Meta: Konferenca e Pezës, amanet për të lënë mënjanë antagonizmin, bashkë për interes Kombëtar!

0
102

Presidenti Meta: Konferenca e Pezës është amanet për të lënë mënjanë antagonizmin e paprinciptë politik, për t’u bashkuar për interesin kombëtar 16 shtator 2019

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta ishte sot i pranishëm në ceremoninë përkujtimore dhe festimet e 77-vjetorit të Konferencës historike të Pezës. Në fjalën e Tij përshëndetëse me këtë rast, Presidenti Meta u shpreh: “Sot përulemi me nderim në këtë vend të shenjtë për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, sepse Pezë për shqiptarët do të thotë bashkim, qëndresë, dhe besa-besë me parullën historike që lindi këtu dhe që nuk mund të mbetet vetëm në histori, por që është edhe një amanet për të gjithë shqiptarët, për t’u bashkuar pa dallim feje, krahine dhe ideje për interesin kombëtar. Jemi sot këtu të nderojmë Pezën, sepse bëri sakrifica si asnjë krahinë tjetër, në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe mjaft e ekspozuar ndaj pushtuesve, u dogj, u përvëlua, u masakrua dhe u martirizua, por asnjë herë nuk u dorëzua. Jemi këtu dhe përulemi përpara veprës dhe kujtimit të paharruar të atdhetarit Myslim Peza, i cili mikpriti këtë Konferencë historike që hodhi themelet e gjithë Luftës Antifashiste. Konferenca e Pezës është historike edhe sepse në një kohë të errët pushtimi ishte konferenca e parë pluraliste në vendin tonë, që dha mesazhe të fuqishme patriotizmi dhe të ngritjes mbi interesat parciale për interesin e madh kombëtar. Jemi në prag të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, një ngjarje madhore, që na fton të gjithëve të bashkëpunojmë sa më ngushtë, jo vetëm në respekt të historisë dhe të sakrificave të panumërta, por edhe të ruajtjes së të gjitha atyre vlerave dhe të gjithë asaj trashëgimie të jashtëzakonshme, që duhet ta investojmë në edukimin patriotik të të rinjve dhe të fëmijëve tanë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se gjithçka që ka arritur Shqipëria, e ka arritur vetëm përmes sakrificave më sublime që kanë bërë paraardhësit tanë. Së fundmi: Peza nuk mund të mbetet vetëm histori! Peza është edhe amanet! Amanet i atyre që bënë Konferencën, amanet i të gjithë dëshmorëve, të cilët dhanë jetën pikërisht për të realizuar vendimin madhor të Konferencës së Pezës, për bashkimin e shqiptarëve me qëllim çlirimin e Shqipërisë. Sot objektivi ynë kombëtar është integrimi europian i Shqipërisë. Ndaj është koha për të mos e vonuar këtë proces për shkak të antagonizmit politik të paprinciptë. Është koha për të forcuar bashkëpunimin, duke lënë sa më shumë mënjanë interesat e ngushta afatshkurtra, në mënyrë që e ardhmja europiane e Shqipërisë të jetë sa më e shpejtë, sa më e prekshme, sidomos për të rinjtë, dhe për fëmijët tanë. Me këtë rast, edhe një urim të veçantë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që sot fillojnë shkollën dhe sidomos për fëmijët e Pezës, të cilët duhet të jenë shumë krenarë që janë pezakë, sepse nuk ka shqiptar në botë që nuk e di se ç’do të thotë Pezë për Shqipërinë dhe për shqiptarët! Lavdi Konferencës së Pezës dhe Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!”, – u shpreh Kreu i Shtetit. Më pas, Presidenti i Republikës bëri homazhe, duke u përulur me respekt para sakrificave dhe vetëmohimit të heronjve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si dhe vendosi një kurorë me lule në varrezat e “Dëshmorëve të Pezës” duke nderuar veprën atdhetare dhe kujtimin e paharruar të Myslim Pezës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here