I shpëtoi atentatit/ Ja dëshmia e 34-vjeçarit korçar: Kam konflikt vetëm me…

0
135

Një ditë pas atentatit me breshëri kallashnikovi, Juxhin Kulla ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë, duke thënë se ka vetëm “llogari” të pambyllura me vetë Policinë. Deklarata e 34-vjeçarit nuk i ka shërbyer aspak grupit hetimor për zbardhjen e ngjarjes, pasi dëshmia e tij është dhënë sa për të krijuar çoroditje.

Kulla rezulton se është person me precedentë penalë, pasi është dënuar brenda dhe jashtë vendit për drogë. Në orët e vona të së premtes, në drejtim të shtëpisë së tij u qëllua me armë zjarri në momentin që autorët e kanë parë të dalë nga banesa.

“Sa po dilja nga banesa në momentin që kam dëgjuar të shtënat. Dëgjova zhurmën e një automjeti që u largua me shpejtësi në drejtim të fshatit Barç. Nuk pashë asgjë tjetër. Nuk e di pse e kanë bërë, nuk kam probleme me askënd. Problemet e vetme që kam, janë me Policinë pasi më kanë dhunuar”, mësohet të ketë thënë para grupit hetimor 34-vjeçari.

Lidhur me problemet me Policinë, Kulla i referohet një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2016, ku gjatë një kontrolli për drogë mbeti i dhunuar nga forcat e Policisë. Për këtë ngjarje, i riu akuzoi shefin e Seksionit të Antidrogës dhe për rastin, në atë kohë pati dhe një hetim nga ana e Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit.

Policia e mbante në vëzhgim pasi kishte dyshime se merrej me shpërndarjen e kanabisit. Ky incident erdhi vetëm pak kohë pasi Kulla ishte lirua nga burgu. 34-vje1çari ishte dënuar me 8 vite burg pasi u kap me 5,6 gramë kanabis sativa gjatë një operacioni policor. Por, Kulla nuk e pranoi asnjëherë një akuzë të tillë, duke thënë se kanë qenë vetë forcat e Policisë që i kanë futur lëndë narkotike në makinë.

DHUNIMI

Përplasja me Policinë në vitin 2016. Ngjarja është regjistruar pranë një pike bastesh sportive, përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti”, ku sipas dëshmitarëve okularë, dy automjete janë afruar te lokali dhe prej tyre ka zbritur një grup personash të veshur civilë dhe me antiplumb. Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda, kur ata janë afruar menjëherë te lokali dhe në ato momente, Juxhin Kulla është larguar me vrap.

Menjëherë, personat kanë qëlluar në ajër dhe kanë bërtitur “Ndal, Policia”, çka ka bërë që 31-vjeçari të ndalojë me duart lart dhe të kapet nga punonjësit. Ndërsa i riu u shoqërua në komisariat, një pjesë e efektivëve kanë kontrolluar mjetin e 31-vjeçarit, por nuk kanë gjetur asgjë.

Dyshimet e Policisë kanë nisur pas informacioneve për aktivitetin e 31- vjeçarit për shitje narkotikësh në atë zonë, por duket se pasi Policia nuk ka mundur të gjejë asgjë për ta implikuar, situata ka precipituar. Sipas deklaratave të vetë 31- vjeçarit Kulla, dhënë për avokatin, fillimisht ai është shoqëruar në Komisariat, ku edhe ka deklaruar se kishte vrapuar për t’u larguar, pasi nuk e dinte se në dy makinat e errëta kishte punonjës Policie, por më vonë iu bind urdhrit të tyre. Ai ka treguar se në ambientet e Policisë është rrahur në mënyrë barbare, çka e dëshmoi dhe me shenjat e shumta në fytyrë.

“Jam goditur teksa isha me pranga nga shefi i Antidrogës dhe një vartës i tij. Nuk më dhanë arsye, por më thoshin: Trego kush shet drogë, duam emra. Sa herë u thosha nuk di gjë, më godisnin më tepër, derisa e panë që më kishin masakruar fytyrën”, deklaronte para tri vitesh i riu. Ndërkohë, Policia në versionin e saj foli për kundërshtim me dhunë të efektivëve. /Panorama

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here