Standard.al

Ankthi i Komisionit të Festës

0

Nga Agron Gjekmarkaj

Prej disa javësh një dilemë e madhe vërtitet mbi kokat e trazuara të shqiptareve ! Gjumi nuk është më ai i pari, i rëndë plumb si i shqerrave nën hije të lisave motak! Gërrhimat që dridhnin xhamat prej furisë janë t’holluar si feshfërimë puhize! Siguria është zëvendësuar me maraz ! Vetëdija me tranim! Horizonti me re të dendura  si shtellunga leshi apo  si vetullat e një Kryetari Akademie! Shpresa në pikëllim! Kryeministri, mjekrra e të cilit po zgjatet e thinjet, e cila  disave u duket si e Ismail Qemalit , po i ysht bashkëkombasit të mendojnë që hezitimi i Europes për të na hapur negociatat nuk paskësh lidhje me bëmat e tij dhe të qeverisë së tij, por me hallet që kanë pllakosur kontinentin i cili ecën ngadalë si një ka plak që s’di të lëroje tokën e vet!

Pa e thënë por duke e nënkuptuar po i akuzon europianet për trashesi mendore që nuk e rrokin dot gjenialitetin e tij ! Për të verbert që nuk e shohin selametin që rrethon vendin në këto gjashtë a shtatë vite po kaq! Për të shurdhet që në Kryeqytete nuk ndalen të dëgjojnë fjalimet e tij me autoporlantë  plot thagmë e bujë si një leksion i madh për qytetërimin europian edhe!  Faji i tyre krejt kur mendojnë që korrupsioni e ka mbërthyer në çdo qelizë vendin medoemos ! Mendjelehtësi e kulluar kur një gjë fare te vogël si mos ekzistencën e sistemit të drejtësisë e vënë në dukje me piskamë  apo atë çka ka mbetur prej tij e konsiderojnë të kontrolluar politikish, sigurisht! Eh, delikatesë spitullaqesh e perdrellakesh ngjan  vënja e theksit të kriza e rënde politike ! E çfarë nevoje paskemi për opozitën? Shqipëria ka gjetur rehatin që priste! Protestave jug jet dermani vrap e në burg kush turbullon ! Një duzinë nga Unaza e re me një dorë !

Harbuteri të kujtosh ore çast të inkriminuarit në parlament e pushtet lokal ! Qyrykët na kritikojnë për kanabisin e drogën a thua se këtu bëhet ndonjë punë tjetër ?!Gjynah të pikëllosh hajdutet e votave e tu kujtosh epilogun gjyqësor , njerëz janë një hall e kanë patur që e kanë bërë! Duhet vënë dora në zemër nëse e kanë ënde në kraharor ! Pse një e dy i duhet kujtuar se populli po ikën ndërsa qeveria mbetet, domethënë qeveri pa popull ! Muhabet është ky?!  Ai,  Kryeministri francez një cinik i poshtër një e dy aty e gjuan llafin ! Si mund ti hapim negociatat një vendi në krye të listës së azilkërkuesve thotë i pafytyri !!!? Po nga rilindja urbane, nga trotuari i Belshit dhe qendra e Shijakut pse nuk magjepsen?

Më të poshtrit në këtë histori u deftyen holandezët në mos ndryshofshin mendje pas reflektimit që një letër e pazakontë i molepsi ! Vetë ato,  tetë ministresha të qashtra, u mblodhën tok në ballkonin e Shqipërisë e sytë hodhën nga Europa dhe i bënë selam,  lanë punët e mëdha që bëjnë, ashtu të përzhitura dertesh, ngarkuar me shqetësim, me zemrën që ju rrihte prej patriotizmit , me penën  e identitetit europian , i shkruan krajlit të tyre një manifest që te rrëqethtë mishtë ! Pas çdo rreshti fshihej një mundësi për tu zalisur ! Pas çdo paragrafi lotët këputeshin si ftua nga dega ! Në fund të vije të thërrisje , lum  Shqipëria për këto vasha burrnesha që ke të cilat si motra e Gjergj Elez Alisë po mbrojnë ërzin e vatanit në ditë të kiametit !

Holandezet do të kenë frigorifer në vend të xhanit ! Atë letër e ka firmosur vetë Elisa, Margeriti, Manastirliu,  Nepi, etj  ! Nuk ju thokan asgjë këto emra atyre teksa në sokaqet tona mileti i kqyr si shenjtore? Si mund ti prishet qejfi Nepit ? Një luftë botërore është pesë me hiç ndanë mërzisë që i kanë shkaktuar ata gjind shpirtkazem! Koloneli Tomson  çou nga varri e futu një dajak atyre palo parlamentarve holandezë ! Që tu nxehej gjaku, që tu ngrihej logjika, ka nga ata që thonë se prisnin një letër më me ojna e sentimentalizma  nga Cakaj, Brace, Shalesi, çuçi, Majko etj  pas qortimeve që Gramozi u pat bërë kohë më parë ! Ministrushet nuk duhet të bien pre e merzisë ! Një tjetër vikamë e tyre me dy faqe pritet për Makronin  e metaltë ! Fjala e tyre në perëndim ka peshë të madhe ! Oriana Falaçi u merrte të keqën për nga rëndësia !

Komisioni i festës është ai që po kalon ditët e ferrit ! I kompozuar prej katër vitesh nga Kryeministri atij i digjen skenarët në dorë ! Këtë vit i ka ndërruar drejtimin !  Harxhet e festes zënë myk neper magaze ! Mimi Kodheli si intendentë për miellin dhe petullat tha një fjali që zu mat të vegjël e të rritur, edhe po  nuk na u hapen negociatat më mirë do të jete për ne ! Mos vallë festa do bëhet njësoj? Mos aromë e byrekyt do na ledhatojë hundët?  Zërat në Tiranë nuk reshtin së pohuari që në garazhin e madh poshtë sheshit Skënderbe, ku do të strehohej akademia e shkencave në rast bomardimi me kaçatorr nga shkrimtari austriak pro Milosheviç Peter Hanke , po hynë pa pushim, mzeter, desher, cjepër, kazanë, tenxhere, piata, garuzhde, dru zjarri , sallam, fuçi birre, verë, raki, birrë e të tjera miradina !

Me gjasë të gjitha këto janë harxhe feste ! Komisioni kësaj herë do jetë me ish ministra si mundësi rehabilitimi ! Ditmir Bushatit thuhet ti kenë lënë të lexojë para njerëzisë letrën e tetë ministrusheve ndaj Holandes me një farë interpretimi, solemniteti e dihamash! Mbi të  gjitha  pritet të lëshoje konsideratë për këtë akt diplomatik kaq të lartë e stolisur me dhimbje  në lartësinë e të cilit vetë nuk u ngrit kurrë ! Fatmir Xhafes i janë lënë për lexim replikat e fundi të liderit në Parlament me Gjuz qerratanë,  sidomos dialogjet ku thumbohet Europa ! Niko Peleshi pret e derdh dekorata në një kovaçhane në periferi të Korçës për heronjtë e procesit ! Ikonomi me Ahmetajn bëjnë hesapet sesa shkon gazmendi i përgjithshëm kombëtar dhe çfarë duhet të nxjerrin nga xhepi i tyre, trokë ?! Lindita Nikollen  një mund i madh e pret, meqenëse Rama i ka besuar regjistrat e partisë, do i duhet  të numëroje  të gjithë të ftuarit me makinë llogaritëse ulur tek hyrja  !

Të  pakënaqurit, surratngrysurit, sfotuesit,  dallaverexhinjët, orekspreret, shpifësit, ata që nuk hanë e pinë sat u bëhet plenci kacek  apo cojnë dolli me ujë për liderin do të jenë nën mbikyrjen e rreptë e besnike të ministrit të brendshëm, socialist i orëve të vona, që shfaq militantizëm të më shumtë se çdo socialist i orëve të të para, i cili pas jahengut pritet të bëjë një deklaratë nga të vetat, plot lartësi mendimi pa patetike e folklor,  kundër popullit opozitar syplasur që nuk gëzohet si ai !

Damjan Gjiknuri do shtrojë një rrugë të re nga Rinasi në shesh për 300  milon euro ! Kumbaro ka më të besuarën e detyrave, vetë korrigjimin e fjalimit të Liderit dhe rishkrimin e tij në pergamenë si dikur abacive  !

Ndonëse qerohen patate, qepe, hudhra, grihet mish, shtrohen petë  e lahen gota pasigura për fatin e festes është therëse! Fati i komisionit pastaj do marrë tatëpjetën po nuk u hapen negociatat  ! Një shpresë mbetët tek Gramozi i cili sido që te vejë  do ti gëzoje veteranet të cilët  ndonëse ishin 5 vjeç kur bëhej lufta i thyen dhembet nazi fashizmit  nga pelenat ! E meritojnë një tasqebap të mirë të uruarit ! Një rrezik sillet mbi ketë ditë të bekuar ! Ankthi qenka firaun i madh e nuk paska të sosur ! E gërryen njeriun e gjorë aty ku se pret ! Europë haram e paç nëse për fajin tënd nuk i pranon sukseset e Oratorit të madh  ! Po kaq po i pranove me ato palo kushte që na bëjnë me njollë e mbi te gjitha na lodhin e plakin Kryeministrin o të pa hajer ! Po të keni mend në krye e merrni t’ju qeverisë ju se  ne nuk e meritojmë ! Ju zgjidh problemet e Brexit me Angline , marrdhënjiet me Trampin, luftën në Siri e çdo travajë që shfaqet ! Le t’ja ndiejmë pak mungesën  shejtanit e kur te këputemi nostalgjie këtu i kemi tetë ministrushet që i bëjnë telegram !/Panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.