Patozi: E vetmja rrugë që vendi të shpëtoj nga ‘Rilindasit’, është duke shkulur rrënjët e së keqes!

0
103

Nga Astrit Patozi –

Dekriminalizimi ka qenë që nga fillimi një ligj poshtërues për vendin, i cili kishte shkak dhe pasojë kryesisht vesin e “Rilindjes” për t’u furnizuar me “politikanë bashkëkohorë” tek kontigjentet më të inkriminuara të shoqërisë.

Kur ai u miratua disa vjet më parë në parlament, gjithkush mendonte se ai do të ishte i përkohshëm dhe do të kishte vlerë aq sa udhëheqësit dhe partitë e tyre të mësoheshin me rregullat e reja, që banditët apo trafikantët nuk mund të ishin më deputetë, kryetarë bashkish apo zyrtarë të tjerë rangjesh të larta.

Kishte vetëm dy rrugë, që vendi të shpëtonte nga ky fenomen i neveritshëm.

E para, të krijohej një traditë e konsoliduar e sistemit politik, që nuk do t’i linte të afroheshin fare elementët e kriminalizuar, dhe kjo do ta bënte praktikisht të panevojshëm ligjin, edhe sikur askush të mos kujtohej më për të.

Tjetra, ishte që të ndërhyhej menjëherë, duke i shkulur rrënjët së keqes.

Rastet e fundit me të përzgjedhurit e Ramës tregojnë se “huqi del me shpirtin” dhe kjo të çon në përfundimin se Shqipëria nuk ka asnjë arsye pse të presë dhe shpresojë në efektet vetërregulluese të dekriminalizimit.

Ndaj mënyra e vetme për ta nxjerrë vendin nga kjo spirale e rrezikshme është që të prishim djepin që e lindi dhe barkun që e ushqen.

Me pak fjalë, të rrëzojmë nga pushteti “Rilindjen” e Edi Ramës, si rruga më e shkurtër dhe me e dobishme kombëtare për të shkuar tek rezultati.

Shembujt e përsëritur të mishngrënësve të “Rilindjes”, që bien në çarkun e dekriminalizimit, nuk janë argument për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por për t’i zhvilluar ato mundësisht që nesër.

Ndaj edhe është detyrim i çdo formacioni opozitar që të kërkojë dhe provokojë zgjedhje të parakohshme për t’i shkurtuar ditët kësaj qeverie të korruptuar dhe të diskretituar.

Çdo qëndrim tjetër do të ishte një akrobaci fyese për shqiptarët, të cilët, në rastin më të mirë, do të konsideroheshin si të pandjeshëm ndaj “të fortëve”, që u serviren si shefa politikë prej “Rilindjes”, për të mos shkuar më larg se kaq…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here