VIDEO/ Ilir Meta në festën e bektashinjve në malin e Tomorrit, ja si shprehet presidenti…

0
114

Presidenti Meta merr pjesë në pelegrinazhin në malin e Tomorrit me rastin e Festës së Shenjtë të Bektashinjve: Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar dhe të vërtetë europiane

22 gusht 2019

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorrit, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.

Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mijëra besimtarëve, Presidenti Meta uroi që figura e Abaz Aliut t’u japë forcë të gjithë shqiptarëve në rrugën për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar dhe një Shqipëri të vërtetë europiane.

Në fjalën e tij, Kreut i Shtetit theksoi:

Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorrit.

Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut.

Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorrit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare.

Për të nderuar gjithashtu të gjithë ata të cilët bënë gjithçka për gjuhën shqipe, për të nxitur lëvizjet për çlirim dhe bashkim kombëtar, të cilët punuan gjithmonë pa u lodhur për të forcuar harmoninë ndërfetare në vendin tonë.

Poeti ynë i madh kombëtar, Naim Frashëri, në momentet më të vështira dhe më të dëshpëruara të mbarë kombit për t’i dhënë fuqi shqiptarëve, për t’i zgjuar dhe për të pasur më shumë vetëbesim iu referua dhe i dha vendin të cilin meritonte edhe në poezi figurës madhështore të Abaz Aliut:

‘Abaz Aliu zu’ Tomorr,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh’.

Ndaj duke falënderuar Kryegjyshin Botëror për këtë organizim madhështor, dua t’ju uroj të gjithëve ju që keni ngjitur sot malin e Tomorrit, të gjithë besimtarëve bektashi dhe të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, suksese dhe mbarësi në familjet tuaja.

Abaz Aliu të na japi forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, siç e meritojnë të gjithë shqiptarët e sidomos të rinjtë e të rejat, por edhe të gjithë këta fëmijë të mrekullueshëm të cilët kanë mbushur sot malin e Tomorrit.

Na ndihmoftë Abaz Aliu të gjithëve!

Rroftë Shqipëria!”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here