“Lufta e Vlorës, historia në epikën historike”

0
313

MAJOR AHMET LEPENICA, KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I LUFTËS SË VLORËS MË 1920

 

Nga Albert Abazaj

Universiteti “Ismail Qemali” Vlore

 

Të gjith studjuesit dhe historianët janë në një mëndje se Lufta heroike e Vlorës më 1920, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë të përmbysur, mohuar nga Lufta e Parë Botërore.

 

                                       *       *      *

 

Në kuadër të 100 – vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, studiuesi Enver Memishaj – Lepenica botoi monografinë “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”. Përpara se të diskutonim për librin, i bëmë një intervistë, që na duket se paraqet interes e, për këtë, gjykuam t’i gjejmë vendin e vlefshëm edhe në punimin tonë.

Pyetjes se përse major Ahmet Canaj – Lepenica duhet të zërë vend në historinë e Shqipërisë, studiuesi E. Memishaj i përgjigjegjet se, pëveç kontributeve patriotike të mëparëshme që kishte dhënë, major Ahmet Lepenica ishte dhe një nga 14 burrat e shquar që rishpallën Pavarësinë Kombëtare me LV, 1920, ku major Lepenica ishte komandanti i asaj lufte. Pra vlera dhe rëndësia historike e major Ahmet Lepenicës qëndron pikërisht në faktin se ai udhëhoqi në fitore luftën që vendosi fatin e Shqipërisë. Në libër mbi bazën e dokumentave të shumtë arkivorë, të shtypit, folklorit dhe kujtimeve të bashkëkohësve është përshkruar edhe më tej veprimtaria atdhetare e major Ahmet Lepenicës.

Ky libër për herë të parë: përshkruan plotësisht Luftën heroike të Vlorës, 1920; zbulon madhështinë e figurës historike të major A. Lepenicës, dhe ja kthen këtë figurë historisë sonë kombëtare; përshkruan të dymbëdhjetë anëtarët e KMK, me në krye Osmën Haxhinë; përshkruan Shtabin e luftës, ushtarakë që udhëhoqën Luftën e Vlorës, ish oficerë të shkëlqyër të Perandorisë si kapiten Qazim Koculi, major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi etj dhe jo ashtu siç kanë falsifikuar komunistët se udhëheqësit e luftës ishin fshatarët pa shkollë; evidenton atdhetarë të Vlorës si Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti etj., të cilët vunë pasurinë e tyre, për luftën, se pa këtë pasuri të agallarëve të Vlorës lufta nuk bëhej; fshatarët vlonjatë dhe tepelenas mbajtën peshën kryesore të luftës, ata bënë luftën të vetëm prej datës 5 deri në 10 qershor 1920 se vetëm pas kësaj datë erdhën ndihma dhe lufta mori karakter kombëtar.

Nga studimi me kujdes e me objektivitet i monografisë së autorit në fjalë për njërin nga heronjtë e LV, kemi vrejtur se përmendja e shpeshtë e emrit të A. Lepenicës dhe vlerave të tij në çdo faqe libri, të jep përshtypjen hera – herës se vetëm ai ishte kryesori në atë luftë, kur mjaft figura të tjera qoftë dhe ajo e Qazim Koculit, si Komandant i Përgjithshëm për periudhën më të gjatë të luftës, anashkalohen ose përmenden shkarazi. Na duket subjektiv ky qëndrim, për shkak të origjinës së përbashkët të heroit me autorin dhe ndoshta ky gjykim mund të ketë nevojë për t’u verifikuar edhe nga specialistë më kompetentë, por gjithsesi kjo vrejtje nuk e ul aspak vlerën e librit dhe figurës së heroit Ahmet Lepenica.

Ky libër përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentash të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej katërmbëdhjetë burrave që rishpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 1920, një personalitet i shquar i historisë së Shqipërisë, një veterani pa njollë, që gjithë jetën ia kushtoi luftrave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Personazhe të tillë të fuqishëm si ai i A. Lepenicës kanë qenë pak të njohur sidomos gjatë periudhës së diktaturës. Megjithatë populli i krahinës së Vlorës dhe Labërisë nuk rreshti së ngrituri këngë për bijtë e vet që që i dolën zot në kohët më të zeza. Ai do të këndonte: “Kush e prishi Italinë/ Osmëni me dy Qazimë,/ Bimbash Ahmet Efendinë”. Janë vetëm tre vargje ku jepet një epope e tërë që të trondit: Që Italia u mund (u prish,) që prijësit e asaj lufte ishin Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi dhe natyrisht oficeri i lartë, bimbashi, major Ahmet Lepenica. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste mundësitë për studimin e figurave hisorike pak të njohura më parë u bë më e madhe. Tashmë në dispozicion të studiuesve u vu gjithë arkivi me dokumentat historike shqiptare dhe të huaja… për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike, të një ngjarjeje, apo të jetës së një njeriu të vetëm…

Në libër, autori ndalet sidomos te kontributet e A. Canit në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes, dhe si Komandant i Përgjithshëm në LV, 1920. Faqe pas faqeje nëpërmjet materialeve dhe dëshmive shikojmë si rritet figura luftëtarit dhe atdhetarit Ahmet Lepenica. Mendojmë që një nga kulmet e veprimtarisë së tij, lavdia e tij, është epopeja legjendare e LV të cilën autori, na i përshkruan me hollësi duke u mbështetur në dokumentat e shumta të kohës. A. Lepenica do të caktohej nga KMK së Vlorës “…si Kumandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, duke u pështetur në burrërinë dhe në atdhetarësinë tuaj. Ngarkohe me këtë barrë shumë të shenjtë dhe të rëndë…”, fq. 99. Më vonë do ta shohim si Shef të Shtabit të Trupave Kombëtare dhe Komandant të Gjindarmërisë, gjithmonë të angazhuar në atë luftë të shenjtë deri në mbarimin e saj.

Në librin e E. Memishajt, shikojmë dhe një sërë komandantësh, luftëtarësh e udhëheqësish labër, që drejtuan atë luftë heroike me një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës ose si thuhet në këngë “Me një mbret dyzet miljonë”. Autori zbërthen me pjekuri e bën një analizë të hollë për atë luftë titanike dhe, me të drejtë, del në përfundimin: “Patriotët që bënë Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.” fq. 206. Nëse nuk do të zhvillohej ajo luftë e madhe, e pakrahasueshme dhe e papërsëritëshme nga mënyra dhe koha që u zhvillua, Shqipëria ndoshta nuk do të ishte kjo që kemi sot por gjysma e saj, por edhe mund tu ishte dhuruar andej – këndej italianëve, grekëve e serbëve.

Për LV, At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”. Shtjefën Gjeçovi, gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt. 21 – 28. 10. 1920.

Studiuesi Gëzim Zilja mendon se, qëndrimi i autorit lidhur me vlerësimet e Ago Agajt dhe sidomos Eqerem Bej Vlorës ndaj figurës së Ahmet Lepenicës mund të ishte më i qetë dhe objektiv, pavarësisht, që sipas tij, “Eqerem bej Vlora, sikundër ka derdhur vrer, mashtrime, poshtërime e denigrime ndaj të gjithë bashkëqytetarëve të tij, heronj të Vlorë… ashtu shpif e mashtron edhe për Ahmet Lepenicën….” f. 300

Me pasurinë e dokumentave, provave dhe fakteve, A. Lepenica, portretizohet e jepet si një apostull i shqiptarizmës, i mbuluar nga mjegulla e kohës padrejtësisht. Mendojmë se është e vlefshme të sjellim në këtë punim edhe një përmbledhje nga kumtesa jonë, mbajtur në veprimtari shkencore për diskutimin e librit në fjalë[1]: Libri “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, në Luftën e Vlorës, 1920” është një monografi serioze historiko – folklorike, është një libër me dritë për profilin e një veterani kombëtar pa njollë. Në këtë libër jepet rruga e jetës kombëtare e major A. Lepenicës sipas kriterit kronologjik, që më 1920 – n shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, gremisën në det Perandorinë e Re Romake, që u vërsul si grabitqare nga Apeninet, por u tërhoq pa lavdi. Për këtë material që po paraqes, kam tri pika referimi: 1- Luftën e Vlorës, si ngjarje e ndodhur historike, 2 – A. Lepenicën, si një figurë që peshoi në këtë luftë dhe 3 – E. Memishën, si autor i monografisë për Epopenë e çlirimit të trojeve tona me komandantin e saj ushtarak Ahmet Canin, që populli në respekt të veprës së tij e thirri Ahmet Lepenica, kurse miqtë e lartë dhe Paria e vendit e folën Ahmet Labi.

1- Nga “Historia e Shqipërisë” vëll.2, Tiranë, 1965, LV trajtohet në mënyrë të përgjithshme, sintetike dhe vlerësohet për fitoren dhe entuziazmin që ndezi ndër shqiptarët e Lirisë; përmenden edhe emrat e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Ahmet Lepenicës si dhe emri i Selam Musait. Përmenden, nuk mohohen, por tepër thatë, si të qe një nga ato njoftimet e zakonshme të ATSH, që ajo jep rëndom, për rutinë pune. Më tej heshje apo më keq degradim i vlerave të mirëfillta e të vërteta historike. Në Erën e Re Shqiptare (mbas vitit 1990 deri më sot), LV, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë palëve: të politikanëve, qytetarëve dhe historianëve dhe është trajtuar realisht, duke e vlerëuar si një ngjarje që vendosi fatet e Shqipërisë në shek. XX. Në këtë libër LV jepet e shtrirë në gjerësi dhe në thellësi, ashtu siç ka ndodhur dhe mbetet në kujtesën e Kombit: Rishpallje e Pavarësisë Kombëtare, Pavarësia Konkrete e Shqipërisë. Komentet e tepërta janë ujëra që s’duhen.

2-…Me figurën e A. Lepenicës, autori ka kohë të gjatë që është angazhuar. Qysh para 30 vjetësh ai ka botuar artikuj në gazeta të ndryshme lokale e kombëtare në Shqipëri kushtuar patriotit lepeniciot me arsim të lartë ushtarak, i cili udhëhoqi me zotësi beteja që konkluduan me çlirimin e Vlorës e krahinave të saj më 1920 – n e lavdishme. Edhe ky libër për komandatin ushtarak të Njëzetës është produkt i dashurisë për vendlindjen që ka autori, trashëguar edhe gjenetikisht, respekt konkret ndaj Lepenicës, Mesaplikut, Labërisë dhe gjithë Shqipërisë. Ky libër nxjerr në pah edhe një herë fuqishëm vlerat shkrimore e botuese të autorit dhe është, për mendimin tim, vula e përkushtimit të një studiuesi për çështjen e Atdheut dhe ndaj trimërisë e heroizmit të një ushtaraku, të cilat A. Lepenica i kishte natyrshëm virtyte e cilësi të ushqyera në vatrën familjare të Esma e Islam Canit, qysh më 1872, kur leu. Nëpërmjet këtij punimi dëshiroj të evidentoj se janë botuar shumë libra për LV e trimat e saj, nga Ago Agaj, Gani Iljazi (Habazaj), prof. Muin Çami, prof. Viron Koka e Sazan Xhelo, prof. Bardhosh Gaçe, apo edhe nga firma të tjera më minore në historiografi, sidomos për personazhe konkretë të kësaj epopeje.

Përse e vlerësojmë këtë libër, që autori i dhuron 100 vjetorit të Pavarësisë? Së pari, është angazhim shumë dimensional që autori bën për herë të parë në kushtim të një vigani të LV dhe jo vetëm të kësaj ngjarjeje kombëtare. Së dyti, është jetëshkrim i plotë i rrugës kombëtare të major A. Lepenicës, i pari, siç thashë dhe i vetmi, që besoj se nuk mund të ketë një të dytë kaq të plotësuar. Së treti, vërej një harmonizim të organizuar siç duhet të trashëgimisë historike me trashëgimin kulturor dhe me ato tufa lulesh folklorike, që autori përzgjodhi në këtë monografi me njësitë folklorike nga epika historike kushtuar A. Islamit (Lepenicës). Në këtë këndvështrim dalloj vëmendjen ndaj trashëgimisë historike, që autori njeh më mirë. Në këtë libër, pas një leximi të kujdeshshëm dhe gjatë studimit të monografisë, vërej transparencën dhe turbullësirën si raport ndaj çështjes së LV, udhëheqësve dhe luftëtarëve të saj, që autori e ka trajtuar me koherencë e guxim intelektual, duke u matur edhe me “deshtë përçorë” të historiografisë shqiptare apo me figura të njohura, që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë, por që, sipas autorit, kanë qëndrime të pasakta, të njëanëshme dhe zbehin ndriçimin vigan të LV dhe trimave çlirimtarë. Ky libër…na shëron edhe kombëtarisht, sepse kirurgu historiko – folklorik, E. Memishaj vlerëson kriteret shkencore të botimit, sidomos dy elementët e domosdoshëm për një botim biografik: 1 – dokumentin historik dhe 2 – dëshminë historike, duke i dhënë përparësi, normalisht, dokumentit historik.

Kemi kuptuar qëndrimin e shëndetshëm kritik të autorit për vështrimin dhe shkrimin koherent të kësaj lufte të drejtë, e cila synonte shporrjen e kolonizatorëve nga trojet shqiptare të pushtuara; po ashtu edhe vlerësimin e tij që i bën luftës së luftëtarëve të trojeve autoktone. L V ka patur formacione të rregullta, të organizuara me çeta, me gjerësi e shkallëzim luftimi dhe me vertikalitet korrekt drejtimi. Autori i paraqet siç janë personazhet e luftës, apo, në rastin konkret, heroin e tij, me koloritin e qëndrimit në kohë e në hapësirë, parë nga konteksi i duhur për një studiues, që punon saktë edhe me institucionin verbal të aparatit bibliografik. Ndihem mirë që jam mik i autorit, por sidomos që paraardhësit e mi Murat Miftar Tërbaçi e Gani Iljaz Abazi ishin edhe miq të Ahmet Lepenicës, Osmën Haxhiut, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Qazim Kokoshit, Hamit Selmanit, Alem Mehmetit, Ali Beqirit, Hysni Shehut, Azbi Canos, Sali Bedinit, Myqerem Hamzarajt, Beqir Sulos, Meçan Selamit, Rexhep Sulejmanit, Halim Xhelos e tërë atyre luftëtarëve të kombit dhe, do të përpiqem ta justifikoj, në kushtet që jetojmë, këtë fakt të nderuar e dinjitoz.

 

Shënim:

Shkrimi është nxjerre nga libri: Albert Abazaj “Lufta e Vlores, historia në epikën historike”, Tiranë 2015

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here