Standard.al

Ja pengesat për integrimin e BP në BE…!

0
Nga Kastriot Islami 

1. Këto që po shkruaj sot në këtë shkrim dhe që janë aktualisht edhe përfundime të Instituti ndërkombëtar IFEMES, i kam trajtuar prej disa vitesh. Ato janë të njohura për shqiptarët por kanë rënë në vesh të shurdhër të ndërkombëtarëve, veçanërisht të disa prej tyre që kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë, demokratizimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor (BP). E rëndësishme është që pas më shumë se 6 vjetësh të gjithë bashkohen në analiza e përfundime të njëjta.

2. Në përfundimet e IFIMES thuhet: i) pa u dekriminalizuar shtetet e BP s’do të mund të kryhet procesi serioz, politik, demokratizues e integrues që do të siguronte zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet afatgjatë të BP; ii) SHBA-ja duhet të punësojë agjenci të specializuara për të luftuar krimin e korrupsionin në vëndet e BP; iii) është me rëndësi jetike që veprimet e SHBA të koordinohen me BE, sepse shumica e fondeve të BE përfundojnë në duart e krimit e korrupsionit të lidhura ngushtë me liderët e vendeve të BP.

3. Instituti IFEMES ka arritur në përfundimin konkret se ‘Shkatërrimi i dyshes së regjimit Thaçi-Rama ndoshta do të ishte pika më e fortë që do të shërbente si shembull për punën e Palmerit, si i dërguar special i SHBA për BP’.

4. Para një viti, nga një sondazh me qytetarët nga vendet e BE rezultonte se ‘60 përqind e qytetarëve në Gjermani, Francë e Belgjikë janë kundër zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor’ dhe atyre ju dukeshin ‘marrëzi planet për zgjerimin e BE drejt vendeve të BP’. Ky është një perceptim i hidhur i qytetarëve europianë për vendet e BP.

5. Drejtuesit e vendeve të BE, pro zgjerimit, kanë dhënë një argument në favor të zgjerimit të BE drejt vendeve të PB: rritja e ndikimi të Rusisë e Kinës, pa përjashtuar edhe atë të Turqisë, në vendet e BP.

6. Kundërshtarët apo skeptikët e zgjerimit, sidomos në 4-5 vendet kryesore të BE, kanë ngritur, disa shqetësime që pengojnë vendet e tyre të shprehen pro zgjerimit: i) mungesa të theksuara të sundimit të ligjit, korrupsion në nivelet e larta të qeverisjes, kapje e shtetit, lidhje e shtetit me krimin e organizuar, kontroll e ndërhyrje në media, shoqërinë civile, drejtësinë, në të gjithë vendet e BP; ii) vendet e BP drejtohen nga lidera autoritarë, të korruptuar e të inkriminuar, duke dhënë mundësi pas anëtarësimit të tyre në BE, të rritej numri i liderave që mund të ndiznin flakët e nacionalizmit e populizmit, duke çuar eventualisht në bllokimin e funksionimit të BE.

7. Përmbledhtas mund të thuhet se avancimi i vendeve të BP në procesin e anëtarësimit në BE është frenuar/ngadalësuar/vonuar nga liderat e korruptuar e të inkriminuar, autoritarë e arrogantë të vendeve të BP, të cilët: i) kanë kapur shtetin, ii) kanë lidhje me krimin e organizuar, iii) kanë vendosur nën kontroll median, shoqërinë civile e drejtësinë dhe sillen me arrogancë ndaj qytetarëve; iv) kanë ndërtuar qeverisje me mungesa të theksuara të sundimit të ligjit; v) kanë cuar në rrënimin e ekonomive të tyre, në varfërimin e qytetarëve e pasurimin e një grupit të ngushtë drejtuesish klientelistë, në mungesën e investimeve të huaja, në emigrimin masiv të qytetarëve të tyre; vi) do të përbënin rrezik për nxitjen e populizimit e të nacionalizimit; vii) kanë si modele të qeverisjes jo Gjermaninë, Francën, Holandën, Belgjikën, dhe e pranojnë anëtarësimin e vendeve të BP në BE, thjeshtë për të krijuar kushtet për boshatisjen e vendeve të tyre.

8. Shkurtimisht, e vetmja pengesë e madhe e pakapërcyeshme për vendet e BP dhe që shfaqet si shqetësim për qytetarët europianë është se këto vende kanë devijuar nga rruga demokratike, kanë mungesa të mëdha të sundimit të ligjit, kanë ekonomi të rrënuara dhe mbi të gjithë drejtohen nga lidera autoritarë, të korruptuar, të inkriminuar e arrogantë, që nxisin qytetarët e tyre të migrojnë drejt BE. Ndryshe, në vendet e BP mbretëron ‘oligarkia, korrupsioni, krimi dhe banditizmi’. Sado të fshihet ky problem e të mos thuhet nga liderat ballkanikë, qytetarët europianë e kanë shprehur opinionin e tyre kundër zgjerimit drejt vendeve të BE.

9. Ka vetëm një zgjidhje: Vendet e BE duhet të ndihmojnë urgjentisht qytetarët e BP të heqin qafe e ndëshkojnë ashpërsisht këta drejtues që urrehen prej qytetarëve ballkanas dhe janë pengesa e vetme që vëndet e BP të bëhen pjesë e familjes europiane. Reforma e drejtësisë duhet të monitorohet seriozisht në mënyrë që drejtësia e reformuar të jetë e suksesshme për të ndëshkuar të gjithë liderat autoritarë, të korruptuar, të inkriminuar e arrogantë dhe të mos keqpërdoret prej tyre për tu mbrojtur apo për gjueti shtrigash ndaj kundërshtarëve.

*Autori është ish-Ministër i Jashtëm

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.