Standard.al

Raporti si çertifikim i vendimeve të Presidentit. ODIHR nxorri “lakuriq” farsën e komisionin hetimor…

0

 

Edhe pse askush nuk kishte më dyshime mbi iligjitimitetin e 30 Qershorit, padyshim raporti final i OSBE/ODIHR është vula përfundimtare mbi “varrin” e një palë votimeve që nuk u kthyen dot kurrë në zgjedhje. Por përtej nxjerrjes në pah të parregullsive të shumta të këtyre votimeve, ODIHR si arbitër i vetëm ndërkombëtar i zgjedhjeve (pranuar nga palët prej kohësh si i tillë) vë po ashtu vulën edhe mbi debatin e kohëve të fundit mes mazhorancës socialiste dhe Presidentit.

Madje që në nisje të tij, në pjesën e kontekstit politik, raporti thotë qartë e shkoqur se mazhoranca qeverisëse ka shkelur ligjin duke mos botuar në fletoren zyrtare dekretin e Presidentit për zgjedhjet lokale të 13 tetorit. E ndërkaq si për të thelluar më tej paligjshmërinë e mazhorancës raporti i OSBE/ODIHR rrëzon edhe “kalin e trojës” në Kolegj, duke theksuar se gjyqtarët e këtij Kolegji kanë qenë të ndikuar politikisht ose të frikësuar nga Vettingu në vendimin që kanë dhënë për datën e zgjedhjeve dhe dekretin e kreut të shtetit.

Për të qenë më të saktë citojmë pjesë e bardha në të zezë sic janë shkruar në raportinei ODIHR:

1-Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji.

2- Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata i nënshtrohen “procesit të vettingut” në vazhdim, i cili mund të ndikojë në sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë potencialisht në pavarësinë e tyre.

 

Pa më të voglin dyshim këto përfundime të ODIHR janë një shuplakë e fortë ndaj të gjitha qëndrimeve të deritanishme të mazhorancës ndaj Presidentit. Të gjitha “konstatimet” e socialistëve sipas të cilave Presidenti shkeli Kushtetutën e ligjin me anulimin e zgjedhjeve dhe datën e re , jo vetëm që bien poshtë por në të njejtën kohë faktohen si argument antiligjorë të cilat si pasojë rrëzojnë edhe komisionin hetimor të ngritur për Presidentin. Përfundimet e ODIHR nxjerrin “lakuriq” farsën e këtij komisioni, i cili që nga ngjizja e tij e me shumë gjasë deri në përfundim do rezultojë një fiasco e paparë për socialistët.

 

Raporti i ODIHR nxjerr në pah po ashtu një problemtikë themelore të shtetit ligjor në vend, për të cilën Presidenti i Republikës ka ngritur zërin fort prej kohësh: mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

 

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar nga OSBE/ODIHR si shkaku që shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet. Kështu në raport, arbitri ndërkombëtar thekson se: “pasiguria juridike mbi zgjedhjet u rrit për shkak të mosmarrëveshjes midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesve zgjedhore”.

Një tjetër përfundim ky që i thyen hundët  të gjithë “ekpertëve” që janë munduar të argumentojnë pa asnjë logjikë mungesën e Kushtetueses në vend.

Në përmbyllje mund të theksojmë se raporti final i ODIHR jo vetëm që rrëzoi 30 Qershorin, por i dha një shuplakë të fortë tentivës antishtet të kryeministrit dhe mazhorancës që ai drejton, duke certifkuar të gjitha vendimet e marra nga Presidenti sa i takon zgjedhjeve.

Standard.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.