një të tillë nga Serbia. Këtij Sekretari t’i kërkohet shpjegim zyrtar dhe të korrigjojë çfarë ka thënë, ose t’i tërheqë ato fjalë. Ambasadori në Vjenë, me porosi të titullarit të tij, t’i paraqesë Notë Verbale direkt në takim me të, ku t’i shprehë metë shkruar dhe me gojë gjithë shqetësimet e thella për këto deklarime.

Çdo shtet normal që mund të prekej në pika delikate të interesit jetik kombëtar, si këto në këtë rast, do të reagonte menjëherë, fort, në këtë mënyrë dhe nuk do ta lejonte aspak që të kalojë kjo gjë lehtësisht. Çdo veprim apo mëdyshje në këtë drejtim do të na zvogëlojë edhe më shumëse ç’jemi ndaj vetes tonë dhe në sytë e botës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here