Shqipëria, një palë çitjane që Rama ia dhuron Vuçiçit…

0
136
Nga Alfons Zeneli 

Aleksandër Vuçiç në konferencën e sotme për shtyp tha se kamionët tanë humbin 26 milion orë dhe kjo përbën humbje të madhe.

Nuk po i hyjmë farë analizës ekonomike apo përllogaritjes se kush i zotëron shumicën dërrmuese të kamionëve në fjalë. Rama përsëriti fjalë për fjalë të njëjtën gjë. A thua ta kenë përllogaritur të dy njëkohësisht në mënyrë të pavarur nëmurin e kamionëve? Them se jo.

Vuçiç tha në konfenrecë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave me BE dhe nëse këto negociata shtyhen atëherë nuk do të thotë se fajin e ka Shqipëria por BE me problemet e tij të brendshme.

Të gjithë e dimë se këtë frazë në mënyrë të përpiktë fjalë për fjalë e përsërit tash sa kohë edhe Rama.

Edhe Rama edhe Vuçiç pohuan në dyzen të plotë se ne nuk jemi prioritet i Evropës. Evropa ka prioritet vetveten. Kështu që në këto kushte ne nuk kemi kohë të presim atë por duhet të shohim punën tonë. ‘Tashmë duhet të vendosim vetë për fatin tonë’, kjo ishte fraza e shqiptuar nga presidenti serb dhe kryeministri shqiptar. Nënteksti është i qartë: nuk kemi pse të presim më kushërinjtë e largët evropianë por duhet të merremi vesh e të forcojmë vëllazërinë me serbët.

Pra jo çuditërisht kemi të bejmë me një unitet absolut pikëpamjesh midis Ramës dhe Vuçiçit sa i përket qëndrimit ndaj Evropës. E vërteta është që Serbia në rastin më të mirë nuk është aleate dhe dashamirëse e Shqipërisë.

Pra praktikisht, Rama është duke bërë aleancë me armiqtë e shqiptarëve kundër miqve dhe aleatëve të vërtetë duke i dhënë skenarit dhe interesave pansllave një zhvillim të ri pozitiv të paparë ndonjë herë.

Pikërisht këtë gjë pat deklaruar Vuçiç ndonjë vit më parë në promemorien drejtuar popullit serb ku thoshte se ‘ne do e fitojmë me diplomaci atë që humbëm me luftë’. Rama tha se ‘historia nuk mund të taksojë të tashmen’.

Si shprehje filozofike duket në rregull. Por ajo nuk ka aspak si qëllim qetësimin global të gjakrave në rastin kur të dyja palët kanë faj. Kjo tezë po vendoset midis dy palëve kur gjithmonë agresori gjakatar kanë vetëm serbët.

Sipas Ramës fajin nuk e kanë serbët e djeshëm dhe të sotëm por e ka ‘historia’ duke e anashkaluar faktin se kush e ka luajtur rolin e barbarit në këtë histori. Barazitimi i viktimës me agresorin është thelbi i politikave dhe diplomacisë së sofistikuar serbe.

Këtë punë, është viktima, pra vetë Rama që po ua zgjidh hallin pa asnjë harxh. Ideja është që ‘baruti’ në përbërjen e ‘fuçisë ballkanike’ të prezantohet si produkt i përbashkët dhe se fitilin nuk ia kanë vënë serbët.

Tashmë nuk ka më asnjë pikë dyshimi se çfarë aspiratash ka Rama për Shqipërinë. I vendosur në pozitë të pashmangshme dhe pa asnjë alternativë ai po e pranon haptazi dhe pa asnjë kompleks se Evropa për të është e huaj.

Termi ‘Ballkan Perëndimor’ potencohet dhe vihet në qarkullim me qëllim që të fiksohet si fakt i kryer natyral në psikikën e popujve ballkanikë dhe për t’u marrë si version absolut, si fat i parathënë, për ta trajtuar tërësinë gjeografike si një unitet social, ekonomik e politik të patjetërsueshëm, si një unitet që nuk ka kurrfarë lidhjeje racore, kulturore dhe interesash me Evropën armike.

Kjo pikëpamje e gatuar në kuzhinat e pansllavizmit është qartësisht një skemë gllabëruese për shqiptarët dhe bazamenti më i lakmuar e i vetëm i serbëve për të siguruar hegjemoninë sllave në gadishull.

Minishengeni i shpallur sot në qendrën e tij të ardhshme Serbi, është i paralajmëruar që më herët nga Rama dhe Vuçiç. Rama e ka nxitur me dashje pakënaqësinë e BE ndaj nesh, i ka dhënë Shqipërisë fytyrën e një shteti kaotik të padëshirueshëm e të kritikueshëm prej Evropës pikërisht për ta përdorur si pretekst për largimit prej saj dhe afrimin me Lindjen sllave. Të njëjtën gjë bëri dhe Enver Hoxha ekzaktësisht.

E izoloi vetë Shqipërinë nga Evropa dhe pastaj ankohej se jemi nën rrethim të egër imperialisto revizionist. Edhe atëherë vënia e Shqipërisë nën vasalitetin poshtërues serb përshkruhej si ‘bashkim doganor’ për shkak të të cilit pasuri kolosale të kombit shqiptar u përthithën nga Beogradi.

Ky bashkimi doganor i sotëm do të sillte ardhjen me shumicë dhe të shfrenuar të mallrave serbë që janë ekskluzivitet i klientëve të Ramës, pra i analisto-biznesmenëve që kanë gjithë jetën që u shërbejnë për këtë arsye interesave serbe dhe tezave për ndarjen e Kosovës dhe për bashkimin e Shqipërisë me Serbinë.

Minishengeni Rama – Vuçiç përbën gjithashtu dhe një akt të thellë tradhëtie ndaj Kosovës duke shpërfillur totalisht egzistencën e saj dhe duke shpallur si prioritet vëllazerimin internacionalist me popullin serb kundër nacionalistëve kosovarë.

Akti i Ramës përbën rrezikun më të madh që i është kanosur ndonjëherë Shqipërisë. Marrja e një vendimi të tillë, hyrja nëpër pazare të tilla me rëndësi jetike gjeostrategjike për mbarë kombin pa u konsultuar me askënd, mund ta minojë përfundimisht të ardhmen tonë euro atlantike.

Rama po e trajton Shqipërinë si një palë çitjane nga garderoba e tij personale të cilat duhet t’ia dhuroje Vuçiçit për t’i veshur e për t’u dukur trendy në pasarelat e fitoreve të pansllavizmit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here