Standard.al

Ja pse Edi Rama dhe Rilindja e kanë shndërruar Shkodrën në misionin e tyre qytetpushtues!

0

Shkodra si Bibliotekë!

Nga Arian Galdini

A do të mësosh patriotizmin?

Shko në Shkodër.

A do të mësosh qytetarinë?

Shko në Shkodër.

A do të mësosh historinë?

Shko në Shkodër.

A do ta bësh historinë?

Shko në Shkodër.

Qyteti që të mëson dhe të bën, si shumë pak të tillë në Shqipëri, është Shkodra.

Për këtë arsye, Edi Rama dhe Rilindja e kanë shndërruar Shkodrën në misionin e tyre qytetpushtues.

E duan marjen e Shkodrës, jo sepse u bën punë një Bashki më shumë në 61 që i morën dhuratë në tavolinë, por sepse duan ta kthejnë edhe këtë qytet në një qytet të zakonshëm, mediokër si dhjetra të tjerë që ka vendi ynë.

Këta nuk e durojnë dhe nuk e pranojnë dot veçantësinë dhe unicitetin që ka Shkodra.

Si Projekt Politik i Mediokritetit, këta ia kanë zgjatur duart e zaptimit të vetmes qendër urbane ku ka ende damarë të tjerë qytetarie që nuk komandohen dot aq lehtë kulturalisht dhe strukturalisht nga Tirana.

As 50 vite komunizëm nuk ia prenë dot venat e humorit therrës dhe rrebelimit të përkorë plot hijeshi e shpoti të këtij qyteti.

Edhe pse diktarura komuniste ia kishte marë edhe frymën e dritën Shkodrës, kurrë nuk ia ndali dot as shkrimtarët, as këngëtarët, as kompozitorët, as artistët, as inxhinierët, as arkitektët, as avokatët.

Shkodra madje u bë pararendësja e rënies së komunizmit sikurse u dha shqiptarëve modelin më fisnik të udhëheqësit politik të pas vitit 1990, Pjetër Arbnorin.

Prej unicitetit të saj Shkodra në tetorin 1996 zgjodhi një Kryetar Bashkie të ardhur nga E djathta e Bashkuar, sepse u ndje e zhgënjyer nga Partia Demokratike. Kurrë Shkodra nuk shkoi majtas. Kurrë.

E kjo nuk ka të bëjë aspak me të qenurit qytet bastion apo fanatik a ku di unë çfarë gjykimesh e paragjykimesh të tjera të pavërteta i bëjnë Lokes sonë.

Jo. Shkodra është djep lirie.

Shkodra kështu e ka të formësuar kulturën e saj, qytetari e bashkjetesë plot respekt e mirësi dhe individualitet plot tharm e kreshpëri.

Me besim të fortë fetar ku katolikët janë vërtetësisht katolikë dhe muslimanët janë vërtetësisht muslimanë dhe të gjithë së bashku janë shkodranë të ëmbël e në vllazni e harmoni me njëri tjetrin. Pra asnjë gjurmë kulturale të së majtës nuk gjen dot në këtë qytet.

Kafenetë e Shkodrës janë si Parlamente ku gjithkush ka një ide e mbron një mendim. Jeta e mbrëmjes është po aq e gjallë dhe e plotë sa edhe në Milano, Tiranë apo Berlin. Zënkat e Shkodranëve qytetarë janë të pavëreshme e ti i kupton vetëm kur i sheh kokëkthyer mënjanë karshi njëri tjetrit.

Kështu, kur ky qytet u bë me deputet Tom Doshin, pësoi agresionin e parë rural nga e majta. Projekti rrëzues i së majtës për Shkodrën, në këtë 30 qershor u zhvillua më tej me Valdrin (Valkrim) Pjetrin.

Por Shkodra e rrëzoi Valkrimin me një qëndresë të thjeshtë e shpërfillëse ndaj tij dhe dërguesve e kandiduesve të tij.

Edi Rama dhe Rilindja, duhet ta kishin shfrytëzuar këtë sprapsje të Valkrimit, si një hop reflektimi për veten e tyre. Shkodra është si Bibliotekë.

Ti mund ta fusësh përdhunisht Tomën në Bibliotekë, por nuk ka asnjë shans që Toma të dalë me libra në xhep e në mend. Toma në Bibliotekë vetëm bën dëm.

E megjithatë, shanset që Toma ta bëjë Bibliotekën Bar Bistro Cubash, janë po aq të vogla sa edhe shanset që Biblioteka ta bëjë Tomën kompozitor.

Biblioteka do mbetet gjithmonë Bibliotekë, e Toma gjithmonë Tomë, si dy lëndë të veçuara. Edi Rama dhe Rilindja po bëjnë gabimin e jetës së tyre me Shkodrën.

Shkodra do mbetet gjithmonë Shkodër sikurse E majta atje do mbetet kahera pakicë dhe e huaj.

Arian Galdini

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.