“Kush je ti, që do të na shembësh traditën?” Specialistët mblidhen brenda Teatrit Kombëtar

0
100

“Si mund ta zhdukësh këtë Teatër? Mos do të na shembësh të gjithë traditën? Ky Teatër, nëse përmirësohet, mund të jetë ndër më të mirët e Ballkanit.”

71077088_510476719511692_4995408704573538304_n

Maks Velo, prej sallës “Kadri Roshi” ku nisi të shohë që prej viteve ’50 shfaqjet e para teatrore, bëri thirrje që Qeveria të heqë dorë nga plani për të shembur këtë pasuri jo vetëm arkitektonike e kulturore, por edhe urbanistike. Të ftuar në këtë tryezë diskutimi ishin gjithashtu të tjerë arkitektë, urbanistë, inxhinierë, skenografë etj.

Arkitekti, pjesë e enciklopedisë botërore, në prag të ’85-tave, merr përsipër e konfirmon jetëgjatësinë e kësaj godine, që provat i kaloi me tërmetet e fundit. Ai foli gjithashtu për vlerat akustike, arkitekturën e skenografinë që deri më tani nuk i gëzon asnjë teatër tjetër në vendin tonë. Arkitekti Artan Raça, gjithashtu i pranishëm në këtë debat, pohoi i bindur qëndrimin e tij, duke u shprehur se: “Ky Teatër duhet të qëndrojë, ashtu siç janë restauruar shumë e shumë vepra të Luftës së Dytë Botërore. Ashtu siç është rindërtuar gjysma e Europës nga një copëz fotografie”. Po ashtu, skenografët Zahaj dhe Marku shpjeguan vlerat skenografike të këtij objekti, duke u ndalur edhe te rasti i Turbinës. Sipas Zahajt, ajo godinë as që nuk mund të quhet teatër.

VELO: KEMI DËSHTUAR NË TË GJITHË TEATROT QË KEMI BËRË!

Maks Velo u shpreh dje se specialistët e fushës mund ta kuptojnë më mirë, se sa e vështirë është të realizohet një godinë si ajo e Teatrit Kombëtar. Edhe pse për këtë objekt po flitet sikur mund të ndërtohet me lehtësi, sipas arkitektit, deri më tani, profesionistët kanë dështuar në të gjitha teatrot që kanë realizuar. “Një ekuivalente të tillë nuk e kemi bërë dot as në Teatrin e Shkodrës, as në të Vlorës, në të Sarandës etj., ku janë angazhuar arkitektët më të mirë. Jo se s’donin ta bënin, jo se s’kanë punuar, por ngaqë ne nuk e kemi traditë. Teatri ka një traditë mijëravjeçare në Perëndim. Ne e provuam me Turbinën. Bëmë një Turbinë, por nuk bëmë teatër. Dhe më e rëndësishmja është se prishëm atë institucion që ishte laborator i hidrocentraleve, se këtë po bën kjo Qeveri, prish një gjë dhe bën një gjë tjetër. Asnjëri nuk prish institucionet si laboratori i hidrocentraleve, që të bësh një teatër ‘skifo’. Pra, një kompleks të tillë ne nuk e bëjmë dot. Përpos kësaj, ka edhe anën urbanistike, kjo është një hapësirë që krijon një lehtësim, pasi kalon nga rruga pas ministrive. Pastaj ky teatër krijon edhe një komoditet për t’u futur në sallë, për ta përshkruar atë. Ka gjithashtu edhe akustikën, nuk depërtojnë zhurmat nga jashtë. Këtu nuk dëgjohet asnjë zhurmë. Dhe të gjitha këto kualitete vjen e i prish duke u justifikuar se është me pupulit etj., mirëpo Teatri nuk pësoi asgjë. Do të jetoj edhe 150 vjet të tjera, akoma më tepër nëse përmirësohet, mund të bëhet ndër teatrot më të mira të Ballkanit. Pastaj është dhe ana tjetër. Unë në këtë teatër kam parë shfaqje që në ’50-ën, si mund ta zhdukësh? Kush je ti? Do të na shembësh të gjithë traditën?”, u shpreh arkitekti.

teatri32

RAÇA: TEATRI DUHET TË QËNDROJË, ËSHTË RINDËRTUAR GJYSMA E EUROPËS NGA NJË COPËZ FOTOGRAFIE!

Nuk është arkitektura argumenti kryesor se pse Teatri Kombëtar duhet të ruhet, por diçka tjetër jashtë saj, sipas arkitektit Artan Raça. “Mirëpo arkitektura është e tillë frymëzimin nuk e gjen te vetvetja, te forma, materialet, por te diçka tjetër jashtë saj, në periferi. Ndaj e theksoj, kjo vepër duhet të qëndrojë, sepse ka diçka jashtë arkitekturës. Duhet të qëndrojë ashtu siç kanë qëndruar, restauruar, siç janë riparuar shumë e shumë vepra të pasluftës së Dytë Botërore. Ashtu siç është rindërtuar gjysma e Europës nga një copëz fotografie”, tha arkitekti. Sipas tij, objektet duhet të restaurohen përtej arsyeve arkitekturore. “Ky kompleks përfshin një nga sheshet e rralla që ka mbetur sot në Tiranë. Po humbasim sheshin ‘Nënë Tereza’ për shkak të përmasës, kemi humb sheshin ‘Skënderbe’ duke e kthyer psikologjikisht në një periferi. Unë nuk arrij të shikoj dot një shesh tjetër në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe suksesi i të gjithë kësaj qëndrese, e them me shumë përulësi, është te kontributi i madh i atyre që po e ruajnë këtë shesh me shumë vlera. Edhe restaurimi i këtij Teatri, puna që vjen më pas është diçka dytësore. E rëndësishme është që të ruhet Teatri. Janë restauruar qytete 2000 vjeçare, janë restauruar teatro të djegur, kjo s’përbën problem. Problem përbën fakti që duhet ruajtur”, tha Raça.

ZAHAJ: TIRANA NË DORË TË PAAFTËSH, DUAN TË FSHIJNË ARTIN SHQIPTAR

“Më dhëmb në shpirt ky Teatër”, tha dje skenografi dhe arkitekti Bashkim Zahaj, duke folur për vlerat skenike, marrëdhënien spektatorskenë që krijohet në Teatrin Kombëtar. Diçka e tillë, sipas tij, nuk ndodh në teatrin e ri, Turbinën, që sipas Zahajt nuk është e përshtatshme as për konferenca e jo më për shfaqje. “Çfarëdo që të themi ne nuk mund ta mbrojë dot këtë teatër, sepse e ka mbrojtur vet koha. E keni vënë re se kur hyni në një banesë të re oshtinë muret, s’je komod?! Kjo ndodh sepse nuk është e jetuar. Duhet ta jetosh një hapësirë, që të bëhet më e ngrohtë. Ky ambient është i jetuar. Nuk është problemi se ka vlera që ne duhet që t’i vëmë në dukje, se ato janë të padiskutueshme. Mjafton të shikosh se çfarë dimensioni ka spektatori, dimensionin që ka hambari skenik dhe e kupton se sa profesionistë kanë qenë ata që e kanë krijuar. Nuk flitet këtu për Teatrin ‘Turbina’, madje nuk i duhet thënë teatër. Është një sallë për konferenca, për mbledhje, që edhe për këto funksione përsëri do të ishte shumë keq, sepse kush ngjitet në skenë nuk ka komoditet për të qenë bashkëbisedues me pjesëmarrësit në event. Kështu që nuk mund të flitet për një Teatër. Nëse do t’ju përmendja disa leksione të thjeshta që studentët e arkitekturës i mësojnë që në vit të parë, do të kuptonit se sa jashtë këtij funksioni është ajo sallë”, u shpreh Zahaj. Sipas tij, një qëndrim i tillë nuk mbahet vetëm me teatrin, por me të gjithë artin shqiptar. “Është një strategji, ai e ka objektivin që të mos ketë as orkestër apo piktorë shqiptarë. Gradualisht e ndiej se ka arritur disa suksese në këtë pikë. Nuk hapen ekspozita në Galerinë e Arteve. Arkitektët janë distancuar, afron vetëm ata të oborrit, që ndan fitimet me ta. Tirana është katandisur në një dorë njerëzisht të paaftë. Kjo luftë e tmerrshme bëhet për të fshirë artin shqiptar”. Zahaj sugjeroi më tej që për t’i shpëtuar kësaj situate, të krijoheshin aleanca midis sindikatave, ashtu siç ndodh dhe jashtë Shqipërisë. “Nuk ka se si t’i shpëtojë as arti. Arti duhet që të përmblidhet në krijimin e këtyre sindikatave, sepse vetëm ashtu mundet që t’i themi “ndal” çdo lloj agresiviteti që bëhet në këtë fushë. Jam shumë i bindur që Shqipëria ka arkitektë shumë të mirë që mund të konkurrojnë edhe jashtë. Por shihni se çfarë po ndodh me Tiranën, me pallate sipër kokës. Më vjen shumë keq nëse ky qëllim ogurzi do të shembte këtë margaritar, që kemi në mes të Tiranës. Kjo është historia jonë, që ai do ta zhduk. Mendoj se rezistenca që jemi duke bërë, do të arrijë rezultate!”, tha skenografi.

FATBARDH MARKU: E VETMJA SALLË QË KRIJON MAGJI SKENIKE

Skenografi Fatbardh Marku u shpreh mbrëmë se nga të gjitha sallat teatrore që ka në Shqipëri, e vetmja që ofron një lloj magjie prej komunikimit spektatorskenë është ajo e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, akustika, sistemi i ndriçimit dhe elementet e tjera skenike funksionojnë në mënyrë perfekte. “Në këtë Teatër, për herë të parë kam parë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”,u trondita nga ajo vënie skenike, veçanërisht te pjesa e ëndrrës së gjeneralit. Plus nga të gjitha detajet. M’u dha fati që të vinim në skenë në ’75- ën “Lumin e Vdekur”, ku arritëm përsëri të realizonim një shfaqje me një potencë të jashtëzakonshme. Dhe të gjitha këto mundësi na i dha kjo sallë”, tha Marku.ANILA DEDAJ/panorama.com

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here