Hidhet biznesmeni si Vojua mbi tank!

0
125

Nga Artan Fuga.

Të mos linçohet biznesmeni shqiptar, por të ruhet paanësia ne gjykim mes tij dhe turistëve të huaj!

Skena ku shihet pronari i një lokai në Jug të vendit që hidhet mbi makinën e turistëve të huaj, thyen xhamin e përparmë me telefon, dhe fut dorën për t’u kapur brenda mjetit u ngjan filmave me horror, ose më kujton një skenë nga lufta e njësive guerrile të Tiranës në kohën e pushtimit fashist.

Hidhet biznesmeni si Vojua mbi tank ! Tmerr.

Imagjinoj çfarë frustrimi ka pasur, çfarë gjendje psikologjike të rënduar ka përjetuar, çfarë marrëdhënie me klientët e tij ka konceptuar derisa ka arritur puna aty.

Duhet të ketë qenë e rëndë!

Pritet që organet e rendit ta zbardhin çështjen, por ka një flagrancë gjithsesi e del në videon e turistëve. Çfarëdo të bëjë klienti, pronari, personi i shërbimit, biznesmeni nuk duhet të arrijë deri aty, te vetëgjyqësia, as te rreziku për jetën e tij apo të klientëve të tij.

Madje ne kemi nevojë që nëpunësi i shtetit, kamarieri, deputeti , punonjësi i bankës të jenë shumë të sjellshëm me klientët vendas dhe të huaj.

Ne dhunohemi përditë sidomos nga arbitrariteti i nëpunësve dhe arroganca e jo pak prej tyre që as ta vërshëllejnë fare.

Sigurisht duhet ta mbrojmë imazhin e turizmit tonë dhe të jemi në nivele pa të cilat turisti i sotëm as ta sheh derën. Dhe ndaj të huajit ne me të drejtë jemi të kujdesshëm.

Por, shteti duhet të jetë i paanshëm dhe jo eksesiv.

E para dëgjoj në lajme që shërbimet financiare po shkojnë dhe kontrollojnë a është me leje lokali i personit në fjalë, a ka shlyer detyrimet, etj!!! Pse tani e gjetën ata të kontrollojnë këto gjëra? Cfarë lidhje ka incidenti i rëndë me taksat a tatimet?

Hiiiiiç, asnjë lidhje. Nëse ai pronar gjendet me shkelje, edhe shërbimet tatimore etj, duhet të japin llogari, dhe jo për një ngjarje policore të hapin një çështje financiare sepse është pa asnjë lidhje, është linçim i biznesit.

E dyta në flagrancë dhune është biznesmeni mbi veturë si mbi tanks, por edhe personat brenda veturës dhe përfshirë edhe turistët. Sjellja e tyre është çnjerëzore sepse jo vetëm rrezikojnë jetën e personit, por edhe filmojnë skenën me cinizëm, në vend të ndalonin dhe të sqaroheshin duke njoftuar policinë.

E treta, para sesa të bëhet fajtor pa u gjykuar biznesmeni, i cili sigurisht ka bërë gabim, duhet të sqarohen rrethanat e ngjarjes sepse asnjë pronar lokali nuk ka interes të grricet me klientët e tij. Kush iku pa paguar, çfarë defektesh kishte shërbimi, cila ishte skena e krimit paraprakisht dhe jo thjesht në veturë etj? Sepse kemi një filmim të njëanshëm.

Dhe pyetja e madhe është : në rast konflikti mes shërbimit dhe turistit kush ndërhyn, përsa kohë ndërhyn. Edhe biznesmeni por edhe turistët duhet të njoftonin qetësisht policinë dhe të prisnin forcat e rendit e jo me vetëgjyqësira e me dhunë të ndërsjelltë. Rendja e asaj makine me njeriun me xham mua më shqetëson edhe sa vetë hedhja e personit në xhamin e veturës së tjetrit.

Dhe skena kur ministri i turizmit u jep lule turistëve dhe u kërkon falje është qesharake. A u zbardh ngjarja nga drejtësia? A u shpall fajtori? Turistët e shumta mund të merreshin nën kujdes nga shërbimet shëndetësore, nga shërbimet e pushtetit lokal, nga organet e rendit, por një takim si ai që shoh në tv mes turistëve që as një ndjenjë brejtjeje nuk kanë për ngjarjen ku janë palë dhe ministrit që i trajton anshmërisht si viktima, por jo edhe si fajtorë, më duket një inferioritet i pashpjegueshëm.

Aq më shumë që ajo video e njëanshme e nxjerrë nga cdo kontekst duke u botuar përbën edhe një prishje të imazhit të turizmit shqiptar pra ka dëmtuar degën e ekonomisë kombëtare, bizneset shqiptare, të cilat ka nevojë të kenë lobimin e tyre dhe sistemin e vetërregullimit për ta ngritur shërbimin turistik shqiptar në nivelin e turistit të sotëm.

Si klient turisti është mbret, por si klient nuk mund të jetë anshmërisht i trajtar kur nesër pasnesër krijon probleme ose pëson nga gabimet e operatorëve shqiptarë.

Ne duam gjykime të ftohta dhe jo linçim propagandistik e mediatik, shoqëruar me anshmëri burokratike dhe mosveprim i organeve të drejtësisë ndaj kujtdo qoftë që përfshihet në një incident në territorin e Shqipërisë.

Te gjitha palët duhet të shoqëroheshin në komisariat dhe aty të fillonte trajtimi i panshëm i çështjes. Kjo është zgjidhja moderne e emancipuar e çështjes, jo zgjidhja politiko-mediatiko-emocionale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here