Standard.al

Qemal Lame: Përgjegjësia Kushtetuese Kombëtare e Presidentit të Republikës

0

Nga Dr. Qemal Lame

Përgjegjësia Kushtetuese Kombëtare e Presidentit të Republikës

Presidenti Ilir Meta ka vepruar me përgjegjësi kushtetuese e kombëtare për parandalimin e tensionimit të mëtejshëm të situatës politike, më 8 qershor 2019, duke mënjanuar edhe djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Me detyrën e tij edhe si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ai ka vlerësuar të dhënat dhe ka reaguar në kohë ndaj situatës së krijuar, në bazë të informacioneve të Shërbimit Informativ. Presidenti ka në kompetencat e tij veprimtarinë e institucioneve të sigurisë kombëtare, merr informacione prej tyre dhe jep orientimet e nevojshme për mbrojtjen e rendit juridik, sigurisë, jetës e të drejtave e lirive të shtetasve.

Kompetenca ekskluzive është parashikuar vetëm për presidentin për datën e zgjedhjeve për Kuvendin dhe pushtetin lokal. Qëndrimi dhe arsyetimi i tij për dekretet kërkon interpretimin e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. Presim me interesim edhe mendimin profesional e të paanshëm nga ekspertët e njohur të së drejtës ndërkombëtare të Komisionit të Venecias.

Kërkohen gjykime objektive dhe qëndrime të kujdesshme ndaj interpretimeve të Kushtetutës dhe kompetencave të presidentit në kushtet aktuale të krizës reale të përfaqësimit për shkak se është ndërprerë konkretisht veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese.

Përgjegjësi kushtetuese dhe kombëtare është edhe situata e krizës politike të krijuar pas largimit të padrejtë të partive opozitare nga Kuvendi dhe papërgjegjshmërisë për heqien dorë nga mandatet. Ky është një rast unik për shtetin e së drejtës. Po kështu, e jashtëzakonshme është edhe vazhdimi i veprimtarisë normale të Kuvendit me plotësimin e deputetëve në bazë të listës së vetë partive politike të larguara, si dhe krijimi i opozitës së re. Nuk ka asnjë rast të kësaj natyre në të drejtën ndërkombëtare dhe veprimtarinë e deritanishme të shtetit të së drejtës në demokracinë perëndimore. Shpresojmë në rregullimin e kësaj gjendjeje me arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse politike për reformën zgjedhore.

Fakt pozitiv është ulja e tensioneve politike. Maxhoranca si dhe opozita kanë përfituar nga qetësia realtive e deritanishme, mënjanimi i konfrontimeve fizike e i viktimave, ulja e retorikës luftarake të politikanëve, reflektimi në përgjegjësitë e partive politike dhe krijimi i kushteve të favorshme e të domosdoshme për marrëveshje të gjerë politike për interesat kombëtare.

Demokracia përballet me probleme të mëdha për të cilat kërkohet ndërgjegjësim nga personalitetet e larta shtetërore e politike për tu zgjidhur në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, duke respektuar pavarësinë e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutin e gjyqësor, parimet e pluralizmit politik dhe mbështetjen e merituar të institucioneve kushtetuese, ligjzbatuese dhe atyre të drejtësisë së reformuar.

Urojmë të marrim lajmin e shumëpritur, për datën 18 tetor, për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.