30 qershori, OSBE/ ODIHR “shuplakë” Ramës: Të hetohen pretendimet për krimet zgjedhore

0
119

OSBE/ ODIHR ka publikuar raportin për zgjedhjet e 30 qershorit. Në raport thuhet se procesi i numërimit ka qenë përgjithësisht i rregullt.

Në raportin përfundimtar thuhet se procesi i numërimit ka qenë përgjithësisht i rregullt, ndërsa zgjedhjet janë zhvilluar kushtet e krizës  institucionale.

Gjithashtu theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cënoi sigurinë juridike të procesit, ndërsa kërkojnë që të hetohen pretendimet për krimet zgjedhore.

“-Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e krizës institucionale.

-Mungesë e efektivitetit të hetimeve penale.

-Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të ndikuar.

-KQZ cënoi sigurinë juridike.

-Të hetohen pretendimet për krimet zgjedhore.

-Nuk kishte alternativa në 31 bashki, pa kundërshtarë”, – thuhet ndër të tjera në raport.

OSBE-ODIHR RRËZON ZGJEDHJET E 30 QERSHORIT

Ekspertët e OSBE-ODIHR kanë ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe kanë rikonfirmuar se ato u zhvilluan pa marrë në konsideratë interesin e qytetarëve. Raporti nuk ka përcaktuar që zgjedhjet ishin demokratike apo që ato plotësuar standardet ndërkombëtare.

Nesër, më 5 Shtator, Misioni i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR pritet të publikoi raportin mbi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit në Shqipëri. Ekspertët e kanë përfunduar punën e tyre dhe Raporti përpara publikimit i është dërguar zyrtarisht institucioneve shqiptare dhe disa prej përfaqësive diplomatike në vend.

Nga burime zyrtare, kemi arritur të sigurojmë ekskluzivisht Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR që i është dorëzuar institucioneve shqiptare, ku siç edhe pritej janë konfirmuar të gjitha gjetjet e bëra publike në Raportin Paraprak të publikuar në 1 Korrik.

Nga leximi i Raportit arrihet të kuptohet se votimet e 30 Qershorit nuk kanë qenë normale për vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it. Duke shpjeguar arsyet përkatëse, ato duket se vendosin në pikëpyetje besimin e publikut tek procesi dhe tek legjitimiteti i zgjedhjeve.

Tërheq vëmendjen fakti që në asnjë rresht të Raportit, OSBE-ODIHR nuk shprehet që zgjedhjet ishin demokratike apo nëse zgjedhjet arritën standardet ndërkombëtare. Ky është rasti i parë kur OSBE-ODIHR nuk jep një përcaktim të tillë për zgjedhjet në Shqipëri, të paktën nga krahasimi me 3 Raportet e fundit të bëra për zgjedhjet në vendin tonë.

Që në nisje të tij, Raporti ripërsërit konkluzionin se: “Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione dhe se përplasjet politike çuan në pasiguri juridike, ku shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve.”.

Në dritën e këtij konkluzioni të ODIHR, është vështirë të besohet se zgjedhjet arrijnë standardet demokratike dhe ndërkombëtare kur ato mbahen pa marrë në konsideratë interesin e elektoratit, apo duke u hequr mundësinë votuesve të zgjedhin efektivisht.

Më tej në Raport, ekspertët e OSBE-ODIHR vendosin në dyshim besimin e publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve, duke u shpjeguar se: “Atmosfera e pasigurisë ligjore dhe mosmarrëveshja midis institucioneve kryesore shkatërroi besimin e publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve.”. Një tjetër aspekt sipas Raportit që minoi besimin e publikut në procesin zgjedhor ishte edhe “përbërja e pabalancuar politikisht e administratës zgjedhore apo thirrja për të bojkotuar votimin”. Në fakt, legjitimiteti i zgjedhjeve dhe besimi tek administrate zgjedhore janë dy elementë kyç të standardeve të OSBE-ODIHR për t’i konsideruar ato si “zgjedhje demokratike”.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar si shkaku që shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet, sepse për OSBE-ODIHR “pasiguria juridike mbi zgjedhjet u rrit për shkak të mosmarrëveshjes midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesve zgjedhore”.

Edhe pse në thelb në çdo vend demokratikë zgjedhjet janë mundësia e vetme e qytetarëve për të diktuar qeverisjen nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve më të mirë në qeverisjen lokale apo qendrore, në fakt Raporti thekson se “votuesit shqiptar nuk kishin një zgjedhje gjithëpërfshirëse midis alternativave kryesore politike pasi partitë kryesore të opozitës abstenuan zgjedhjet”. Për këtë arsye mendon OSBE-ODIHR, votimet e 30 Qershorit në thelb nuk ishin për të zgjedhur Kryebashkiakët, por “zgjedhja thelbësore e paraqitur para qytetarëve ishte nëse duhet të marrin pjesë apo jo”.

ODIRH evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”.

Për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 Qershor, ODIHR specifikon se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Pra është vështirë të kuptohet nëse kjo situatë lejohet apo jo ligjërisht.

ODIHR duket se nuk është bërë palë mbi debatin për numrin e pjesëmarrësve në votime, duke referuar në Raport shifrën e KQZ, por edhe pretendimin e opozitës. Megjithatë, tërthorazi duket se ka dhënë edhe për këtë një përgjigje, ku ka evidentuar se: “Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit. Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë”. Pra edhe pse me një gjuhë konstatuese dhe diplomatike, gjetja e shënuar në Raport se në listë janë nënshkrime identike për llogari të disa personave, apo mos shenjimi me bojë, ngre dyshimin e madh se numri i votuesve është rritur artificialisht, nëpërmjet votimit të një personi ne emër të disa personave.

Kritika nga ekspertët e OSBE-ODIHR kanë marrë edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën lidhur me mospranimin e komisionerëve të opozitës. Për ODIHR “mospranimi i komisionerëve të opozitës në administratën zgjedhore për shkak të interpretimit të ligjit nga KQZ, e la administratën zgjedhore politikisht të pabalancuar. Për pasojë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të ODIHR shprehën mungesë besimi për të gjitha nivelet e komisioneve”. Por ky nuk është rasti i vetëm kur ODIHR ka pakënaqësi për vendimet e KQZ. Më tej, ODIHR shprehet se “në disa raste KQZ zbatoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme ose në atë mënyrë që solli paragjykim. Disa vendime të KQZ-së, përfshirë ato për mohimet dhe ankesat për regjistrimin e kandidatëve, u publikuan me një vonesë të konsiderueshme, gjë që cënoi transparencën”. Gjithashtu, po mbi vendimmarrjet e KQZ, vëzhguesit e pavarur të ODIHR shtojnë se regjistrimi i Bindjes Demokratike në zgjedhje ishte në kundështim me ligjin dhe me praktikat e mëparshme të vetë KQZ apo Kolegjit Zgjedhor, duke theksuar se: “KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe nganjëherë në kundërshtim me praktikat e mëparshme, duke cënuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm në 25 Prill, me një vendim gjyqësor që mori formë të prerë në 10 maj. KQZ nuk i kërkoi të partisë së sapo regjistruar BD që të mbledh nënshkrime mbështetëse siç e kërkon ligji.”.

Në Raport konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar sipas linjave partiake. Ndërsa për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, theksohet se edhe pse ata gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore, procesi i vettingut ishte i zbatueshëm dhe mund të ketë ndikuar në pavarësinë e tyre.

Raporti konstaton edhe presionin ndaj qytetarëve, duke u shprehur qartë dhe në mënyrë direkte mbi këtë fakt. Raporti përmend raste konkrete se kur sjellje të caktuara gjatë zgjedhjeve bien ndesh me standardet e OSBE për zgjedhje të lira. Për ODIHR, “qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, u vunë nën presion për të demonstruar preferencën e tyre politike, e cila është në kundërshtim me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990”. Madje shtohet se: “ODIHR mori shqetësime nga qytetarët se duke votuar apo abstenuar potencialisht do t’i ekspozonte ato ndaj ndëshkimit në komunitetin e tyre. Disa përshkruan kërcënime të drejtpërdrejta dhe shantazh për pushime nga puna apo heqjen e përfitimeve të ndihmës sociale. Punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë dhe indirekt për t’u përfshirë në veprimtari politike gjatë dhe pas orarit të punës, dhe se punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike dhe kjo bie ndesh me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990”, – shkruhet në Raportin që pritet të bëhet publik nesër nga ODIHR.

ODIHR ka një shqetësim edhe për mosveprimin e organit të prokurorisë për ndëshkimin e krimeve zgjedhore, duke theksuar se: “ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve”.

Edhe pse për OSBE-ODIHR ka diversitet të medias, përsëri evidentohet se “ajo mbetet e varur nga përfitimet politike dhe interest e biznesit të pronarëve të tyre, dhe se në mungesë të vetë-rregullimit efektiv, gazetarët operojnë në kushte të pasigurta të punës dhe shpesh përdorin vetë-censurimin”.

Në përfundim, Raporti ofron rekomandime për të mbështetur përpjekjet për të sjellë procesin zgjedhor në Shqipëri në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimeve dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Janë plotë 20 rekomandime të cilat janë hartuar nga ekspertët e OSBE-ODIHR, ku 6 prej këtyre rekomandimeve vlerësohen si prioritare. Konkretisht, rekomandimet prioritare kanë të bëjnë me çështjet kyçe që përbëjnë problem për zgjedhjet në Shqipëri. Ekzaktësisht me angazhimin e palëve politike në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës; pluralizimin demokratik në Shqipëri; të drejtën e qytetarëve që nëpërmjet zgjedhjeve të diktojnë qeverisjen; keqpërdorimin dhe presionin mbi administratën publike; fshehtësinë dhe lirinë e votës, si dhe shmangien e formave të paligjshme të ndikimit mbi votuesit; pavarësinë e administratës zgjedhore; garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor; hetimin e shpejtë, të plotë e transparent të krimeve zgjedhore dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve.

PËRMBLEDHJE KRYESORE E RAPORTIT:

  • OSBE-ODIHR: Mosmarrëveshjet për 30 qershorin shkatërruan besimin e publikut tek legjitimiteti i zgjedhjeve
  • OSBE-ODIHR: Administrata e njëanshme zgjedhore minoi besimin e publikut tek procesi zgjedhor
  • OSBE-ODIHR RIKONFIRMON: Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë në konsideratë interesin e elektoratit
  • OSBE-ODIHR: Votuesve shqiptar iu mohua mundësia të zgjidhnin në 30 qershor mes alternativave
  • OSBE-ODIHR: Punonjësit e administratës publike u vendosën nën presion politik
  • OSBE-ODIHR: Votimet e 30 qershorit në klimën e pasigurie juridike
  • OSBE-ODIHR: Zgjedhjet u mbajtën nën një terren të krizës politike dhe institucionale
  • OSBE-ODIHR: Gjykatës Kushtetuese, organi i vetëm që vendos mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale
  • OSBE-ODIHR: Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit nga të tjerë
  • OSBE-ODIHR: KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke cënuar sigurinë juridike
  • OSBE-ODIHR: Mospranimi i komisionerëve të opozitës i paligjshëm dhe e la administratën zgjedhore politikisht të pabalancuar
  • OSBE-ODIHR: KQZ vonoi publikimin e vendimeve duke cënuar transparencën
  • OSBE-ODIHR: KQZ-ja e regjistroi partinë bindja demokratike dhe kandidatët e saj në mënyrë të paligjshme
  • OSBE-ODIHR: Shqetësim për mungesën e paanshmërisë së kqz-së
  • OSBE-ODIHR: Gjyqtarët e kolegjit zgjedhor të ndikuar në pavarësinë e tyrë për shkak të vettingut
  • OSBE-ODIHR: Punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë
  • OSBE-ODIHR: Qytetarët u kërcënuan me largim nga puna apo heqjen nga ndihma sociale
  • OSBE-ODIHR: Shqetësim për mosveprimin e organit të prokurorisë për ndëshkimin e krimeve zgjedhore
  • OSBE-ODIHR: Prokuroria asnjë procedim për krimet zgjedhore
  • OSBE-ODIHR: Mungesa e hetimeve penale konsolidon pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara
  • OSBE-ODIHR: 20 rekomandime, nga të cilat 6 prioritare

RAPORTI ËSHTË PLOT 34 FAQE DHE NDËR GJETJET KRYESORE TË TIJ, TË NDARA SIPAS FUSHAVE, JANË SI MË POSHTË:

KONTEKSTI POLITIK

  1. Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji.
  2. PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare, dorëzuan mandatet e tyre parlamentare në Shkurt 2019, pasi Parlamenti votoi kundër iniciativës së tyre për vettingun e politikanëve.
  3. Protesta të vazhdueshme në Tiranë, të drejtuara nga PD, u zhvilluan duke filluar nga Shkurti dhe shpesh u shoqëruan me dhunë drejtuar institucioneve shtetërore, përfshirë zyrën e Kryeministrit.
  4. Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve. Shumë aktor të interesuara vendase dhe partnerë ndërkombëtarë në Shqipëri bënë thirrje për dialog për të zgjidhur krizën politike, por partitë politike treguan në përgjithësi pak vullnet për t’u angazhuar në një bashkëpunim konstruktiv. Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe, rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje.

SISTEMI ELEKTORAL DHE BAZA LIGJORE

  1. Nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit.
  2. Puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore u bllokua nga opozita në Dhjetor 2018, dhe reforma zgjedhore u ndalua nga mungesa e marrëveshjes politike.
  3. Shumica e Rekomandimeve të mëparshme të vëzhguesve të ODIHR kanë mbetur të pa adresuara.
  4. Mungesa e qartësisë në disa dispozita të Kodit Zgjedhor mundësoi perceptimin paragjykues mbi mënyrën e zbatimit të tyre nga KQZ.

ADMINISTRATA ZGJEDHORE

  1. Mospranimi i komisionerëve të opozitës në administratën zgjedhore për shkak të interpretimit të ligjit nga KQZ, e ka administraën zgjedhore politikisht të pabalancuar. Për pasojë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të ODIHR shprehën mungesë besimi për të gjitha nivelet e komisioneve.
  2. Në disa raste KQZ zbatoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme ose në atë mënyrë që solli paragjykim. Disa vendime të KQZ-së, përfshirë ato për mohimet dhe ankesat për regjistrimin e kandidatëve, u publikuan me një vonesë të konsiderueshme, gjë që cënoi transparencën.
  3. Vendimit për refuzimin e komisionerëve të opozitës KQZ i dha karakterin e një vendimi normative që sipas Kodit Zgjedhor dhe standardeve zgjedhore të Komsionit të Venecias kërkon shumicë të cilësuar, ndërkohë që ai u miratua me shumicë të thjeshtë votash.
  4. Disa bashkëbisedues të ODIHR pohuan se komisionerët e emëruar kryesisht nga KQZ, që duhet të ishin ekspert të pavarur, në fakt ishin pa përvojën e duhur ose në të vërtetë ishin përfaqësues të PS.

REGJISTRIMI I KANDIDATËVE

  1. KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe nganjëherë në kundërshtim me praktikat e mëparshme, duke cënuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm në 25 Prill, me një vendim gjyqësor që mori formë të prerë në 10 maj. KQZ nuk i kërkoi të partisë së sapo regjistruar BD që të mbledh nënshkrime mbështetëse siç e kërkon ligji.

FUSHATA ZGJEDHORE

  1. Fushata zgjedhore ishte e padukshme. Ajo u përqëndrua më shumë në debatin poliitk për pjesëmarjen e opozitës në zgjedhje dhe rreth datës së zgjedhjeve.
  2. Disa bashkëbisedues nga i gjithë spektri politik ndanë me ODIHR besimin e tyre se ishte e nevojshme një marrëveshje midis partive për të parandaluar rrënimin e mëtejshëm të besimit në demokraci, zgjedhje dhe tek politikanët.
  3. Qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, u vunë nën presion për të demonstruar preferencën e tyre politike, e cila është në kundërshtim me Paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990.
  4. ODIHR mori shqetësime nga qytetarët se duke votuar apo abstenuar ato potencialisht do ti ekspzonte ato ndaj ndëshkimit në komunitetin e tyre. Disa përshkruan kërcënime të drejtpërdrejta dhe shantazh për pushime nga puna apo heqjen e përfitimeve të ndihmës sociale.
  5. Punonjësit e administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore ishin nën presion të drejtpërdrejtë dhe indirekt për t’u përfshirë në veprimtari politike gjatë dhe pas orarit të punës.
  6. Punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike dhe kjo bie ndesh me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990.

ANKESA DHE APELIMI

  1. Disa vendime të Kolegjit Zgjedhor ngrenë shqetësim mbi aksesin efektiv në drejtësi.
  2. Konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan sipas linjave partiake. Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata ishin subjekte të procesit të vettingut, i cili mund të prek sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë në pavarësinë e tyre.
  3. ODIHR ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit, mirëpo për këto raste nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal nga prokuroria. Ka një shqetësim për mungesën e përgjithshme të efektivitetit të hetimeve penale që kontribuojnë në perceptimin e përhapur të pandëshkueshmërisë mbi krimet elektorale të kaluara, duke përfshirë votimin dhe presionin ndaj votuesve.

VËZHGUESIT ZGJEDHOR

  1. Vëzhguesit ndërkombëtar nuk u lejuan sipas ligjit që të vëzhgonin procesin e mbylljes së qendrave të votimit, të vlerësonin protokollin tabelimit të rezultatit të votimit, duke kufizuar kështu aftësinë e tyre për të shqyrtuar në mënyrë efektive proceset e numërimit dhe tabelimit.

DITA E ZGJEDHJEVE

  1. Dita e votimit ishte përgjithësisht e qetë, përveç disa tensioneve të vogla.
  2. Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit.
  3. Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë.
  4. U evidentuan raste të personave që përpiqeshin të ndikonin votuesit e tjere.
  5. U vu re votimi në grup ose familjar dhe votimi me përfaqësim. Në 16 përqind të vëzhgimeve, MVZ ODIHR vuri në dukje raste të të njëjtit person që u jepte ndihmë shumë votuesve.

NË PËRFUNDIM TË KËTYRE GJETJEVE ODIHR KA DHËNË 20 REKOMANDIME, KU 6 PRIORITARET JANË SI MË POSHTË:

  1. Me qëllim të forcimit të demokracisë pluraliste, riafirmimit të të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demostrimit të përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, partitë politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë Reformën Zgjedhore që adreson rekomandime të përfshira në këtë dhe raportet e mëparshme të ODIHR-it.
  2. Autoritetet dhe partitë politike duhet të ndërmarrin masa maksimale për të eleminuar problemin e gjatë të keqpërdorimit të burimeve të administratës publike gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve. Autoritetet duhet të miratojnë rregulla të qarta që përcaktojnë se si burimet publike mund dhe nuk mund të përdoren për qëllime zgjedhore. Duhet të merren hapa të mëtejshëm për të arritur depolitizimin e shërbimit civil dhe të sigurohet që presioni të mos zbatohet mbi votuesit për të marrë pjesë në fushata zgjedhore ose të votojnë në një mënyrë të caktuar.
  3. Autoritetet duhet të garantojnë të drejtën e votuesve për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Procedurat e votimit duhet të rishikohen për të siguruar fshehtësinë e votës dhe mbrojtjen nga ndikimi i padrejtë mbi votuesit. Rëndësia e fshehtësisë së votave duhet të theksohet gjatë trajnimit të komisioneve zgjedhore dhe në materialet e edukimit të votuesve.
  4. Në përputhje me rekomandimet e mëparshme ODIHR, për të rritur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duhet të merren në konsideratë formulat alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, të mbështetura nga masa procedurale që sigurojnë pavarësinë e tyre.
  5. Të gjitha gjykatat që kanë kompetencë në çështjet zgjedhore duhet të jenë plotësisht funksionuese gjatë periudhave zgjedhore. Pavarësia dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorit duhet të sigurohet.
  6. Organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë të gjitha pretendimet për krimet zgjedhore në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente. Qeveria duhet të krijojë një procedurë me të cilën punonjësit e tanishëm dhe të ardhshëm të administratës publike mund të raportojnë çdo presion politik që mund të ushtrohet mbi ta, në lidhje me marrjen ose ruajtjen e një pozicioni pune ose me performancën e tij në punë. Personat e tillë duhet të gëzojnë mbrojtjet e garantuara aktualisht nga ligji për sinjalizuesit e akteve korruptive.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here