Standard.al

Vendimi për Tahirin, Spaho: Kuksianët protestuan për bukën e gojës, u mbajtën në burg

0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, e shikon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si një etalon për standardin e drejtësisë shqiptare. Në një postim në “Facebook”, Spaho shkruan se Tahiri që u akuza për trafik droge u hetua në liri dhe u la i lirë, ndërsa kuksianët që luftojnë për bukën e gojës u hetuan në burg dhe u dënuan me burg vetëm se protestuan.

Por Spaho ‘premton’ se nuk do të jetë e largët dita kur çdo koncesion korruptiv dhe kundër interesit publik, si ky i rrugës së Kombit, do të anulohen nga qeveria e ardhshme e PD.

POSTIMI I SPAHOS

Shikoni standardin e drejtësisë shqiptare! Saimir Tahiri u akuzua për krijim organizatash kriminale, favorizim të tyre dhe trafik ndërkombëtar droge. Për këto tre akuza u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë, pa bërë asnjë ditë burg. Këta fakirët nga Kukësi, që luftojnë nga mëngjesi në darkë për bukën e gojës, për vete dhe familjarët e tyre, u hetuan në burg dhe u dënuan me burg vetëm sepse protestuan kundër koncesionit korruptiv të Edi Ramës në rrugën e Kombit.

Këtyre të varfërve, që nuk kanë lidhje me pushtetin e Edi Ramës, por e demaskojnë atë me protesta, prokuroria ua sajon provat. Për Tahirin edhe kur provat janë sheshit, ia mbulon ose i zhvlerëson, siç bëri me udhëtimin e të atit dhe të bashkëshortes së tij në Itali bashke me Habilajt, për të cilët gënjente sikur nuk i njihte.

Me drejtësinë që ka standarde të dyfishta ka liri për Tahirin dhe burg për kuksianët protestues, pasi ata nuk posedojnë fakte për vellain e Shefit të Madh dhe drogën e Xibrakës, si Saimir Tahiri.

Kuksianët duhen dënuar që shqiptarët të mësojnë se koncesionet e oligarkëve të Ramës janë të paprekshme, ndryshe dënohen me burg pasi prekja e interesave të oligarkëve është si të prekësh Shefin e Madh.

Nuk do të jetë e largët dita kur çdo koncesion korruptiv dhe kundër interesit publik, si ky i rrugës së Kombit, do të anulohen nga qeveria e ardhshme e PD.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.