Standard.al

Kur të jep mend Lali Eri për shkencë e akademizëm, atëherë e kupton se po i  vjen fundi botës

0

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

 Debati për Kopshtin  Botanik është shumë i herët, ose jashtë modestisë e kam theksuar së paku këtu e muaj më parë, se shkaku i shkarkimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk ishte për çështje parimore. Ishte thjesht për interesa të mëdha pasurore. Dhe bëhej fjalë pikëshit sesi mund të kafshohej Kopshti Botanik, ashtu sikundër u zhduk një sipërfaqe goxha e madhe e Universitetit Bujqësor, e “bekuar”, nga vetë Lali si sipërfaqe e gjelbëruar, pjesë e pyllit orbital. Tani radhën e ka Kopshti Botanik, më pas oborret e shkollave, të universeve, derisa betoni të na varros së gjalli në qytet. Ajo që bëri përshtypje në datën 9 tetor, është padyshim reagimi i Lalit, në televizion.

Çfarë i dogji Lalit që me një gjuhë prej një njeriu të rrugës, ju sul kundër akademikëve?

Me shumë gjasa, ka presion të madh prej atij/atyre që u ka premtuar një pjesë të majme të qytetit, për ta kthyer në qendër shërbimesh biznesi, e po mbeti ndonjë copë tokë diku tek 100 metër katror, ta përdori për ndonjë kopsht me kapacitet 100 fëmijë. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet fakti që Lali i cili tregohej “kaq i kujdesshëm” ndaj akademikëve, befas t’i marri nëpër gojë si gratë e liga të lagjes, cilido që kalonte në sokakët e tyre. Dihet fare mirë që pasardhësi, po i bën mirë llogaritë, se të vish në pushtet në një të ardhme të duhen pare pa fund, mbështetje e botës së errët dhe mbi të gjithë biznesmenët që nuk të lënë kurrë në baltë. Lali na kujtoi se Kopshti Botanik  është një “landfill” Përnjëmend e ke Lali, apo ke filluar të besosh edhe gënjeshtrën tënde. Së pari nëse ka ferra e driza, dil e bëj një aksion spektakolar, si ato të tuat,m në shi e në breshër, me lopatë e kosë në dorë, e ja vajtën edhe ferrat tek kopshti e ja bën dhuratë studentëve që i ke aq xhan. Së dyti, nëse është landfill i mbuluar nga ferrat, që ti kërkon ta shpëtosh, përse nuk e ke bërë të madhe kohë më parë, se nuk u bë Kopshti Botanik landfill, nga marsi e deri më tash.

Pastaj ne kemi gjysmën e Tiranës landfill prej mëngjesi në darkë, e zotrote, na jep pamje “magjepsëse” të grave, që bëjnë joga e meditojnë në Parkun e madh, nën regjinë dhe kujdesin tënd. Si për të na kujtuar se di edhe ti të shash e se je njeri me gjak dhe shumë i ndjeshëm, “kur preket interesi i publikut”, na kujtove që “nuk ishe legen”, e “ se i kishe begenisur kaq shumë profesorët,  sa haram e paçin qëe u kishin të mirën në dorë e para syve dhe nuk e kuptonin dot”. Me  një gjuhë të pa precedent edhe për pushtuesit në një vend, i drejtoheshe në merr Rektorit të Universitetit të Tiranës, duke e akuzuar për 5 mijë leshet që kishte marrë prej nuseve? Po kur merr jetën e një njeriu në landfill, Lali, si quhesh: Legen, kriminel, i pashpirt, xhahil, vrasës, një qenie pa ndërgjegjje dhe ndjenjë? Po kur shkatërron arsimin në një vend, si quhesh, sharlatan, i pafytyrë, drutë shkurtër? Ja më thuhej si quhesh? Ah po. Ke të drejtë. Këtu jemi në shtetin që po falsifikove një diplomë e shkon tek krimet e rënda, dhunon e vjedh vota por të harrohet emri se je dikush, shumëkush, deputet, kryetari i bashkisë, prefekt, drejtor e në shumë raste, aset i paçmuar në Drejtorinë e Policisë. Njësoj si shefi jot edhe ti mendon, se të qenit i shkolluar është një disavantazh për individin dhe vendin. Zaten sa kohë je vetë pa shkollë, e me diploma që një dreq e di se ku i ke marrë, do të turresh me tërbim gjithnjë e më të madh, ndaj atyre që përfaqësojnë vlera në fushën e diturisë. Madje Lali, u thellua edhe më tej në ligjërimin e tij mbi akademizmin: Na dha mend sesi mund të bëhet kërkimi shkencor.

Po çfarë di Lali për kërkimin shkencor?

Shumë gjëra, që ne të varfrit nuk i dimë. Për shembull, Lali di si të ndërtojë një OJF, të marri lek, në emër të “zgjimit” nga gjumi të injorantëve shqiptarë, “gjithnjë në shërbim të shoqërisë ideale”. Lali di të kthej shoqatën në parti, të marri një pjesë të mirë të anëtarëve të saj e t’ja ngarkoj qeverisë, menjëherë pas zgjedhjeve e në fund të bëjë politikën e madhe. Besoj se në këtë rast ai është shumë më efektiv se çdo akademik. Nuk ka përse ndjek një filozofi të caktuar, e aq më pak të lexoj rreth saj. Nuk i duhet fare të dijë rreth Platoni, Senekës, Sokratit, Coceronit, Dante Aligerit, Volterit, Didwroi-t, Xhon Lok, Niçes, Benedeto Kroçes apo Umberto Eko-s. Jo. Këta janë të dalë boje e mode. Të merresh me kotësirat e teorisë së tyre është humbje kohe. Dhe këtë Lali e ka kuptuar prej vitesh.  Koha është flori se vetëm duke e përdorur atë në interesin tënd dhe kundër publikut, mund të bësh pasuri pafund, pa ju referuar askujt përveç vetes, pa i ndarë me askënd, përveç, pa menduar për asgjë përveç ambicies dhe etjes tënde të sëmurë për pasuri i dashur Lali Eri.

Prandaj ti nuk e çan shumë kokën as për profesorët, as për akademizmin e aq më pak, për Kopshtin Botanik, këndin sportiv të Qytetit Studenti, sipërfaqen e dedikuar për praktikat mësimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shembjes së ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Tiranë , shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, e shuam të tjera që presin në radhë. Për Lalin është me shumë rëndësi projekti fitimprurës i betonimit. Në emër të këtij projekti është gati t’i vërsulet kujtdo: Pedagogëve, dekanëve, rektorëve, e të gjithëve, të cilët, ai ka privilegjin t’i quaj “legena, përfitues të 5 mijë lekshave, njerëz që nuk marrin vesh nga kërkimi shkencor”, e tjera, e tjera. Lali ja ka dhënë  këtë privilegj vetes. Lali ka të drejtë të bëj si të dojë, sa kohë nuk ka njeri t’ia ndal dorën. Se deri kur di të ndodhë kjo,  askush nuk e di ta thotë e aq më pak unë qytetari i përulur i qyteti që ai e komandon, e kam  edhe më vështirë ta parashikoj. Ndërkohë uroj që pedagogët t’i shkojnë deri në fund qëndrimit të tyre. Studentë të jenë gjithnjë e më të shumtë, në krah të tyre dhe sigurisht më shumë qytetarë. Vetëm forca qytetare mund ta lëkund nga froni ku mendon se është i pa cenueshëm dhe askush nuk ja vë në rrezik. E deri atëherë, bën mirë që ti vë fre gojës së tij të shthurur për çdokënd, e në veçanti kur flet për akademikët dhe shkencën.

 

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.