Standard.al

Deutsche Welle: Vëzhguesit e BE do të zbarkojnë në Kosovë për zgjedhjet e 6 tetorit

0

Kryesuesja e misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë tha në Prishtinë: “Zgjedhjet e 6 tetorit janë një mundësi shumë e mirë që të gjitha palët të marrin pjesë dhe të shprehin angazhimin për demokraci”.

Nga Deutsche Welle

Eurodeputetja gjermane, e cila kryeson misionin vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel gjatë dy ditëve të qëndrimit në Kosovë ka takuar zyrtarët e lartë të KQZ-së, ata të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kandidatë të partive politike.

BE-ja me ftesë të presidentit të Kosovës ka dërguar në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve, të pestin mision me radhë që nga viti 2013. “Misioni vëzhgon procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas votimit më 6 tetor dhe reflekton angazhimin e vazhdueshëm të BE-së drejt mbështetjes së zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të misionit.

“Këto zgjedhje i shoh si mundësi shumë e mirë që të gjitha palët që marrin pjesë në zgjedhje ta demonstrojnë angazhimin e Kosovës për demokraci duke udhëhequr një proces zgjedhor të besueshëm dhe gjithëpërfshirës. Transparenca dhe përgjegjësia e plotë nga të gjitha palët e përfshira në zgjedhje mund ta përmirësojnë mirëbesimin publik në procesin zgjedhor. Gjithashtu do të doja t’i inkurajoj njerëzit ta ushtrojnë të drejtën e votës,” citohet kryevëzhguesja Viola von Cramon-Taubadel.

Një pjesë e ekipit të vëzhguesve tashmë kanë arritur në Kosovë, ndërsa rreth 100 prej tyre do të vijnë dy ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit. 25 subjekte politike garojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit dhe të drejtë vote do të kenë afro 1.9 milion banorë të Kosovës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.