Haradinaj mesazh të fortë diplomatit të BE: ‘Kosova s’është shtet nëse s’e njeh Rusia e Kina’

0
149

Kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, një ditë pasi humbi zgjedhjet, vjen me një mesazh të fortë mbi raportin e Kosovës në Bashkimin Europian si dhe njohjen e pavarësisë së saj.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Haradinaj i është kundërvënë Josep Borrell Fontelles, i cili është nominuar që të zëvendësojë Frederica Mogherinin. Duke i kthyer përgjigje diplomatit të BE-së pas deklaratës së tij se ‘Kosova nuk mund të jetë shtet nëse nuk njihet nga Rusia, Kina dhe India, Haradinaj tha se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit.

REAGIMI I HARADINAJT
U deshën dy vite sensibilizim ndërkombëtar dhe rezistencë aktive për mospranim të devijimit të dialogut të Mogherinit – nga ai i normalizimit të marrëdhënieve, në atë të korrigjimit e shkëmbimit të kufijve e territorit. Kur kërkova rol aktiv amerikan në dialog në fund të vitit 2017, atëkohë sapo kisha marrë detyrën e Kryeministrit, zonja Mogherini dhe ekipi i saj u alarmuan dhe anuluan konferencën e përbashkët të paraparë për shtyp. Ngjashëm ndodhi në fund të vitit 2018, kur ne asokohe veç kishim ndërmarrë masat parandaluese të nevojshme për të ndaluar avansimin e ndarjes së Kosovës.
Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së.

Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit. Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit.
Kosova është me fat që e ka bekimin e shumicës kritike të shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë të na përkrahin në secilën fushë. Deklaratat e tilla, sidomos para konfirmimit të pozitave me ndikim në institucionet evropiane, provojnë qartë nivelin e ultë të kredibilitetit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga z.Borrell.
Kosova pret seriozitet dhe respekt të ndërsjellë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, sidomos tani që udhëhiqet nga Gjermania. Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së.
Kosova që nga viti 2017, nuk pranon trajtime nën nivelin e shtetësisë dhe sovranitetit të plotë të saj.
RH

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here