Standard.al

Endërra europiane dhe shqipëtarët “… e brezit të humbur”

0

Nga Feti Zeneli

Integrimi europian i vendit është ëndërra më e bukur, që ka parë vazhdimisht çdo shqiptar për 29 vite me radhë, qysh nga dita e parë e rënies së regjimit komunist, teksa një popull i tërë brohoriste si në kor: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”. Por ndonëse në territorin shqiptarë jeton një nga popujt në pro-europianë të rajonit dhe qeveris një klasë politike, që përpos ndasive për çështjet e ditës e ka shpallur integrimin euroatlantik, “Yll Polar” të veprimtarisë së saj, arritja më e madhe në këtë drejtim është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimit Europian në vitin 2014. Tashmë, prej 5 vitesh, Shqipëria po prêt që të hapë negociatat për anëtarësimin me të drejta të plota në familjen europiane, por keqqeverisja e vendit gjatë kësaj periudhe është bërë pengesë kryesor për një vendimmarrje të tillë. Të presim çdo ndodh pas një muaji, në 18 tetor 2019, ndoshta ndikon disi dekorimi i kreut të KE-së, Donald Tusk, gjatë vizitës së tij para dy ditësh në Tiranë, ndërkohë që qeverisja ka ngelur dhe në provimet e vjeshtës…

Filozofia qeverisëse e një vendi është tepër e thjeshtë për t’u kuptuar, pasi gjithëçka materializohet në faktin, se si i ke bërë të ndjehen qytetarët e atij vendi. Kur ata ndjehen mirë, natyrisht kemi të bëjmë me mirëqeverisje, ndërsa kur ndjehen keq, me keqqeverisje. “Njerëzit do të harrojnë çfarë ke thënë, do të harrojnë çfarë ke bërë, por nuk do të harrojnë kurrë, si i ke bërë të ndjehen”, thoshte poetja dhe aktivistja amerikane e të drejtave civile, Maya Angelou.  Ka 5-6 vjetë, qysh nga 2014-a, i cili për koiçidencë përkon me vitin e ndarjes nga jeta të Angelout, që qytetarët shqiptarë, ndjehen të pashpresë, apo si “të huaj” në vendin e tyre. Po të perifrazojmë termin “shkrimtarët e brezit të humbur” për qytetarët tanë, mund t’i quanim më plotë gojën: – “shqiptarët e brezit të humbur”, pasi kanë gati 30 vjetë, që nuk po mundin të realizojnë endërrën e tyre, “për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”. Fakti që gjatë pushtetit të “Rilindjes”, rreth 400 mijë shtetas të këtij vendi kanë tentuar apo janë larguar jashtë, është dëshmia më e qartë e keqqeverisjes skandaloze, që ekziston sot tek ne. Kur në një vend me më pak se 3 milionë banorë, brenda 5-6 vitesh, ikin “nga sytë – këmbët”, për arsye ekonomiko-sociale, rreth një gjashta e tyre, qeverisja aktuale e Shqipërisë, të kujton situatën e Gjermanisë së dikurshme, që përshkruan Henrih Hajne te poezia “Endësit e Silezisë”, përkthyer mjeshtërisht nga Sejfulla Mallëshova: “Hidhet përpjetë boshti me furi,/ Ne ditë e natë endim papushuar;/Qefin tënd po thurim, Gjermani,/Me tri mallkime rreth e qark punuar!/Trrik e trrak, trrik e trrak!”… Po këtu në Shqipëri, më shumë se sa Zoti, që “…ne iu falmë/, Në shi e në thëllime pa pushuar…”, apo Atdheu, “…ku sundon/Luksi pa fre dhe varëfëria pranë!…”, “Mallkuar qoftë mbreti, mbret mizori/, Mbret kusarësh, banditësh, mbret barbar/, Na piu gjakun, lëkurën na mori/ Dhe sot na shkon në hu dhe në litar!…”.

Do kalojnë vite, dhe shqiptarëve nuk do t’u shqitet lehtë nga mendja fakti, se qeverisja aktuale i ka bërë ata të ndjehen mjaft keq nga pikëpamja materiale, financiare dhe shpirtërore. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe, në një vend ku politika u bë dhe më e ashpër se më parë, pushteti gjithnjë e më pak përfaqësues, ndërsa krimi akoma më i pushtetshëm dhe më i egër. Po mbushen gati 6 vite që sipërmarrësit dhe qytetarët shqiptarë çohen çdo mëngjez me dhimbje koke nga taksat dhe tarifat e reja, që shtohen dhe rriten dita-ditës. Nga janari i vitit 2014 e në vazhdim, barra fiskale kumulative ka shkuar në 1.8 miliardë euro; çuditërisht sa vlera fiskale e PPP-ve. Jemi vendi i parë në Europë për kostot e larta të konçensioneve të këtij lloj, sipas Eurostat. Janë pikërisht këto politika fiskale, që kanë rritur taksat dhe tarifat për 97 për qind të shqiptarëve. Sistemi fiskal është shndërruar në shkopin policor, me të cilën qeveria godet pa pushim në kokë biznesin dhe qytetarët, duke përkëdhelur vetëm një grup të vogël monopolistësh në treg. Mundësitë e sipërmarrjes dhe inovacionit në Shqipëri, po asfiksohen përfundimisht, ndërkohë që vendet rreth nesh zhvillojnë teknologji të fjalës së fundit. Ekonomia jonë vuan nivelet e ulëta të kreditimit dhe rënien e besimit. Papunësia dhe varfëria janë shtuar, ndërsa sipërmarrjet po mbyllen me një shpejtësi të frikshme, mbi 60 – 70 të tilla në ditë. Kjo situatë largon gjithnjë e më shumë investitorët seriozë nga vendi ynë, ndërkohë që investimet kapitale kanë rënë në “zero”. Detyrimet e prapambetura kanë në më shumë se 200 milionë euro, kurse borxhi publik, sipas FMN-së në shifrën e 73 për qindshit, pa përfshirë këtu edhe 10 për qindëshin e PPP-ve, që e çon këtë nivel në 83 për qind. Kjo është arsyeja që Banka Botërore ka vënë sërish alarmin për borxhin publik të vendit tonë, ndër më të lartët në Europë. Për shkak të brishtësisë së tyre në përballimin e krizave, vendet e varfëra, me ekonomi jo prodhuese dhe jo konkurruese, ku përfshihet dhe Shqipëria, nuk duhet të kalojnë nivelin e 40 për qind të borxhit; pra më pak se gjysmën e nivelit “de facto”, që vendi ynë ka sot. Nga ana tjetër, duke qënë se barra e tij bie mbi taksapaguesit dhe do rëndojë më shumë mbi shpatullat e njoma të brezit të ardhshëm dhe pushteti përdor një gjuhë hileqare dhe konfuze, gjatë lançimit publik, nuk po arrihet të kuptohet drama ekonomiko-sociale e një treguesi të tillë. Qeveria bën sikur nuk e kupton, që brenda këtyre treguesve ka marrëdhënie njerëzore, ndjenja, pritshmëri, lodhje, punë, sakrifica, ëndrra dhe shpresa; ka jetë, frymë, fëmijë, gra, pleq, të rinjë e të reja; ka detyrime brezash njerëzor, e kështu me radhë. Megjithatë rinia, me intuitën që e karkaterizon, po e nuhat më shumë se kushdo tjetër pasojat e këtij mëkati qeverisës, dhe në pamundësi për të reaguar ndryshe, po përdor çdo mundësi për t’u larguar jashtë, në emigracion.

Institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshi dhe ato të vlerësimit të riskut, kanë deklaruar se, megjithëse Shqipëria ka rritje ekonomike, nuk prodhon dot mirëqenie për periudha afatgjata. Për ta mbështetur këtë opinion profesional, Trading Economics, duke analizuar rritjen tonë ekonomike, vë re se të ardhurat mesatare të shqiptarëve janë sa 37 për qind e mesatares globale, dhe se ritmi i rritjes ekonomike do të mbetet për shumë vjet, rreth 3 për qind. Ndërkohë që një ritëm i tillë rritje, me hapin e breshkës, e shtyn ekonominë shqiptare në buzë të greminës, qeveria po u merrë frymën qytetarëve me shuma marramendëse taksash e koncensionesh të tipit “PPP”, edhe pse është mëse e ndërgjegjshme, që në fund të fundit, këto koncenisone janë borxhe; ankth, stres, standard dhe nivel tepër i ulët jetese. Por politika zemërgur përpiqet t’ua fshet këtë realitet qytetarëve, pa i bërë fare përshtypje për mizerabilitetin që përjeton shumica e popullsisë së vendit. Jemi në kushtet e një qeverisjese, ku qytetarët janë viktima të përbuzjes dhe shfrytëzimit nga klasa e oligarkëve. Ekonomia shqiptare përjeton, kohët e fundit, një kolaps të plotë. Shumica e njerëzve mbijetojnë kryesisht me paratë e emigrantëve dhe paranë informale që hyn në vënd nga aktivitete të dyshimta. Krimi i organizuar ka korruptuar çdo nivel të qeverisë shqiptare, dhe kjo e fundit për hatër të tij, i ka fshirë përfundimisht tenderimet e prokurimeve publike. Përmes proçedurash të errëta e jotransparente, qeveria aktuale po i ndan paret e buxhetit dhe asetet më të rëndësishme të vendit me një grusht miqsh dhe mbështetësish elektoralo-financiar. Kontratat më të mëdha u jepen të njëjtave kompani në mënyrë të vazhdueshme, përmes të ashtuquajturave skema të PPP-ve, që po përkeqësojnë dita-ditës situatën aktuale dhe po kërcënojnë seriozisht të ardhmen tonë.

Është bërë e mërzitëshme, përsëritja e vazhdueshme e këtyre treguesve e nënvizimeve, njëlloj si “…të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit”, por, siç e theksuam pak më lart, jemi në prag të greminës ekonomike, ku na ka çuar keqqeverisja, sidomos ajo e dekadës së fundit, ndarë në mënyrë të barabartë, si kohë, midis socialistëve dhe demokratëve. Por rilindasit na kanë vënë përpara edhe perden e propagandës manipuluese, që të mos shohim ç’po ndodh, se do tmerrohemi. Nga ana tjetër, mjafton të kujtojmë, se rritja e borxhit publik në vende me ekonomi copë-copë, siç është edhe ekonomia shqiptare, përbën skllavërinë e kohëve modern, “qefinin” e të ardhmes sonë, endur me metoda primitive pushteti, sidomos nga politikanët aktual të Rilindjes socialiste apo “siciliste”, siç i cilëson një kundërshtar i tyre politik. Pavarësisht, se në këtë derexhe na kanë sjellë të gjitha palët politike, që kanë qeverisuar përgjatë viteve të trazicionit, ekzekutivi i sotëm është zhytur si askush tjetër më parë, në paligjshmëri, arbitraritet, konfliktualitet politik, uzurpim antidemokratik, inefiçiencë ekonomike, mungesë llogaridhënieje, mafiozitet, imoralitet, perversitet, etj. Është për shkak të këtyre veseve qeverisëse të mazhorancës aktuale, që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, ka një Parlament gati monopartiak, ku gjithëçka mund të spjegohet duke iu referuar thënies së dikurshme të politikës sonë moniste: “Çdo populli bën partia, ç’thotë partia bën populli”. Përtej vulgaritetit dhe idiotësisë së trashëguar militantiste, këtë tregojnë edhe vargjet e këngës polifoniste të tepelenasve në prag të votimeve të 30 qershorit 2019 për “kryeministrin madhor” që kemi sot në krye të ekzekutivit: “Po të pyesësh popullsinë/, Thonë të gjithë – duam Edvin,/ Ja e bën ti Shqipërinë/ Ja ramë të tërë në greminë!?/…  Më 30 qershor,/ Do të marrësh frenat në dorë,/ Kryeministri madhor,/ Rrofsh sa Mali Tomorr!…”.

Mjafton mendësia e këtij “njeriu të ri” të demokracisë, që për fat të keq ka masivitet në shumë grupime të shoqërisë , për të kuptuar politikën – “opium” për popullin, që e mban kokën pas ose lart, pa parë greminën që i kanoset, sapo të hedhi një hap më tej. Gjithëçka lidhet me mjeshtërinë politike të pushtetarëve të sotëm për t’i bërë qytetarët të besojnë më shumë tek ai që i tërheq për hunde, se sa tek ai që i tërheq për dore. Dhe për të spjeguar këtë lloj patologjie sociale, mjafton t’i drejtohemi filozofisë së çifutes gjermano-amerikane, Arendt:  “Nëse një politikan ju gënjen rregullisht, rezultati i këtij veprimi nuk është, se ju besoni vetëm gënjeshtrat e tij, por ka mundësi që çdonjeri prej jush të mos besoj fare në të ardhmen… Dhe një popull që nuk beson fare, nuk mund të arrijë në përfundime dhe sjellje të arsyeshme. Ai është i dënuar me paaftësinë për veprim, me paaftësinë për menduar e gjykuar drejtë. Me një popull të tillë, politikanët demagogë kanë mundësi të veprojnë, jo sipas interesave të tij, por sipas dëshirës së tyre”. Mungesë totale e besimit në të ardhmen tregon edhe koncepti, që haset rëndom në zhargonin e përditshëm, se “të gjitha palët janë njëlloj”. Dhe kjo për faktin se qytetarët kanë një ndërgjegjie të deformuar, në një realitet, ku asgjë s’të çudit dhe gjithëçka të trondit. Natyrisht, që për situatën e krijuar, përgjegjës nuk janë vetëm qeveritarët e pushtetit të Rilindjes, por edhe shërbëtorët e tyre në pushtetet e tjera të një sistemi demokratik, që, për shkak të interesave personale që kanë, bëhen palë me politikën dhe jo me popullin, duke i shtyrë qytetarët, me dhunë mediatike e politike, që të besojnë premtimet dhe të vuajnë privimet. Këtu përfshihet dhe e ashtuquajtura “opozitë e re parlamentare”, aq sa do t’i shkonte fare mirë emërtimi “kryemëkatare”, në vend të “kundërshtare” politike. E si mund t’i emërtosh ndryshe ata, që asfiksojnë popullin me demagogji për t’i dhënë oksigjen qeverisë me idealet e korrupsionit në mendje e në gji?!… Por më i pështirë se qëndrimi është justifikimi i këtij qëndrimi prej tyre, gjoja për interesat e larta kombëtare, pse jo dhe ndërkombëtare, aq sa të shtyjnë të kujtosh vargjet e Fishtës, në një moment zhgënjimi të thellë nga mosmarrveshjet dhe tradhëtitë mes shqiptarëve: “O Perëndi! A ndjeve?/ Trathëtarët na lanë pa atdhe/E Ti gjuen me rrufe, lisat/ Nëpër male kot!”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.