Kafe me çunin e Enverit

0
292

Nga Agim Xhafka

Sa mora vesh se kishte ardhur në Tiranë Astriti me Vjollcën, vrapin e ndala te shtëpia e tij andej nga stadiumi “Dinamo”. Ai ka vite që jeton në USA, por sa herë vjen, nuk ka rastisur ta takoj, ndaj kam shumë mall.

Kemi qenë shokë të hershëm qysh nga fillorja deri sa nisëm gjimnazin. Se më tej unë u shkollova, ai u fut në burg.

Një ditë tha “po jetojmë më keq se derrat” e kaq u desh. Nuk e mohoi atë thënie, i dolën dëshmitarë në gjyq plot shokë të klasës e të pallatit. U dënua tetë vjet e sa i afrohej lirimi, e ridënonin. Kështu bëri 17 vjet burg.

Kur doli, nuk i gjeti gjallë prindërit. Një vëlla që kish, e internuan e ai i mbajti mëri. Nuk i fliste as kur e shihte në rrugë, e quante fajtor të fatit të zi.

Kur diktatura ngordhi, Astriti sa kishte hapur një dyqan. U njoh me Vjollcën, një vejushë që banonte aty pranë dhe u martuan shpejt e shpejt. Gëzimit të atyre ditëve iu shtua dhe Lotaria Amerikane. Ikën pa kthyer kokën pas. Më në fund, rreze dielli dhe për ta.

Patën ardhur disa herë këto vite, por nuk ndodhesha unë në atdhe.  Ndërsa tani… E përfshiva për krahësh e drejt e te një kafe te Blloku.

Nuk folëm ca minuta, shiheshim ndër sy e kaq ishim të gëzuar sa po lotonim. Nisa ta pyes për jetën e tij, për… por ai u nguros. Ngeli me sy shqyer. Dikë po shihte pas kurrizit tim.

– Djali i Enverit është ai?

Ktheva kokën dhe e pohova. Kuptova që ai u tmerrua se iu kujtuan vitet e ferrit. Ndaj që ta zbusja situatën, i thashë:

– Ai nuk do mbajë fajet e të atit.

– Sigurisht, por të bëjë jetë modeste, larg publikut që jetoi në burgun që ndërtoi babai i tij.

Na u prish gëzimi. Më pas vajti më keq. Te tavolina e Junior Enverit, u ul një ministër i qeverisë. Dukej që kishin shumë miqësi, se e qeshura u rrit deri në bezdisjen e njerëzve në lokal. Ngjitur u qëndroni disa bodigardë.

– Dalim, – tha Astriti, e gati kërceu nga karrigia në rrugë. Por ishte dita e keqe e tij, se u përplas me Gaqon, hetuesin që i kishte thyer krahun dhe e kishte rrahur kaq kohë. Sa zbriti nga “Range Rover” i zi. Derën ia mbylli shoferi.

– Ka një firmë ndërtimi, thuajse ky i ka ngritur gjysmën e pallateve në Tiranë, – justifikova Gaqon.

Iku, nuk më përshëndeti, ma bëri me dorë e dëgjova: Do shkoj ca dite në Sarandë, kur të vij, mbase drekojmë.

Kështu na vajti takimi i mezipritur me shokun e ngushtë. Pas një jave, në cel më erdhi një sms: “Nuk ndenja në Sarandë aq sa e kisha planifikuar. U tmerrova se, hotelin ku bujta, e kishte në pronësi nipi i Hajredinit, i ish-gjykatësit tim. E kishte blerë nga shteti për një çapë bukë dhe ne flinim me 100 dollarë nata.

Duke parë se rreth e rrotull vendit ende po qeverisin e gjallojnë xhelatët, ata që na vranë e na internuan, ata që as falje nuk kërkuan, më kapi paniku se mos u shkrepet dhe na mbyllin kufirin e ngelemi brenda gardhit me gjemba, siç ngelëm 50 vite rresht.

Ndaj unë e Vjollca ikëm para kohe, shpejt e me nxitim e tani që po të shkruaj ndodhem në Amerikë. I gëzuar për vete, por në merak të madh për ty se si do jetosh ende me ata njerëz mbi kokë e nën hyqmin e të paaftëve dhe grabitësve të vendit.

Paç fat, miku im!

Ngushëllime për Shqipërinë tonë!”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here