Standard.al

Peshku n’det, e fterja n’zjarm!…

0
Nga Bledian Koka

Me tiganin në zjarr dhe peshkun në det, shqiptarët pritën mbi katër orë dje para ekranit që të gostiteshsin me dënimin e bujshëm të Saimir Tahirit, që nuk mund të ndodhte. Peshku as i madh e as i vogël, i kapur disi, nuk e ngopi oreksin e tyre të hapur pavetëdijshëm nga aksh kumte se në shtator do kishte kurban, gjak, koka ministrash në tepsi!

Me pak fjalë dashi nuk u bë kurban. Sovrani nuk e mori ushqimin që i ishte premtuar bujshëm shqip-anglisht për peshkun e parë të madh. Sepse duhet thënë që në fillim të shkrimit që të jemi të sinqertë në fund. Peshq ka, por s’ka tigan, rrjeta ka, por ka edhe peshkatarë profesionistë që dine sesi mishin ta hanë dhe halat ti ruajnë.

Saimir Tahiri ka 1 mijë mëkate si ministër, por asnjë prej tyre nuk ishte në dosje dhe për këtë ai nuk mund të dënohej. Togë-zezët gjyqtarë nuk mund të fajësohen për këtë. Përmbajtja teknike dhe mënyra sesi u zhvillua procesi ndaj ish ministrit “kampion” nuk është një çështje e thjeshtë për tu diskutuar, dhe kushdo që nis e bën prokurorin dhe gjyqtarin pa patur tagrin dhe dijen përkatëse të lëmës, bën gabimin e pafalshëm e të qenurit i gjithëditur. Pra, Zot mbajna gojën kur nuk kemi gjë për të thënë. E prapë, sot, shqiptarët u zgjuan me shijen e hidhur të gojës që nuk u ushqye një natë më parë. Ose akoma më keq, u gryk më lugën mangut.

Pse ndodhi kjo? Ç’është kjo tendencë kanibalizmi që të gjithë ne na është mëkuar krejt papritur ashtu si dikuri me gjyqet publike, kur për të mçefur vrasjet e njerëvze pa faj, gjykoheshin e vriteshin publikisht njerëz me faj e pa faj. Për më shumë se 2 vite, të gjithë ne, nga pak, ia bëmë gjyqin të pandehurit që mori falje-dënimin dje. Pse e deshëm kaq shumë dënimin e Saimir Tahirit dhe e sulmuam lukunisht vetëm kur ai ra nga fiku me shtysën e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Fatmir Xhafajt? Pse ende në 2019-ën, ne heshtim kur “kampioni” është në pushtet, dhe uturijmë kur atij i merren këmbët?

Po të ishte në dorën e time, Saimir Tahiri do të duhej të dënohej vetëm për një krim, dhe të rëndë fort bile. Akuza më e rëndë e Saimir Tahirit, për mua është ajo e moskallëzimit të krimit. Dhe besomëni kjo nuk ka të bëjë më kushërinjtë e tij Habilaj. Në të gjithë këtë histori mega-okulte ata janë thjeshtë disa përfitues të thjeshtë të thërrimjave që i bien sundimit të Edi Ramës që gostit mbi Shqipërinë prej 6 vitesh. Saimir Tahirit duhet ti kërkohet llogari publikisht dhe për këtë, oh po që i duhet një dajak i mirë moral se përse nuk e tregon fytyrën e vërtetë që fshihet pas çudnimit të Shqipërisë me damkën “Kolumbia e Europës”. E kam thënë dikur dhe po i rikthehem prapë. Në vitin 2016, Drejtori i Informacionit në kryeministri, Endri Fuga telefononte një e nga një drejtorët e kryeredaktorët e televizioneve me të cilët kishte komunikim dhe i pyeste kështu: “Hë mo si po duket kjo puna lejimit të hashashit, a po ngjit ndopak në popull?”.

Sepse nëse edhe njëherë në 2019-ën ecim me logjikën se “Enveri nuk dintë gjë, se Mehmeti e bënte me kokën e vet”, këtu nuk jemi asgjëkundi. Këtu jemi në fazën që koka e qelbur e peshkut, po mundohet të na servirë si ushqim luspat e veta. Dhe përtej mllefit politik, përtej dëshirës jo të pa arsyeshme për dënime se kupa është mbushur e derdhur me kohë, duhet të mos ecim në rrjedhën e përroit të zakonshëm psiqik.

Sot nuk duhet të harrojmë Edi Ramën, dhe se në tymin e kokës që avullon në kokën e shqiptarëve pa pushim që dje, edhe më shumë se pardje, duhet të lejohet të mbretërojë aryseja. Ajo se një shoqëri e shëndoshë nuk mund të ndërtohet me idenë se peshku do të na serviret i ngrohtë në pjatë, ashtu natyrshëm, pa bërë asgjë.

Në kulturën perëndimore, njeriut nuk duhet të ushqehet peshk, por duhet ti mësohet sesi ta kapë vetë peshkun. Mësimi ishte ai që morëm dje. Sepse për më shumë se dy vjet dëgjuam që peshkun gati do e kishim, por harruam se pa u kapur në rrjetë asgjë nuk është e sigurtë. Për njëherë të vetme sinqerisht mendoj që në këtë rast nuk e kanë fajin shqiptarët, e kanë ata që kur mësuan e folën shqip, ndoshta nuk e dinin se gjuha jonë ka edhe një shprehje tjetër, atë të famshmen e ndër më ironiket: “peshku n’det, e fterja n’zjarm”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.