“Rama si aktori ideal për filmat e Mamaqit”

0
136

Nga Ergys Mërtiri

Në dukje, pak gjëra mund ta ndajnë komedianin nga karagjozi, por në thelb botët e këtyre të dyve janë shumë larg njëra-tjetrës. Që me Aristofanin e Greqisë së lashtë, komedia ka qenë një ndër instrumentet më të rëndësishme, nëpërmjet të cilit arti ka paraqitur të vërtetën e vet. Don Kishoti, konsideruar nga shumëkush si romani i parë modern në perëndimi, ishte jo rastësisht (tragji-) komedi, ashtu si edhe kinemaja e pionierëve Baster Kiton e Çarli Çaplin.

Pavarësisht kësaj, bota ka prodhuar gjithmonë edhe art banal, dhe humori si surrogat i komedisë është ndoshta më i keqpërdoruri. Nevoja e turmave për gallatë dhe dëfrim është e papërmbajtshme dhe arti është shfrytëzuar për të përmbushur orekset e tyre. Duke u maskuar si art, produktet komerciale mbushin barkun e masave me mall konsumi pa vlerë, në të gjitha zhanret – muzikë, pikturë, letërsi, kinema etj.

E njëjta gjë ndodh shpesh edhe në politikë, sidomos në atë të Ramës dhe Veliajt. Propaganda e tyre falsifikon vlerat, duke i shitur dështimet e këtyre drejtuesve si suksese. Në mënyrë të pacipë, ajo paraqet, bie fjala, betonizimin si zhvillim, duke i konsideruar vlerë kullat në qendrën historike të qytetit, ndërsa një ndërtesë historike si ajo e Teatrit Kombëtar e quan “karakatinë” pa vlerë.

Në këto kushte, është e kuptueshme ortakëria e kësaj qeverie me individë apo produksione komerciale me zero ose shumë pak vlerë artistike. Qeveria është vetë e tillë: komerciale dhe propagandistike, shumë piar, zero mirëqeverisje.

Në këtë linjë, bashkëpunimi i aktorëve Erion Veliaj dhe Edi Rama me Ermal Mamaqin në dy filmat e tij të fundit është, gjithashtu, jo i habitshëm.

Humori i pavlerë paketuar si art

Humori i nivelit të Ermal Mamaqit, si edhe i shumë të tjerëve të ngjashëm, është një produkt konsumi me vlera të dyshimta artistike, në mos pa ndonjë vlerë fare, përveç asaj monetare. Ky lloj humori nuk thotë asgjë, nuk evokon asnjë ide apo mendim, nuk pasqyron asnjë realitet apo fenomen, si dhe nuk shfaq finesë apo mprehtësi në atë çfarë ofron. Ai është i drejtpërdrejtë, i atypëratyshëm, i parafinuar dhe, madje, banal. Qëllimi është të tërheqë sa më shumë vëmendjen, pavarësisht se si dhe me çfarë.

Mjafton një plastikë që arrin të prodhojë një fytyrë idiote, një e qeshur buçitëse pa kuptim e vetë humoristit, një sjellje e trashë e personazhit, apo një fjalë banale e shprehur ose nënkuptuar dhe turmat do të gajasen bashkë me të.

Ky lloj humori ofron më shumë bullizëm, sesa ndonjë kritikë apo karikaturë sociale. Ai tallet me personazhe e tipa krejt njerëzorë, me ndonjë mundësi të kufizuar fizike, të cilët na bie të gjithëve t’i ndeshim në jetën e përditshme. Kurrfarë ideje nuk përçohet më shumë se tallja dhe përqeshja e tjetrit.

Përdorimi politik i shfaqjeve të pavlera

Shfaqjet karnavaleske të Kryeministrit Rama gjatë viteve të para të karrierës së tij politike kishin për qëllim të prodhonin një profil politikani ndryshe nga të tjerët. Rama përpiqej të shfaqej si një personazh trendi, pa komplekse, gallatë, që nuk e çan kokën për asgjë dhe bën atë që mendon.

I rrethuar dhe i mistifikuar nga aureola e artistit, ai përpiqej të thyente tabutë në politikë, dhe këtë e tregonte edhe në detajet më pa rëndësi, si shfaqjet qesharake në media e spektakle televizive.

Ndaj diçitura e fotos së Mamaqit me Ramën në Instagram është shprehje e saktë e vazhdimësisë së kësaj prirjeje.

Përfshirja që herët, kur kandidonte për Bashkinë e Tiranës, në një videoklip të grupit West Side Family, ishte ndër hapat e tij të parë në politikën variete. Një sërë shfaqjesh të tilla do të vijonin më tej si daljet televizive duke luajtur basketboll, duke luajtur në lodrat e fëmijëve gjatë inagurimit të “7 xhuxhave”, shëtitja me sëpatë në dorë para kamerave për të prerë një shtyllë në mes të Tiranës, vallëzimi në Dancing With the Stars etj. Karriera e tij është e mbushur me shfaqje të tilla, duke e bërë atë të ngjajë më shumë me një personazh në show biz, sesa me një drejtues që kërkon të qeverisë vendin.

Metamorfoza në klloun si destinacion politik

Pak pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama shkaktoi pakënaqësi në rritje në publik, përkrah skandaleve të paimagjinueshme, ku pushteti u shfaq në ortakëri me krimin e organizuar, trafikantë e banda kriminale, që erdhën e vazhdojnë të vijnë deri në parlament e në krye të bashkive. Të gjitha këto ndodhin teksa varfëria dhe papunësia rriten, ndërsa njerëzit po ikin masivisht nga vendi i tyre.

Nevoja për trukim të imazhit është rritur aq shumë, sa në shfaqjet e qëverisjes së tij, Kryeministrit i duhet të marrë tashmë rolin e një kllouni. Nga veshjet me kostum e këmishë, por me kravata e çorape që vezullojnë prej ngjyrave të ndezura, ai kaloi tek jamamotot e shallvaret, tutat e sportit, e deri te shfaqja në samite ndërkombëtare me atlete të bardha.

Dy vjet më parë ai u shfaq me kostumin e babagjyshit në një emision televiziv gjatë festave të fundvitit, ku i bëri dhuratë një të ftuareje një vend punë në qeveri. Një vit më parë, në pikun më të ulët të besueshmërisë, ku e zhytën protestat studentore, ai u shfaq në dush, në reklamën për një emision humoristik, ku u përpoq ta mbulonte me harresë situatën ku ishte përfshirë.

Sot, në kulmin e krizës politike dhe të autoritarizmit të tij, teksa prokuroria bën çmos të shpëtojë nga burgu frytet e zgjedhjeve njëpartiake të tij, ku mori mbështetjen më të ulët në historinë e PS-së, Rama shfaqet si personazh në një film gallatë, “thyerje brinjësh e tabush”, me siguri me vlera të ngjashme artistike si humori banal e dylekësh i një autori komercial si Mamaqi. Ky është vetëm stacioni i rradhës i kësaj metamorfoze të Ramës, e imponuar nga dështimi dhe nga nevoja për ta mbuluar atë.

Qëllimi i kësaj propagande është vetëm spostimi i vëmendjes, për t’i bërë njerëzit të flasin për gjithçka përveç qeverisjes. Ajo synon të jetë argëtuese, eglendisëse, madje edhe skandalizuese, duke i mbajtur turmat në gjendjen e të mos menduarit.

Duke e orientuar publikun në nivele gjykimi që nuk shkojnë përtej imazhit, habisë apo thashethemnajës, kjo lloj politike kërkon ta mbajë të angazhuar spektatorin në ngjarje periferike, pa rëndësi, që zbusin mllefin e krijuar nga qeverisja.

Megjithatë, kjo lloj politike nuk mund t’ia dalë mbanë pa pasur një kontroll absolut mbi mediat. Në çdo vend tjetër, kryeministrin do ta merrnin me shqelma, nëse do të sillej në këtë mënyrë.

Nga ana tjetër, nga skandali në skandal, kjo lloj politike piari nuk mund të mbajë gjatë. Sado truke mediatike e kontroll mbi televizionet, gazetat, portalet, e deri te profilet dhe faqet në mediat sociale të ketë qeveria, dështimi i saj është bërë tepër i dukshëm dhe i rëndë për të qëndruar mbi paterica. Në fakt, pa këto instrumente, qeverinë Rama nuk do të kishte propagandë humoristike që ta mbante në këmbë./Exit.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here