FOTO/ Presidenti Meta: Të luftojmë varfërinë për të forcuar paqen dhe begatinë në Shqipëri

0
103

5 shtator 2019

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë si dhe në përvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij, në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”.

Presidenti Meta, pasi shprehu mirënjohjen për të rinjtë e të rejat të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj veprave humanitare theksoi se kjo seancë dhurimi tregon më së miri një ndjenjë të lartë përgjegjshmërie shoqërore, humanizmi e solidariteti, aq më tepër në këtë datë historike të shenjtërimit të shqiptares së madhe Nënë Terezë.

“Sot është një ditë e mjaft e veçantë. Jo vetëm Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, por edhe Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, të lidhura fort me njëra-tjetrën në mesazhin njerëzor e të rëndësishëm që përcjellin, se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për të përballuar varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.

Dua të falënderoj të gjithë vullnetarët e “Fundjavë Ndryshe”, së bashku me Arbër Hajdarin, për këtë punë të shkëlqyer që bëjnë në vazhdimësi, për të lehtësuar vuajtjet e shumë fëmijëve dhe familjeve të varfra në vendin tonë.

Sikurse ka qenë edhe motivacioni në dhënien e Çmimit Nobel për Nënë Terezën, nuk duhet të harrojmë se pikërisht varfëria dhe vuajtjet janë shpesh edhe një kërcënim për paqen. Dhe vetëm përmes një angazhimi për t’i luftuar këto plagë sociale, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, ne jo vetëm dhurojmë dashuri, por njëkohësisht forcojmë paqen dhe begatinë e komuniteteve dhe të familjeve tona.

Prandaj edhe një herë falënderimet më të përzemërta për këtë punë të shkëlqyer dhe që keni zgjedhur 5 shtatorin për të realizuar një seancë të dhurimit të gjakut në një sezon ku kërkesat për dhurimin e gjakut rritet.

Mirënjohje për të rinjtë e të reja të cilët i përcollën sot shoqërisë dhe sidomos brezit më të ri mesazhin se Shqipëria që ka nevojë për vullnetarizëm dhe për të promovuar ndjenjën e solidaritetit, që të jemi më të bashkuar dhe më të begatë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here