Standard.al

“Projekti u përurua në kulmin e fushatës ku Edi Rama kandidonte për…” Mërtiri: “Kthim në identitet”

0

Ergys Mërtiri

Edi Rama është profili më tipik dhe më i ekzagjeruar i politikës së spektaklit dhe monopolizimit të vëmendjes në Shqipëri. E gjithë veprimtaria e tij përqendrohet tek propaganda, në qendër të së cilës është imazhi, i zhveshur plotësisht nga përmbajtja. Pamja e tij, retorika si dhe i gjithë aktiviteti i tij politik, tregojnë se si politika mund ta kthejë të shfaqurit si qëllim në vetvete, duke neutralizuar çdo funksion apo qëllim tjetër. Nga ky kuptim, më shumë sesa një korrent politik brenda së majtës, Rilindja është një agjenci marrëdhëniesh me publikun, e cila bombardon opinionin me stimuj marketues, të krijuar për të paralizuar çdo perceptim të pavarur të realitetit, si dhe çdo gjykim kritik.

Që në fillimet e veta në angazhimin e tij në Partinë Socialiste, Rama e nisi me një projekt të mirëfilltë imazhi, të markuar me logon “Kthim në identitet” . Projekti nuk ishte gjë tjetër vetëm se një iniciativë e rëndomtë në nivel komunal, për lyerjen me bojë, suvatimin dhe ndriçimin e fasadave të godinave qeveritare në qendër të kryeqytetit. Ndonëse, në thelb, ishte thjesht një projekt rikonstruksioni, ai u shit si një vizion i ri në politikën shqiptare, i cili premtonte rikonstruktimin e të gjithë tranzicionit postkomunist.

I perceptuar si një projekt i Ministrisë së Kulturës, jo i Bashkisë së Tiranës, dhe i pagëzuar me një emër që revokon sentimente identitare, projekti u shit si një vizion i ri kulturor e zhvillimor, i panjohur deri atëherë. Bashkë me suvatimin e fasadave, projekti Rama po sillte një politikë të re, që do të suvatonte fytyrën e një Shqipërie të lodhur e të vuajtur nga diktatura e pasdiktatura. Rama paraqitej si projekt i një politike ultramoderne, krejtësisht ndryshe, me një vizion të ri që dukej se i përgjigjej mentalitetit perëndimor të shumëdëshiruar.

Në fakt, si kryetar bashkie, Rama nuk ofroi asgjë në planin identitar të Tiranës. Betonizimi i qytetit dhe shkatërrimi i disa prej objekteve të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore, të instaluara si shenjues historikë në memorien urbane të tij, tregon të kundërtën e asaj që ai pretendonte. Peizazhi urban, përtej zhvillimeve të pritshme të një vendi të dalë nga një sistem ekonomik i centralizuar, nuk reflekton asnjë kujdes për të ruajtur çfarë është e mundshme nga trashëgimia e tij.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi kryetarin e bashkisë të propagandojë se përfytyrimi i tij, si një artist avangardë, ndërlidhte trashëgiminë dhe respektin ndaj të vjetrës me zhvillime të një vizioni modern mbi të ardhmen e qytetit. Në realitet, vizioni i tij ishte vetëm një spektakël betoni, ngarkuar me snobizëm arkitekturor, pas të cilit fshiheshin interesa korruptivë klientelistë.

Projekti filloi me pompozitet të jashtëzakonshëm, e madje fyes për inteligjencën e një publiku mesatar që ia vret veshin një bombardim propagandistik aq i madh për aq pak punë. As kostoja financiare, tmerrësisht e lartë për xhepat e një shoqërie të sapodalë nga 97-a, as akuzat e shumta për shpërdorime fondesh, nuk ia zbehën shkëlqimin. Tundimi i një politike të tillë tejkalon çdo analizë racionale, sepse propaganda, në thelb, funksionon pikërisht për të pezulluar forcën e mendimit në gjykimin e një oferte politike.

Dhe Rilindja ia ka dalë më së miri deri tani ta neutralizojë të menduarit, pikërisht me shkëlqimin e spektaklit. Në mënyrë fare të sinqertë, vetë Rama u shpreh gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie se ai e shihte Tiranën si një vajzë të re, të varfër, që edhe ato pak lekë që ka i shpenzon për buzëkuq. Sado e tmerrshme qoftë përmbajtja e mesazhit të përcjellë nga këto fjalë, ajo paralizohet nga efekti estetik i metaforës dhe kuptimi real neutralizohet nga klishetë që prodhon estetika retorike e shndërruar në qëllim në vetvete.

Cinizmi shtrihej edhe në një aspekt tjetër. Restaurimi i fasadave nuk ishte i plotë, por vetëm në ato anë të godinave, që ishin të dukshme nga bulevardi. Nga anët e pasme, ato ruanin të njëjtën pamje si më parë, e cila bëhej edhe më e trishtueshme, për shkak të kontrastit me pjesët e restauruara. Ky fakt, shpalos qartësisht ironinë e pafytyrësisë komerciale, të mbështetur mbi logjikën e performativitetit. Paratë duhen shfrytëzuar me efiçencë, ndaj nuk ka përse të investohen në pjesët e pasme të fasadës së një godine, kur efekti manipulues është i vogël. Ky lloj komercializimi është shkatërrim i politikës në vetvete.

Sidoqoftë, projekti u përurua në kulmin e fushatës ku Edi Rama kandidonte për kryetar bashkie. Populli u ftua në një festë të madhe në bulevard, për të kremtuar “mrekullinë” e fasadave të reja, gëzimin e të cilave qeveria e shprehu me të shtëna topi. Turmat iu gëzuan në delir bojatisjes së godinave, të ngazëllyer për një lider të ri premtues që po shfaqej në qiellin e vrenjtur të politikës shqiptare. Pak bojë, pak tallava, disa fishekzjarrë e shumë kamera mjaftuan për të konstruktuar shpresën e turmave për një politikë të re.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.