Teatri Kombëtar/ Shehi: Kjo ‘baraka’ e vjetër ka shumë rëndësi për qytetin…

0
145

Është ora 2:30 e mëngjesit. Në sheshin mes dy teatrove ko mbëtarë, janë si çdo natë prej 18 korrikut, rojtarët qëndrestarë të ulur nëpër stola. Makinat që pastrojnë qytetin vijojnë me ulërimën e tyre ndaj gjetheve. Drita nuk ka, pos llambave të Ministrisë së Brendshme që e lëshojnë të verdhemen e tyre edhe para teatrove, duke i dhënë dritë një sheshi të lënë në errësirë.
Nga qoshku i godinës së Eksperimentalit, shquhet një burrë. Nuk e dallon dot derisa afrohet. Është ish-deputeti Dashamir Shehi. Është burri babaxhan fjalimet e të cilit në parlament bëheshin virale. Është ai që iu drejtua kryeministrit një vit më parë me fjalët “Zoti Kryeministër ka 20 vjet që merret me këtë teatër. Unë kam pasur një tufë pronash të miat, të babait tim, të ligjshme. I gjurmova vetëm 3 vjet më pas u mërzita, por ky ka 20 vjet që i është ngjit teatrit ka mbrapa e nuk i shkulet. Ky ka bo teatrin më të madh që është lujt najherë këtu”.

Është ai që mbahet si model i politikanit që nuk gëzon privilegje të pushtetit. Ende ecën në këmbë rrugëve të qytetit. Ende vjen në teatër si gjithnjë.

“Ç’telepati”,- thotë aktori Neritan Liçaj. “Vetëm pak minuta më parë, po thosha që Dash Shehi nuk ka lënë shfaqje të teatrit pa parë në këto 25 vite që jam unë aktor në Teatrin Kombëtar. Madje, ka gjasa që ke parë më shumë se unë, që e kam lënë ndonjë”. Dash Shehi qesh, përshëndet të pranishmit dhe ulet në një karrige bosh. Thotë se mendoi të dilte këtej nga lagjja dhe bashke me Neritanin kujtojnë disa shfaqje të hershme, që Shehi i ka ndjekur nga karriget e para bashkë me fëmijët. Qesh dhe pastaj trishtohet. “Erdha njëherë të shihja një ‘black Comedy’. Ishte një histori irlandeze para 12 vitesh mbase. Nuk qe e vështirë t’u shpjegoja fëmijëve se çfarë ishte loja e aktorëve dhe domethënia e pjesës në një black comedy. Më e vështirë ishte t’u shpjegoja se pse salla ishte gjysmë bosh”.

Thotë se ka shumë kujtime nga salla dhe nuk janë të gjitha kujtime shfaqjesh. “Ne dikur këtu kemi bërë edhe mbledhje politike. Kur u bë PD e Tiranës më 1990-1991 për shembull, takimi u bë te salla e teatrit. Pra, kjo sallë përveç shfaqjeve teatrale ka edhe ‘shfaqje’ të dramaticitetit politik, se janë bërë edhe gjyqe komuniste, mbart histori kjo sallë. Mbart edhe historinë e demokracisë shqiptare si koncept. Unë kam mbajt këtu fjalime që sot cilësohen edhe të famshme”, kujton ish-deputeti e ish-ministri, duke shtuar se atëherë pyeti nëse “demokracinë do e bëjmë si piramidë, me bazë të gjerë e majë të ulët, apo do e bëjmë me bazë të ngushtë e me majë të gjerë”.

Ai këmbëngul që “baraka” duhet të rrijë në këmbë. Për të, “ka histori dhe ka një lloj arkitekture e finese që s’është shqiptare po italiane. Është kryeqyteti ynë e kjo është një hapësirë urbane. Duam të bëjmë një teatër të ri e modern? Kush nuk e do? Dil e bëje të bulevardi i ri. Unë i pari do doja të bëhej një teatër i ri”, thotë Shehi.

Ai nuk ka ardhur në teatër e nuk është marrë me të, vetëm si dashamirës i teatrit. Kur ka qenë ministër i Ndërtimit ka lëvruar një fond prej rreth 500 mijë dollarësh për të rikonstruktuar godinën. “Në atë kohë ka qenë drejtor i teatrit, Dhimitër Xhuvani. Duhet të ketë qenë viti 1994-1995, unë isha Ministër Ndërtimi, e ai drejtor kur u bë ndërhyrja. U bë sebep Xhuvani që e kisha dhe komshi te shtëpia që u bë ndërhyrja”, kujton Shehi.

Neritan Liçaj shton se një pjesë të çatisë e ka ende nga ajo kohë.
Dhe në këtë çast, Shehi bën një ‘mea culpa’. “Gabimi ka qenë se kjo punë duhej bërë tamam, jo me pak lekë por me shumë lekë. Po kjo që bëmë nuk vlejti shumë. Në atë kohë duheshin të paktën 3 milionë dollarë dhe do ta kishim ribërë si duhet. Sot duhen minimalisht nga 8 deri në 10 milionë dollarë, që ky kompleks të bëhet teatër shumë i mirë. Dhe me këtë do të bëhej një gjë e mrekullueshme për qytetin”.
Ai hesht njëherë. Pastaj ngre zërin. “A ka gjë më të bukur se kjo? Këtej (shtrin dorën majtas) është një teatër, këtej (shtrin dorën djathtas) është një teatër tjetër. Këtu është një oborr, ka një pishinë. Bëj dy kafe po deshe këtu. A ka gjë më të bukur se kjo? Shyqyr o Zot, ata italianët, e kanë bo për interesat e veta. E trashëgoi ky qytet. Ç’nevojë ka që të dhunohet kjo, të bëhen grataçela kot? A do me bo jetë artistike këtu? Sill artistët këtu, le të kenë një kafe, le të lahen në pishinë, atë zonën matanë teatrit bëje ça të duash. Ç’paske nevojë ta shembësh këtë, ç’nevojë paske mor burrë?”. Ai nuk e përcakton për kë i ka pyetjet, por sekush e di se për kë janë.

Arkitekti Astrit Seranaj, i thotë Shehit se kur teatri u inagurua 80 vjet më parë, në fillim kishte një bar- kafe në atë që sot është sheshi mes dy teatrove. “Këtu ku jemi ne tani, ka qenë pistë vallëzimi”, thotë Seranaj dhe e ka fjalën për atë vend ku sot vihet mikrofoni e flasin protesteusit prej 20 muajsh në mbrojtje të ish-kompleksit Skanderbeg. Bari, sipas tij ishte afër Eksperimentalit dhe po në shesh kishte një kolonadë ku vendosej orkestra.
Për Shehin, pak rëndësi ka kjo në detaje, pasi ajo që ka rëndësi për të, është se kjo është një hapësirë kulturore dhe e tillë duhet te jetë.

“Mos ia moho qytetit dhe historisë së tij hapësirën kulturore, as brezave të rinj. Për çfarë ta zhdukësh? Ka edhe një gjo, në funksion të kujt, në interes të kujt? Pse po e bën? Mirë se po e bën, po pse po e bën? Sa bën teatri i ri? 20 milionë? Bëje të bulevardi i ri. Këtë duhet të bënte një kryeministër i ri, një njeri që njeh kryeqytetin mirë si ai. Nëse ti do me gjithë mend teatër, e gjen vendin për ta bërë” thotë Shehi. Jo pa ironi shton se pikërisht “kjo baraka e vjetër është shumë e rëndësishme për qytetin”.

Pedagogia Mirela Karabina Cerraga, ish-ministre e arsimit, i kujton se që prej 24 korrikut, në këtë sallë, janë vënë 14 shfaqje e evente kulturore. Dash Sheshi vëren se në një farë mënyre edhe kjo e ka mbajtur teatrin. “Unë gjykoj që gjatë verës, është goxha sakrificë që është mbajtur ky vend. Tani që erdhi vjeshta, ka njerëz vazhdimisht, e lëvizje. Gjatë verës, jam trembur se nuk do kishte rezistencë. Unë nuk jam shumë i rezistencës së natës, por im bir vjen këtu”. Ka trishtim në fjalët e një burri, që dikur, bëri sa mundi për këtë teatër, ku ai erdhi pak si politikan e qindra herë si publik. Ndjen pendesë në fjalët e atij që sot mendon se duhej të kishte bërë të pabërën. Dhe një farë pafuqie kur sheh se në ç’gjendje është lënë. Por ndjej se zëri i bëhet më i plotë kur flet për një protestë të gjatë e të bukur.
“Kjo është një punë përtej teatrit, sepse është një temë e madhe rezistencës së shoqërisë. Kjo është një rezistencë e qytetarëve.

Është pozitive që për herë të parë, 100 vetë janë ndodh këtu natë për natë, e kanë rezistuar. Në emër të kujt? Në emër të një lirie, e të një drejtësie. Është një stimul i madh. Unë them se këtë oborr këtu, pas kësaj rezistence zor se mund ta shembë çdo lloj qeverie”- thotë Shehi me një zë, që shkon deri të pishina dhe kthehet si eko drejt dritareve të Ministrisë së Brendshme, nga ku vjen e verdhema e dritave të natës. Për të, “kjo trego që ky qytet i reziston xhahillëkut dhe inatit të këtij kryeministri. Kjo trego se ky qytet po fillon me u bo realist. E dini pse? Sepse vetëm këtu po rezistohet edhe te Unaza. Por kjo këtu(rezistenca e teatrit) ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë. Sepse këtu njerëz që s’kanë asilloj interesi personal për ketë objekt, por e mbrojnë pronën publike nga shteti. Kjo bën diferencën”./gsh.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here