Standard.al

“Propozime konkrete”, Kryemadhi: 0% tatim për të ardhurat e të rinjve deri 30 vjeç

0

“Propozime konkrete per start-up-et, biznesin e drejtuar nga të rinjtë, po i përgatisim dhe do t’i paraqesim së shpejti propozimin tonë bashkë me faturën financiare që çdo i ri apo e re deri në moshën 30 vjeç për çdo biznes apo edhe te ardhurat e tyre financiare qe vine si rezultat i punës tyre në biznes, administratë, sistem bankar, shëndetësi, bujqësi, apo çdo fushë tjetër tatimi të jetë 0”. Kështu deklaroi kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në 15-vjetorin e kësaj force në një aktivitet të organizuar mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve.

Ajo tha se ne duhet të hartojmë politika që t’i kushtojmë vëmendje të rinjve dhe të rejave që t’i mbështesim për të qëndruar në Shqipëri. Do të ishte nder dhe përfitim i madh për shtetin shqiptar që më mirë të bej 0 taksat për të rinjtë shqiptarë se sa paratë e tyre të harxhohen për udhëtimet e luksit të enturazhit qeveritar”, u shpreh ajo.


Sipas Kryemadhit, plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve janë alarmi ynë i madh dhe ndalimi i këtij trendi duhet konsideruar dhe trajtuar si interes kombëtar.

“Prandaj shteti dhe të gjithë mekanizmat e tij, politika pa dallim dhe e bërë bashkë duhet të synojë e realizojë ndërmarrjen e politikave që kanë në themel të tyre solidaritetin dhe dimensionin social, humanizmin dhe shtetin si garant të arsimit e punësimit për të rinjtë, të shëndetësisë si shërbim ndaj qytetarëve dhe jo si përfitim të oligarkëve”, tha ajo.

Më tej Kryemadhi tha se 15-vjetori i LSI përkon me një ngjarje të madhe krenarie, luftën nacional çlirimtare.

“Për mua si Kryetare e LSI-së dhe për të gjithë ne, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, është një moment fatlum dhe rastësi e bukur që 15 vjetori i krijimit të partisë tonë koinçidon në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut, të kësaj ngjarjeje të madhe krenarie, sepse Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Antifashizmi si vlera e saj universale, jo vetëm i sollën popullit lirinë, por e bënë Shqipërinë kontributore të denjë në koalicionin antifashist botëror, në koalicionin e madh të vlerave e të sakrificave, mbi të cilat u ngrit Europa e Bashkuar”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Ajo tha se ne jemi krenarë për historinë tonë, por ndjehemi përherë të detyruar ta nderojmë atë, të nderojmë sakrificat e një populli të tërë dhe gjakun e dëshmorëve të lirisë, që nuk mund të përbalten dhe as te mohohen me harresën e turpshme qeveritare, që në këtë jubile të lavdishëm nuk thotë asnjë fjalë e as e përmend 75-vjetorin e çlirimit të atdheut.

“Por ne jemi këtu edhe për të mos harruar, jemi këtu për të përkujtuar, jemi të gjithë bashkë për të nderuar Luftën Partizane dhe antifashizmin e popullit shqiptar! Të dashur vëllezër e motra anë e mbanë Shqipërisë e kudo që jeni nëpër botë! 15 vjet nuk janë shumë në historinë e një partie.

Por ato na mjaftojnë të bëjmë një bilanc punësh, ne mjafton të shohim me realizëm rrugën nëpër të cilën kemi ecur e mbi atë përvojë të reflektojmë.

Ekzistenca e LSI-së i dha vlerë e kuptim pluralizmit shqiptar; I dha dimensione dhe horizont të ardhmes së vendit; I dha motiv dhe jetë ëndrrës së të rinjve,

E ndaj, ajo edhe sot është forca e ndryshimit dhe e shpresës për Shqipërinë Europiane. Ne jemi këtu e do të jemi gjithmonë bashkë në Shqipërinë tonë, për ta bërë ëndrrën realitet!”, deklaroi Kryemadhi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.