“Plasi hekuri”/ Kantieret e ndërtimit kthehen në ‘kurthe vdekjeje’

0
122

Pasditen e nxehtë të 16 gushtit, në 3 pa 10, Genc Bardhi vendosi papritur të zbriste nga kati i gjashtë i skelës së ngulur në fasadën e një pallati në rikonstruksion në rrugën “Faik Konica” në qendër të Tiranës, pa e menduar se kjo rastësi do t’i shpëtonte jetën.

Muratori 29-vjeçar kujton se ndodhej ende në cepin e skelës metalike, rreth 18 metra mbi tokë, kur dëgjoi një zhurmë të fortë. Gjithçka u rrokullis në pak sekonda para syve të tij.

“Plasi hekuri,” kujton Bardhi, murator që 13 vjeç dhe baba i dy vajzave në një kafe në qendër të qytezës së tij të Sukthit, ndërsa përpiqet të rehatojë mbi një karrige druri këmbën e futur në allçi.

“Mua dhe një tjetër [punëtor] na shtynë dërrasat, na rrokullisën në krahun tjetër. Ai ngeli varur në një dritare. Na binin dërrasa kokës, këmbëve, na zunë poshtë. Mua më shtyu skela deri në katin e dytë, aty m’u kap bluza në një tub,” shtoi i mbijetuari.

Kur skela ndaloi së rëni, Bardhi zbriti nga kati i dytë në rrugë, eci sa iu mpi këmba dhe bërtiti për ndihmë. Por ndryshe nga ai, punëtorët Ergys Brahimi, 31 vjeç nga Gramshi dhe Orjon Kodra, 36 vjeç nga Devolli nuk dolën të gjallë nga rrënojat e skelës.

Aksidenti tragjik me dy të vdekur dhe tre të plagosur ndodhi në kantierin e punimeve për rikonstruksionin e fasadës së një pallati, si pjesë e një projekti më të gjerë të Bashkisë së Tiranës, i pagëzuar si Fondi i Komuniteteve. Punimet po kryheshin nga një skuadër e vogël ndërtimi me administrator Xhimi Tarushin dhe kompania “Skela Syla”, e kontraktuar për vendosjen dhe heqjen e skelave.

Prokuroria fajëson shkeljen e rregullave të sigurisë në punë si shkak për aksidentin tragjik, por as Bashkia e Tiranës dhe as dy kompanitë e përfshira në punime nuk marrin përsipër asnjë përgjegjësi për viktimat.

Aksidentet në punë janë një ndër pesë shkaktarët kryesorë të vdekjeve mes shqiptarëve që humbin jetën nga shkaqe jo-natyrore dhe ngjarje si ajo e 16 gushtit nuk janë të rralla.

Megjithatë, raportet e një numri institucionesh kontrolluese për sigurinë në punë, të cilat BIRN i disponon, mbyllin sytë ndaj problemeve sistemike, i trajtojnë kompanitë private me “doreza pambuku” dhe ngarkojnë në mënyrë të përsëritur me faj viktimat – duke e lënë fatin e dhjetramijëra punëtorëve në vend në mëshirën e pasigurisë dhe të pandëshkueshmërisë.

Drejtuesi i Inspektoriatit të Punës, Arben Seferaj i mbrojti raportet e institucionit që drejton në një intervistë për BIRN dhe shprehu shqetësimin se “neglizhenca mes punëmarrësve ishte e madhe në Shqipëri”.

“Jam dakord me pikëpyetjet që lindin,” tha Seferaj i pyetur mbi ngarkimin e vazhdueshëm të viktimave me përgjegjësi. “Duhet të dimë një gjë që Inspektoriati i Punës nuk është organ hetimi, ne hetojmë për aq sa ne mundemi,” u justifikua ai.

Avokatët e pronarëve të kompanive “Skela Syla” dhe Xhimi Tarushi mohuan përgjegjësitë penale të klientëve të tyre në aksidentin e 16 gushtit. Të pyetur nga BIRN, avokati i “Skelës Syla” ia faturoi përgjegjësinë për aksidentin punonjësve të vet, ndërsa përfaqësuesi i Xhimi Tarushit e drejtoi gishtin ndaj kompanisë së skelave.

Edhe Bashkia e Tiranës, e cila financoi gjysmën e vlerës së projektit nuk pranoi asnjë përgjegjësi si bashkë-investitore në projekt dhe nuk vuri në dipozicion dokumentet dhe procedurat e ndjekura, pavarësisht kërkesave të BIRN.

“Skela u këput si qepë”

Skelat e mbetura nën pallatin 13-katësh në rrugën “Faik Konica” në Tiranë pas aksidentit të 16 gushtit. Foto: Vladimir Karaj.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, gjatë vitit 2019 janë regjistruar 88 aksidente në punë, gjatë të cilave janë aksidentuar 90 punëmarrës.

Gjatë 9 muajve të parë të vitit kanë humbur jetën 26 punëmarrës, kurse pjesa tjetër e të dëmtuarve kanë marrë lëndime të rënda, përfshirë shembje, krisje dhe thyerje gjymtyrësh, fraktura të kokës, dëmtime të shtyllës cervikale dhe syve. Aksidentet me viktima përbëjnë 26 për qind të totalit.

Dhjetë nga 26 viktimat ishin punëtorë të sektorin e ndërtimit; ku kostot në jetë njerëzore kanë shënuar rritje në katër vitet e fundit dhe për herë të parë në historinë e tranzicionit, lanë pas galeritë vdekjeprurëse të minierave të kromit në vitin 2019

Sektori i ndërtimit është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj për djemtë dhe burrat në Shqipëri dhe sipas një studimi të Bankës Botërore të vitit 2019, numëron rreth 82 mijë të punësuar. Numri i viktimave në ndërtim, kryesisht prej rënies nga lartësia ka pësuar rritje vit pas viti; nga tre në vitin 2016, pesë në vitin 2017, gjashtë në vitin 2018 dhe vetëm në shtatë muajt e parë të 2019-s arriti në dhjetë.

Për nga rrezikshmëria për punëtorët, sektori i ndërtimit ndiqet ngushtë nga industria minerare. Sipas të dhënave të Inspektoriatit të Punës gjatë vitit 2019 në këtë sektor janë regjistruar gjithsej 17 aksidente serioze në punë dhe janë shënuar 4 viktima. Aksidente nuk janë shkaktuar vetëm në punëdhënësit në sektorin privat por edhe në sektorin publik, ku vetëm gjatë vitit 2019 ka pasur 15 aksidente dhe 3 viktima.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Inspektoriati i Punës tregojnë se kompania “Skela Syla” ka shënuar një rekord negativ përsa i përket sigurisë në punë në dy dekadat e fundit.

Nga viti 2004 deri në vitin 2019, kjo kompani ndërtimi skelash është kontrolluar nga Inspektoriati i Punës 21 herë dhe në 19 nga këto inspektime, janë konstatuar shkelje. Në gati gjysmën e inspektimeve ose 9 prej tyre, shkeljet e konstatuara nga inspektorët kanë qenë të përsëritura. Megjithatë, kompania “Skela Syla” ishte ndëshkuar vetëm 1 herë me gjobë nga Inspektoriati i Punës para aksidentit të 16 gushtit; në vitin 2004 me vlerë 50 mijë lekë.

I mbijetuari Genci Bardhi, i cili doli nga spitali me dëmtime në trup, në këmbë dhe pesë penj në kokë i tha BIRN se ditën e aksidentit, punonjësit e “Skela Syla” po hiqnin një pjesë të skelës nga faqet e pallatit ku kishte mbaruar puna, ndërsa ai dhe i ndjeri Ergys Brahimi po mbyllnin në 18 metra lartësi vrimat që skela kishte lënë mbi mur.

Ai kujton se dy punëtorë të “Skelës Syla” po i hiqnin materialet nga një krah i pallatit dhe po i vendosnin në krahun tjetër. Bardhi thotë se nuk mban mend rast tjetër që skela të çmontohej në atë mënyrë.

“Debatuam për mënyrën si po çmontohej skela. Kemi bërë çdo orë debat, sepse po na bllokonin punën. 100 herë u kemi thënë,” kujton ai tensionin me punëtorët e kompanisë tjetër.

“Skela mori fund nga pesha dhe filloi të binte nga poshtë. Si duket u këput një vidë, një hekur, pastaj të tjerat i këputi ajo [pesha] si qepë,” shtoi ai.

Raportet e inspektimit, të cilat BIRN i siguroi në Inspektoriatin e Punës përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se kjo mënyrë çmontimi është e ndaluar me ligjin 10237 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” dhe një vendim të posaçëm qeverie të vitit 2010 për “Sigurinë në kantier”. Ligji ndalon vendosjen e objekteve që mund të pengojnë punën dhe po ashtu çdo depozitim mbi skela.

Inspektoriati i Punës rendit tetë shkelje ligjore nga ana e kompanisë “Skela Syla” dhe ngarkon me përgjegjësi edhe kompaninë e Xhimi Tarushit, pasi kjo e fundit kishte detyrimin që të kontrollonte kompaninë e kontraktuar prej saj se po e kryente siç duhet punën.

Në fund të raporteve të inspektimit, “Skela Syla” u gjobit me 1 milion lekë për aksidentin me dy viktima dhe tre të plagosur, ndërsa Xhimi Tarushi me 760 mijë lekë; gjobat më të larta që Inspektoriati i Punës ka vendosur në vitin 2019.

Paralelisht me hetimin administrativ, një hetim penal është në proces ndaj pronarit të “Skelës Syla”, Petrit Syla, drejtuesit teknik të punimeve, Ilir Bendo dhe pronarit të kompanisë tjetër, Xhimi Tarushi. Por pesë javë pas ngjarjes, dy pronarët e kompanive lanë njëri pas tjetrit qelitë, ndërkohë që Prokuroria mban në “arrest me burg” vetëm drejtuesin teknik të “Skela Syla”, Ilir Bendo.

Të kontaktuar nga BIRN, avokatët e të akuzuarve për shkelje të masave të sigurisë në punë pretenduan se klientët e tyre nuk mund të mbanin përgjegjësi penale për vdekjet. Marash Ibraj, i cili mbron njëherazi Petrit Sylën dhe Ilir Bendon tha se nuk komentonte shkeljet administrative të pretenduara nga ISHPSHSH-ja, por mohoi përgjegjësitë penale të klientëve të tij.

“Të dy janë jashtë çdo përgjegjësie penale, edhe pse ngjarja është e rëndë dhe ne nuk duam të shkarkohemi nga përgjegjësia morale,” tha Ibraj.

Sipas tij, Petrit Syla si pronar i një kompanie nuk kishte përgjegjësi për kontrollet në skeleri dhe nuk mund t’i kontrollonte të gjitha ato. “Ai ka inxhinierë që merren me këtë”, tha Ibraj duke ia kaluar përgjegjësinë vartësve të Sylës.

Megjithatë ai mbrojti edhe drejtuesin teknik, Ilir Bendo, duke pretenduar se ky e kishte dorëzuar skelën të kolauduar dhe nuk mbante përgjegjësi për gabimet që mund të kishin bërë punëtorët. Ai megjithatë tha se arsyet për shembjen ishin deri tani aludime.

Edhe avokati mbrojtës i Tarushit, Lin Alia tha se i mbrojturi prej tij nuk mund të mbante përgjegjësi për shembjen e skelës.

Kodi i heshtjes në Bashki

Projekti në pallatin 13-katësh në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, ku humbën jetën Ergys Brahimi dhe Orjon Kodra nuk ishte një kantier privat ndërtimi. Ai financohej në gjysmën e vet nga Bashkia e Tiranës përmes Fondit të Komuniteteve, një nismë e bashkisë që prej vitit 2016 për të rikonstruktuar fasadat e pallateve dhe përmirësuar termo-izolimin.

Banorët pasi bëhen bashkë i paraqesin bashkisë projektin dhe një komision i posaçëm përzgjedh fituesit. Për shkak të përfshirjes së fondeve publike në projekt, Bashkia ka parashikuar përmes një Vendimi të Këshillit Bashkiak procedura për zgjedhjen e kompanive si dhe ngritjen e një Komisioni Monitorimi dhe kryerjen përmes tij të inspektimeve periodike në terren.

Sipas një vendimit të Gjykatës së Tiranës, personi fizik Xhimi Tarushi ishte zgjedhur fitues për të kryer punimet nga një komision i ngritur në Bashkinë e Tiranës për vlerësimin e aplikimeve. Puna filloi pas finalizimit të kontratës së nënshkruar me autorizimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga drejtori i Objekteve në Bashkëpronësi, Erind Bejko, administratori i pallatit Fluturim Sina dhe administratori i kompanisë, Xhimi Tarushi.

Më 5 korrik 2019, Tarushi lidhi kontratë me kompaninë “Skela Syla” në pronësinë e Petrit Sylës për vendosjen dhe heqjen e skelave.

Megjithatë, Bashkia e Tiranës nuk pranon asnjë rol në përzgjedhjen e kompanive të akuzuara për aksidentin me pasojë vdekjen dhe nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi për viktimat.

“Ne vetëm zgjedhim projektin dhe mbështesin banorët, çdo gjë tjetër e bën administratori i pallatit dhe banorët,” tha Erind Bejko, drejtori i Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi, i cili ka firmosur me autorizim të kryebashkiakut Erion Veliaj kontratën për rikonstruksionin e pallatit, sipas vendimit të gjykatës për masë sigurie të cilin BIRN e disponon.

Bejko këmbëngul se gjithçka që bën bashkia pasi zgjedh projektin fitues është të paguajë situacionet për faturat që sjell administratori i pallatit që rikonstruktohet dhe të mbikqyrë që punimet nuk dalin jashtë projektit.

Në të njëjtin takim, punonjësja që u kthen përgjigje kërkesave për informacion, na lexon me zë të lartë listën e dokumenteve që kemi kërkuar në lidhje me procedurat e ndjekura për termo-izolimin e pallatit ku ndodhi aksidenti dhe që sipas saj ishin gati.

“Do i merrni të gjitha, bashkë me një shpjegim të detajuar,” thotë Bejko, ndërsa na përcjell.

Ditë më vonë më 3 shtator, Bejko shkruan në një mesazh se dokumentet i kishte dërguar në drejtorinë përkatëse për standardizim. Më 6 shtator thotë se nuk e dinte ku kishte ngecur procesi. Javë më vonë, askush nga Bashkia e Tiranës  nuk është bërë i gjallë dhe BIRN nuk ka marrë ende asnjë copë letër, mbi të cilën bazoheshin pretendimet se institucioni nuk kishte asnjë përgjegjësi për zgjedhjen e kompanive dhe detaje të tjera të projektit.

Por pretendimi i Bashkisë kundërshtohet nga administratori i pallatit, Fluturim Sina. Katër ditë pas aksidentit, Sina i tha BIRN se “gjithçka ishte bërë nga bashkia”.

Sina refuzoi disa kërkesa për intervistë më pas dhe këmbënguli disa herë të mos përmendej,  edhe pse iu bë e qartë që emri i tij ishte në dokumente dhe po ashtu zyrtarë të bashkisë e kishin përmendur si personi që kishte bërë përzgjedhjen.

Në bisedën e fundit me BIRN, Sina iu përgjigj këtij pretendimi se “ishte sholla e këpucës” dhe “nuk e pyeste njeri”.

Ngjashëm me Sinën banorë të ndryshëm të pallatit refuzuan të flisnin mbi procedurat e ndjekura. Pasi nuk vuri në dispozicion dokumentet që iu kërkuan përmes kërkesës për të drejtë informimi, bashkia nuk iu përgjigj as pyetjeve për koment.

Kodi i heshtjes është një mënyrë e zakonshme e përballjes me aksidentet në punë. Familjarë të të aksidentuarve, të cilët përpiqen të sigurojnë të ardhura për fëmijët jetimë, dëshmitarë okularë të ngjarjes dhe persona të lidhur drejtpërdrejt me to shpesh zgjedhin të heshtin.

“Shiko për pronarin mos shkruaj asgjë….Ai e ka mbajt me bukë. Më kupto,?!” i tha BIRN i afërmi i njërit prej 26 viktimave të aksidenteve në punë, ndërsa iu kërkua një intervistë.

I vëllai i vdiq në një nga dhjetëra aksidentet në punë të regjistruara në Shqipëri dhe tre fëmijë mbetën jetimë. Ai megjithatë është i vendosur të mbrojë pronarin e kompanisë, për të cilën punonte i vëllai.

“Kurthe vdekjeje”

Punonjësit e zjarrfikëses gjatë punës për nxjerrjen e trupave të bllokuar nën skela në aksidentin e 16 gushtit 2019. Foto: LSA.

“Në Shqipëri nuk ka skela. Në Shqipëri ka vetëm kurthe vdekje… Ja ku i ke vërdallë”, thotë pronari i kompanisë së ndërtimit “Kassel”, Kastriot Ponari, duke treguar një skelë buzë rrugës gjatë një bisede disa javë pas ngjarjes së rëndë.

Ponari, një ndër konkurrentët e “Skelës Syla” dhe ofertues i pasuksesshëm i skelave me qira për projektin e termoizolimit në rrugën “Faik Konica” e komentoi më pas aksidentin përmes një statusi në Facebook si pasojë të “konkurrencës së pandershme dhe punës së lirë që nuk garanton punëtorët”.

Ndërsa pranoi se skelat e tij janë të kushtueshme, Ponari i tha BIRN se pasi bëri ofertë për të dhënë me qira skela në pallatin ku më pas ndodhi aksidenti, “askush nuk u bë i gjallë”. Megjithatë, ai u bie këmbanave të alarmit se faji nuk është te një skelë e bërë keq, por një problem sistemik i industrisë së ndërtimit.

Biznesmeni thotë se ka vite që shkon në zyrat e shtetit në përpjekje për të forcuar rregullat e sigurisë në punë, por nuk e dëgjon askush. Ai nuk e fsheh se rregullat do ndihmonin një kompani që ka investuar në skela të reja dhe më moderne, siç pretendon se është kompania e tij, por këmbëngul se siguria e punëtorëve është parësore.

“Skelat e dikurshme që bëheshin me dërrasa dhe gozhdë kanë qenë 100 herë më të sigurta, se i bënin vetë ata që do rrinin lart,” thotë Ponari për BIRN, duke treguar për situatën.

Kompanitë shqiptare, sipas tij, marin produke që “nuk e dinë çfarë janë”, ndërsa një pjesë e skelave që sheh rreth e rrotull janë sajime që nuk i ka parë në asnjë vend të botës. Ponari ndërkohë ngre alarmin se situata është në përkeqësim në të gjithë sektorin e ndërtimit.

Statistikat e Inspektoriatit të Punës i japin të drejtë Ponarit. Por kryeinspektori Arben Seferaj mohoi për BIRN se rritja e statistikave për aksidentet kishte të bënte me shtimin e pasigurisë në punë.

“Statistikisht, nëse do nisemi statistikisht i bie që ka rritje. Kurse unë them që rritje nuk ka, por ka sensibilizim për raportimin e aksidenteve sot. Deri dje nuk kishte, deri dje fshiheshin aksidentet. Këtë nuk ma heq mua njëri nga mendja,” tha Seferaj në zyrën e tij.

Seferaj u ankua se institucioni që ai drejton ka vetëm 81 inspektorë për monitorimin e të gjithë sektorëve të prodhimit në Shqipëri dhe fajësoi politikat e shtetit shqiptar si të pamjaftueshme për të informuar opinionin publik mbi praktikat e sigurisë në punë.

Megjithatë, ai këmbënguli se Inspektoriati po aplikon platformat online për të ofruar shërbime dhe është i vendosur që të mos mbyllë sytë ndaj subjekteve që shkelin ligjin.

“Ne si të thuash në thonjëza jemi bërë agresivë kundrejt subjekteve, me qëllim që ata të mos neglizhojnë pjesën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Kemi pezulluar punën në 16 subjekte ndërtimi. Mbyllja e fundit ka qenë në mos gaboj dje (18 shtator),” tha Seferaj.

“Pavarësisht se ju shikoni shifrat në rritje, unë jam i kënaqur për një gjë tjetër, për shkak se vendosja e këtyre platformave (për denoncimin online), ka bërë të mundur rritjen e raportimeve. Më përpara janë fshehur aksidentet, kurse sot të gjitha aksidentet po deklarohen,” shtoi ai.

Faji u mbetet viktimave

Kryeinspektori i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Arben Seferaj. Foto: Vladimir Karaj.

Në Inspektoriatin e Punës, një grua në mesomoshë mban në një faqe excel-i numrin e aksidenteve në punë dhe masat respektive. “Këtu i kam të gjitha, aksidentet, aksidentet me vdekje”, thotë ajo për BIRN. Mes kuadratave dallohen emrat e punëtorëve, kompanitë dhe llojet e aksidenteve.

“Shumica kanë rënë nga lartësitë”, shton zyrtarja.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtë informimi tregojnë se Inspektoriati i Punës u është përgjigjur 88 aksidenteve në punë gjatë vitit 2019  me masa administrative për vetëm 30 kompani. Gjobat e vendosura kapin në total vlerën e 6.9 milionë lekëve ose mesatarisht 230 mijë lekë për aksident.

Përjashto aksidentin e 16 gushtit, sanksioni më e lartë i vendosur nga Inspektoriati kapte vlerën e 780 mijë lekëve dhe është vendosur kompanisë “Harmonia” në Kuçovë, pasi një punonjës i saj ka humbur jetën duke u rrëzuar nga tarraca e një ndërtimi.

Në të kundërt, raportet e inspektimit sugjerojnë se viktimat janë shkelësit më të mëdhenj të rregullave të sigurisë në punë; ku krejt papritur shkelin rregullat, humbasin ekuilibrin, tregohen të pakujdeshëm apo nuk përdorin mjetet mbrojtëse. Megjithëse gjithmonë gjenden kundravajtje administrative, raportet e inspektoriatit kanë përgjithësisht një ton shfajësues ndaj kompanive.

“Punëmarrësi ka qenë duke marrë materialet në katin e katërt të një objekti, por duke qenë pa parmak mbrojtës, ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga 15 metra lartësi, duke humbur jetën në çast,” përshkruhet njëri prej aksidenteve në sektorin e ndërtimit në raportin e inspektimit.

Ndërsa një raport tjetër mbi vdekjen e Naim Idrizajt në ndërtimin e Stadiumit Kombëtar vë në dukje se në mungesë hapësire për të vendosur materialet e ndërtimit, vetë punëmarrësit kishin hequr rrethimin e një grope dhe e kishin lënë atë zbuluar.

“Viktima ka bërë lëvizje të pakujdeshme për të kaluar në anën tjetër të saj (gropës së zbuluar) gjë që ka sjellë rrëzimin e tij,” shton më tej raporti.

Në raporte po ashtu gjenden justifikime për punëtorë, që bënin detyra të cilat nuk u takonin “për të mirën e punës”. Në disa raste, edhe pse të njoftuar me disa ditë vonesë për aksidentin,  inpektorët i justifikojnë kompanitë duke shkruar se “nuk patën pengesa për hetimin”, edhe pse vendi i ngjarjes ishte ndryshuar dhe puna kishte vijuar edhe pas aksidentit.

Kryeinspektori i Punës, Arben Seferaj nuk e përjashtoi se mund të kishte edhe raportime jo-objektive për aksidentet në punë, por këmbënguli hipotetikisht për BIRN se ato nuk mund të zinin më shumë se 10% të rasteve.

“Kur ndodh një aksident, edhe të mos jesh drejtues institucioni je njeri, nuk mund të luash ti me fatin e një personi që ka humbur jetën. Nuk e di unë që mund të ketë njerëz, prandaj e vura atë 10 për qindëshin, që të përfitojnë nga vdekja e dikujt. Se do ishte fundi i botës,” tha Seferaj.

Ai shtoi se Inspektoriati po i forconte masat përmes për platformave të denoncimit dhe matricave të dëmit, për të cilat tha përfshijnë historikun e kontrollit të subjekteve dhe masat e marra që nga viti 2015, që sipas tij garantojnë një standard për të gjithë.

Megjithatë, viktimat e aksidenteve në punë vazhdojnë të vuajnë pasojat dhe të përballen me pasigurinë për të ardhmen.

“I dënuar” që të mos punojë për 6 muaj dhe kontribuesi kryesor i të ardhurave në shtëpi, Genci Bardhi i tha BIRN se ndërsa pronari po merrej me dokumentet, ai shpresonte që të merrte një pjesë të rrogës si asistencë nga Sigurimet. Ai tha gjithashtu se nuk do të ngjitet më në skelë dhe të punojë nga lartësitë.

“Mami më ka bërë një pyetje, se thonë kur të ndodhin këto, mendon për njerëzit e afërm. Më tha ça ke mendu. Kam mendu o Zot më shpëto, sa të bie në tokë,” përfundoi ai./Vladimir  Karaj – Reporter.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here